Çmimi i naftës u rrit mbi 100 dollarë për fuçi gjatë natës, por tashmë i është përafruar shifrës. Rritja ndodhi pavarësisht se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ra dakord të nxjerrë në tregun global një sasi rekord prej 400 milionë fuçish nga rezervat.

Sipas një gazetari të BBC, kjo sasi është afërsisht sa furnizimi për katër ditë.

Irani paralajmëron se nafta mund të arrijë në 200 dollarë për fuçi, ndërsa sulmet e tij ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit po intensifikohen. Gjatë natës u raportuan shpërthime në të paktën dy anije-cisterna të tjera të huaja në ujërat irakiane. Hormuzi është kthyer në një fushëbetejë vendimtare. Agjencia detare e Mbretërisë së Bashkuar tha se edhe një anije tjetër në Gjirin Persik është goditur.

Dy dronë u përplasën në Camp Singara, në Kurdistanin irakian, duke goditur bar/restorantin e strukturës ushtarake italiane “Il fortino” brenda aeroportit të Erbilit. Përplasja shkaktoi një zjarr dhe përfshiu dy automjete. Ndërhyrja e personelit i kufizoi menjëherë flakët. Ndryshe ishte rezultati i sulmit ndaj bazës amerikane Al-Udairi në Kuvajt: Garda e Revolucionit Islamik njoftuan se të paktën 100 ushtarë amerikanë kanë mbetur të plagosur.

Ushtria izraelite ka nisur një “valë të gjerë sulmesh” kundër Hezbollahut në Bejrut, duke thënë se ka goditur 10 godina, ndërsa raportohen të paktën 8 viktima. Ushtria gjithashtu thotë se ka shkatërrur raketa të lëshuara nga Irani.

Ndërkohë Arabia Saudite thotë se ka shkatërruar 18 dronë, ndërsa autoritetet në Dubai thonë se askush nuk u lëndua pasi një dron ra mbi një ndërtesë apartamentesh.

Presidenti Donald Trump thotë se SHBA-të “nuk kanë mbaruar ende” kur u pyet për luftën me Iranin, e cila është në ditën e saj të 13-të. Ai ka vazhduar të përsërisë pretendimin e tij se SHBA-ja e ka fituar luftën, edhe pse konflikti po zgjerohet. “Është vetëm çështje kohe, kur, kur do të ndalojmë?”

Ushtria amerikane goditi aksidentalisht një shkollë fillore iraniane më 28 shkurt, me gjasë për shkak të informacionit për një bazë detare aty pranë, sipas dy burimeve të CNN. Sulmi vrau të paktën 168 fëmijë dhe 14 mësues, sipas mediave shtetërore iraniane.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:00
Sulmet izraelite në Liban, 11 të vdekur pranë plazhit publik Beirut

1773306687_sulmibeirut.JPG

Numri i të vdekurve nga sulmi i IDF në një plazh në Beirut ka shkuar në 11, ndërsa 30 persona janë plagosur. Kjo u raportua nga gazeta libaneze L'Orient-Le Jour, e cila thekson se në bregdet ishin mbledhur shumë të zhvendosur për shkak të luftës. Gazeta raportoi gjithashtu për një tjetër sulm në Aramoun, ku tre persona u vranë pasi u godit një ndërtesë banimi.

Ministria e Shëndetësisë në Beirut bëri gjithashtu një bilanc të ofensivës së re izraelite në Lebanon: që nga rifillimi i sulmeve ajrore, më shumë se 634 persona janë vrarë në 11 ditët e fundit, mes tyre 91 fëmijë. Për më tepër, mbi 816,000 persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Ora 09:46
Nafta rritet sërish, çmimi rreth vlerës 100 dollarë për fuçi

1773305942_fucinafte.JPG

Çmimet e naftës vijuan të rriten mëngjesin e kësaj të enjteje në tregjet e Azisë, pavarësisht se vendet kryesore ranë dakord të nxjerrin një sasi rekord nafte nga rezervat e tyre emergjente, në përpjekje të kufizojnë ndikimin e luftës në Iranin.

Nafta Brent ka qëndruar rreth 100 dollarë për fuçi, edhe pasi të 32 anëtarët e International Energy Agency (IEA) thanë se do të nxjerrin 400 milionë fuçi – afërsisht sa konsumon bota në katër ditë – si përgjigje ndaj shqetësimeve për furnizimin.

