Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e vështirë të zjarreve me të cilën po përballet vendi ynë prej disa ditësh.

Në një reagim në Facebook, Kryeministri ka falenderuar zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, të emergjencave, policinë dhe vullnetarët që po rrezikojnë jetën për të shuar flakët.

“Falenderim, respekt, mirënjohje me zemër për zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë, vullnetarët dhe banorët që po përballen me flakët, duke rrezikuar jetën për të mbrojtur njerëzit, shtëpitë dhe natyrën tonë”.

Ndërsa për piromanët që ndezin zjarre qëllimisht, Kryeministri paralajmëroi dënimin më të rëndë.

“Ata që ndezin zjarre qëllimisht, shkatërrojnë pasurinë dhe rrezikojnë jetë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:47
Zjarret, Rama apel banorëve: Tregohuni të kujdesshëm, ndiqni këshillat e autoriteteve dhe sinjalizoni çdo vatër para se të jetë vonë

Kryeministri Edi Rama  ka reaguar sërish për situatën e vështirë të shkaktuar nga zjarret që kanë shpërthyer gjatë orëve të fundit, me vatrat më të rrezikshme në Delvinë dhe Gramsh. Teksa ndarë pamje nga operacionet e shuarjes së flakëve, kreu i qeverisë shkruan se falë angazhimit, zjarret janë arritur të vihen nën kontroll, ndërkohë që apelon edhe banorët që të tregohen të kujdesshëm dhe të raportojnë për çdo vatër zjarri pa qenë vonë.

Përsërit edhe njëherë paralajmërimin për “kriminelët që luajnë me flakët se ndëshkimi do të jetë maksimal”.

“Dy ditë e netë ekstremisht të vështira, ku forcat zjarrfikëse të bashkive, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura po përballen me zjarre të mëdha në Skënderbegas, Sojnik të Gramshit, Koshtan të Memaliajt, në Hormovë, Kodër e Lekël të Tepelenës, në kufi me Gjirokastrën, Dhivër, Kakodhiq në Finiq, si dhe në Dropull në kufi me Delvinën, ku rreziku dhe flakët kanë qenë të pamëshirshme 

Falë guximit vetëmohues dhe angazhimit total të të gjitha forcave në terren, është arritur fatmirësisht që zjarret të vihen nën kontroll, ndërkohë që vazhdon puna papushim drejt shuarjes së tyre dhe gatishmëria maksimale për çdo riaktivizim të mundshëm apo vatra të reja.

Thirrje të gjithë banorëve të tregohen të kujdesshëm, të sinjalizojnë çdo vatër zjarri para se të jetë vonë dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve, ndërsa për kriminelët që luajnë me flakët, ndëshkimi do të jetë maksimal.”, shkruan Rama.