Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë arsye të besojnë se Izraeli ka kryer akte gjenocidi në Gaza. Kështu ka deklaruar për mediat e huaja një zyrtar amerikan.
Reagimi i tij erdhi pasi një raportuesi special të Kombeve të Bashkuara tha se kishte baza të arsyeshme për ta dyshuar diçka të tillë.
“Ne përsërisim kundërshtimin tonë të gjatë ndaj mandatit të këtij raportuesi special, i cili është i njëanshëm kundër Izraelit,” i tha zyrtari AFP në kushte anonimiteti.
Ndërkohë, mediat e huaja thonë se udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh do të shkojë në Teheran për të takuar liderët e Iranit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u takua me Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant në Uashington. Sekretari, sipas një shënimi nga Departamenti i Shtetit, përsëriti "mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të siguruar humbjen e Hamasit, përfshirë në Rafah, ndërsa përsëriti kundërshtimin e tij ndaj një operacioni të madh tokësor", i cili "do të rrezikonte më tej mirëqenien".
Nga më shumë se 1.4 milionë civilë palestinezë që strehohen atje, sekretari theksoi se "ekzistojnë alternativa ndaj një pushtimi të madh tokësor që do të siguronte më mirë sigurinë e Izraelit dhe mbrojtjen e civilëve palestinezë".
Blinken diskutoi gjithashtu "nevojën për të rritur dhe mbështetur menjëherë ndihmën humanitare për të përmbushur nevojat e civilëve në Gaza".
Një ditë më parë një delegacion izraelit, anuloi vizitën në SHBA, pasi për herë të parë Këshilli i Sigurimit në OKB, miratoi një rezolutë që bën thirrje për armëpushim në Rripin e Gazës.
Por pavarësisht këtij vendimi, Pentagoni thotë se takimi mes sekretarit amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin me ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant është ende në axhendë.
"Ka mënyra për të trajtuar kërcënimin e Hamasit duke marrë gjithashtu parasysh sigurinë e civilëve. Shumë prej tyre janë mësime në lidhje me kryerjen e operacioneve në mjediset urbane," tha Ryder, "Unë pres që bisedat të jenë për këtë lloj gjërash".
Marwan Issa
Ushtria izraelite ka konfirmuar vrasjen e Marwan Issa, numri 2 i Brigadave Qassam, krah ushtarak i Hamasit.
“Ne i kemi përfunduar të gjitha testet dhe mund të themi se është eliminuar”-është shprehur zëdhënësi ushtarak Daniel Hagari.
Issa u godit në një sulm të koordinuar më 11 mars, ndërsa ai ishte në një bunker në Nusseirat, në qendër të Gazës.