Ushtria izraelite konfirmoi sulmin e së dielës në mbrëmje në Rafah dhe tha se kishte shënjestruar një seli të Hamasit, teksa një takim i nivelit të lartë të grupit terrorist ishte duke u zhvilluar.
‘Sulmi u krye kundër terroristëve, të cilët janë një objektiv në përputhje me ligjin ndërkombëtar, duke përdorur municione precise dhe bazuar në informacionin inteligjencës që tregon përdorimin e zonës nga terroristët e Hamasit’, thuhet në një shënim të IDF.
Ndërkohë, pas 4 muajsh, Hamasit ka lëshuar sërish një breshëri raketash në Tel Aviv dhe Izraelin qendror. Ushtria izraelite numëroi tetë, të cilat pretendon se i kanë lëshuar Brigadat Qassam, krahu ushtarak i fraksionit islamik, i tërhequr nga zona Rafah, qytetit më jugor i Gazës, ku IDF është angazhuar për javë të tëra në një operacion ushtarak ‘të synuar; për të likuiduar batalionet e fundit të Hamasit.
Sakaq, sipas Hamasit, 50 persona kanë vdekur si pasojë e sulmit izraelit në kampin e refugjatëve në veriperëndim të Rafahut, në lagjen Tal al Sultan.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, kontrolluar nga Hamas, shumica e të vrarëve janë fëmijë dhe gra.
Ndërkohë Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së po mbledh informacione lidhur me këtë sulm të Izraelit në kampin e refugjatëve në Rafah.
Sulmi izraelit në një qytet me tenda refugjatësh në Rafah është pjesë e një "lufte gjenocidale" të zhvilluar nga Izraeli. Kështu ka deklaruar një nga liderët e Hamasit në Liban, Osama Hamdan , sipas të cilit sulmi "bie ndesh me tezën e Izraelit se ka vende të sigurta në Rripin e Gazës".
Gjithashtu, ai shtoi gjatë një konference për shtyp në Bejrut se "sulmet e dy ditëve të fundit janë një tregues i kundërshtimit të Izraelit ndaj urdhrave të lëshuara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) për të ndaluar ofensivën e Rafahut dhe për t'u tërhequr nga Gaza".
Spitali i Kuvajtit në Rafah, në Rripin jugor të Gazës, është mbyllur dhe nuk është më funksional "për shkak të sulmeve të qëllimshme ndaj stafit të spitalit dhe zonës përreth".
Drejtori i saj e bëri të ditur këtë pas bastisjes izraelite në një kamp refugjatësh në Rafah, me disa të lënduar të transportuar në spitalin e Kuvajtit, raporton Al-Jazeera.
Foto: Tor Wennesland
OKB-ja i ka bërë thirrje Izraelit për një hetim "të plotë dhe transparent" për sulmin që shkaktoi dhjetëra të vdekur në kampin e refugjatëve pranë Rafahut.
"Të gjitha palët në konflikt duhet të përmbahen nga veprimet që na largojnë nga arritja e përfundimit të armiqësive dhe rrezikojnë më tej situatën tashmë të brishtë në terren dhe në rajon”, tha Tor Wennesland Koordinatori Special i OKB-së për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme.
Wennesland përsëriti gjithashtu thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm Guterres për një armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve për t'i dhënë fund vuajtjeve civile.
"Kombet e Bashkuara, përfundoi ai, mbeten të vendosura në angazhimin e tyre për të mbështetur të gjitha përpjekjet që synojnë t'i japin fund armiqësive, të ulin tensionet dhe a të avancojnë në çështjen e paqes".