Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Balla: U godit një rrjet i madh, vëmendje e posaçme fëmijëve të pashoqëruar

Shkatërrimi i zinxhirëve të trafikimit të qenieve njerëzore përmes hetimeve proaktive mbetet një prioritet për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit. E gjatë kohës që po zhvillohej konferenca, ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se Policia e Shtetit në bashkëpunim e SPAK kanë goditur një rrjet të madh personash të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, mes tyre edhe punonjës policie. 

“Por ajo që do çmohet më tepër dhe për të cilën po punohet vazhdimisht është të mos lejojmë që këto zinxhirë të krijohen dhe zënë këmbë e duar të vajzave, djemve dhe fëmijëve tanë. Ndaj parandalimin, informimin dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë e konsideroj si një element kyç në këtë përpjekje të përbashkët”, u shpreh Balla, në konferencën “Për një qasje të fokusuar në viktimat në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore”. 

Në këtë takim për adresimin e përpjekjeve të përbashkëta të qeverisë, morën pjesë përfaqësues të Ambasadës amerikane, të BE në Tiranë, agjencitë ligjzbatuese si dhe shoqërisë civile e Akademisë. Balla informoi se në dhjetor 2023, Ministria e Brendshme po zbaton një plan masash, bazuar dhe në rekomandimet e TIP Report. Ndër to, parashikohet rritja e financimeve për Strehëzat në vlerën rreth 45%.

“Një nga rezultatet për t’u duartrokitur është vendosja në funksionim e Linjës 116 006, nga muaji Dhjetor pranë Sektorit Antitrafik. Me qëllim promovimin e Linjës dhe ndërgjegjësimin e komunitetit ndaj fenomenit të trafikimit, u prezantua fushata e komunikimit antitrafik “E vërteta N’drit” 116 006, si pjesë e programit “Transformimi i përgjigjes kombëtare ndaj trafikimit të qenieve njerëzore në dhe nga Shqipëria”, i cili financohet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe zbatohet nga UNICEF në Shqipëri”, nënvizoi Ministri. 

Ai shtoi se fenomeni ka një shfaqje shumë dimensionale, duke u ndikuar nga situatat e vulnerabilitetit social, ekonomik të personave dhe duke pasur njësoj shtrirje si tek burrat, gratë dhe fëmijët. 

“Kur flasim për të miturit një vëmendje të veçantë i shkon të miturve të pashoqëruar, të cilët kalojnë në mënyrë të parregullt kufirin drejt Republikës së Shqipërisë dhe që janë potencialisht viktima të trafikimit. Ndaj gjej rastin të bëj një thirrje ndaj të gjitha shoqatave dhe organizatave të shoqërisë civile të pranishme sot, por edhe ato që na ndjekin dhe që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre masat në kuadër të trafikimit të qenieve njerëzore, që të kenë një vëmendje të veçantë dhe të jenë partnerë mbështetës Policisë së Shtetit dhe Njësive të Vetëqeverisjes Vendore ndaj kësaj kategorie”, apeloi Balla. 

Ministria e Brendshme me mbështetjen e partnerëve, ka finalizuar Marrëveshjen e re për funksionimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit, për identifikimin, mbrojtjen dhe ri-integrimin e Viktimave te Trafikimit.  Ky mekanizëm ka në fokus viktimën, për t’i siguruar lehtësi dhe mbështetje për të tejkaluar traumat dhe për të rifilluar jetën.

Plani Kombëtar i Veprimit për Luftën kundër Trafikimi të Personave, i cili do të miratohet së shpejti parashikon ndër të tjera uljen e kërcënimit dhe ndikimit të krimit të organizuar, goditjen e trafiqeve të paligjshme, mbrojtjen e qytetarëve, institucioneve apo ekonomisë, si dhe rritjen e kapaciteteve për identifikim dhe hetime proaktive.


Lajmi kryesor:

Goditet grupi që trafikonte emigrantë, 26 urdhër arreste, mes tyre 4 policë! Bizneset u siguronin kontrata fiktive pune, më pas aplikonin për vizë në BE! Sekuestrohen 1.1 mln euro e dollarë (EMRAT)


M.Q./S.Ç/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Shpërthen skuteri elektrik, përfshihet nga flakët një lokal

Kosovë/ Shpërthen skuteri elektrik, përfshihet nga flakët një lokal