Ndërhyrja nga IEA ishte e rëndësishme, por nuk është diçka që mund të bëhet shpesh. Për tregtarët, ajo nuk i dha përgjigje pyetjes thelbësore se për sa kohë Ngushtica e Hormuzit do të mbetet një zonë rreziku për cisternat e naftës.

Garda Revolucionare e Iranit paralajmëroi armiqtë e vendit se ata “nuk do të jenë në gjendje të ulin artificialisht çmimin e naftës” dhe se së shpejti ai mund të arrijë në 200 dollarë për fuçi.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, fjalët e të cilit më parë kanë arritur të qetësojnë tregjet, tani është nën presion më të madh se kurrë për t’u shpjeguar amerikanëve se si ky konflikt nuk do të ndikojë në koston e jetesës.

//BBC

Ora 09:41
Irani sulme ndaj rafinerive të naftës në Irak, Bahrein dhe Oman

1773305100_bapcobahrein.webp

Sulmet e vazhdueshme iraniane kanë shkaktuar një seri zjarresh në rajonin e Gjirit, raporton BBC. Përveç dy cisternave të naftës që u përfshinë nga flakët pas një sulmi pranë portit jugor irakian të Basrës, në Bahrein shpërtheu një zjarr i madh pasi Irani goditi rezervuarët e naftës dhe karburantit pranë aeroportit ndërkombëtar.

Tymi, shkruan BBC, është aq i dendur sa autoritetet po u bëjnë thirrje banorëve të mbajnë dritaret të mbyllura. Në Oman, ekipet e zjarrfikësve po punojnë ende për të vënë nën kontroll një zjarr në rezervuarët e karburantit pas sulmit të djeshëm në portin e Salalahut. Omani ka urdhëruar tashmë evakuimin e anijeve pranë terminalit të tij të eksportit të naftës si masë paraprake.

Ora 09:09
Trump: Çmimi i naftës do të ulet përtej parashikimeve

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha se vendimi i 32 vendeve për të liruar rezervat e naftës do të "ulë ndjeshëm çmimet e naftës".

Ndërsa po vizitonte një biznes në Cincinnati, Trump e quajti luhatjen e çmimeve të naftës një "çështje lufte".

"Çmimet po bien shumë ndjeshëm," tha ai. "Nafta do të ulet. Kjo është thjesht një çështje lufte që ndodh. Pothuajse mund ta parashikosh. Do të thoja që u rrit pak më pak nga sa mendonim. Do të bjerë më shumë nga sa ne, nga sa kushdo e kupton."

Më vonë ai tha se SHBA-të do të "shohin shumë fort" Ngushticën e Hormuzit, duke shtuar: "Ngushtica është në gjendje të shkëlqyer. Ne i kemi eliminuar të gjitha anijet e tyre. Ata kanë disa raketa, por jo shumë."

Ora 08:17
Krahasimi që alarmon Kievin, 600 raketa Patriot në 4 vite për Ukrainën, lufta me Iranin konsumon mbi 1000 në 11 ditë

1773300050_dron.jpg

Ukraina mund të përballet me dobësim të mbrojtjes ajrore, ndërsa lufta e udhëhequr nga SHBA kundër Iranit po shteron rezervat globale të raketave Patriot, arma më e vlefshme që Kievi ka në arsenalin e tij kundër sulmeve të pandërprera ruse.

Irani ka lëshuar më shumë se 2,100 dronë dhe të paktën 688 raketa balistike që nga fillimi i luftës, sipas një analize të Bloomberg. Kjo ka bërë që SHBA-të dhe aleatët e saj të përdorin më shumë se 1,000 interceptorë PAC-3, duke vënë nën presion furnizimet në mbarë botën dhe duke rritur shqetësimet se sa shpejt mund të zëvendësohen ato.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se Kievi ka marrë gjithsej 600 raketa PAC-3 që nga nisja e luftës me Rusinë 4 vite më parë, më pak se numri i raketave të lëshuara në rajonin e Gjirit gjatë 11 ditëve të fundit.

Qeveria gjermane tha të martën se do të bashkëpunojë me disa aleatë europianë për të siguruar 35 interceptorë shtesë për Ukrainën. Disa shtete të Bashkimit Europian paralajmëruan në një takim me dyer të mbyllura në Bruksel javën e kaluar për një mungesë globale të interceptorëve.