Teksa mijëra palestinezë përpiqen të gjejnë vend në strehimoret e Gazës ose të zhvendosen në jug për t’iu ikur bombardimeve izraelite, sëmundjet infektive po përhapen në të gjithë enklavën e rrethuar, sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Sëmundjet infektive si diarreja dhe lija e ujit po përhapen në Gaza, ka bërë të ditur OBSH-ja, derisa organizatat shëndetësore kanë paralajmëruar për rrezikun e kolerës dhe të epidemive. Mungesa e ujit të pijshëm si dhe mosfunksionalizimi i rrjetit të kanalizimit kanë kontribuar në përhapjen e infeksioneve.
Përballë kufizimeve të tilla, qindra mijëra njerëz në Gaza janë gjithashtu të ngujuar në strehimore, duke e përshpejtuar potencialisht përhapjen e sëmundjeve. Mijëra të tjerë po zhvendosen gjithashtu nga veriu në jug të Gazës pas urdhrave të Izraelit për evakuim.
Cilat sëmundje po përhapen më shumë në Gaza?
• Infeksionet e rrugëve të sipërme respiratore: Deri më tani janë regjistruar gjithsej 54.866 raste. Këto infeksione ndikojnë kryesisht në frymëmarrje me simptoma të tilla si rrjedhje hundësh, kollë dhe dhimbje fyti. Sëmundjet e frymëmarrjes njiheshin si shkaku i gjashtë më i zakonshëm i vdekjeve në Rripin e Gazës përpara shpërthimit të luftës muajin e kaluar, rapoton AlJazeera.
• Diarreja: Më shumë se 33.551 raste të diarresë janë raportuar në Gaza. Të paktën gjysmën e rasteve e përbëjnë fëmijët nën moshën pesëvjeçare, sipas OBSH-së. Për krahasim, në vitin 2021 dhe 2022 u raportuan mesatarisht 2 mijë raste me diarre në muaj te fëmijët nën pesë vjeç. Pirja e ujit të kontaminuar është një nga arsyet kryesore pas diarresë.
• Skuqje të lëkurës: Janë raportuar gjithsej 12.635 raste. Bakteret dhe viruset shkaktojnë skuqje dhe kruajtje të lëkurës. Skuqjet e lëkurës dhe zgjebja janë disa nga shenjat e para të mungesës së higjienës.
• Zgjebja dhe morrat: Janë raportuar gjithsej 8944 raste të këtyre infeksioneve parazitare. Morrat zakonisht infektojnë flokët e zgjebja shfaqet në pjesë të tjera të trupit. Të dyja shkaktojnë kruajtje të rëndë.
• Lija e ujit: Janë raportuar të paktën 1005 raste të lisë së ujit. Kjo sëmundje virale prek kryesisht fëmijët, por mund të infektojë edhe të rriturit.
Statistikat për vdekjet për shkak të sëmundjeve infektive zakonisht raportohen nga Ministria e Shëndetësisë në baza vjetore, megjithëse OBSH-ja po punon për t’i marrë ato të dhëna më shpejt, kanë njoftuar zyrtarët e agjencisë.
Cilët janë disa nga faktorët pas këtyre sëmundjeve?
Furnizimi me ujë të kontaminuar ose të pamjaftueshëm, mbipopullimi dhe mungesa e higjienës janë disa nga faktorët kryesorë që kontribuojnë në shpërthimin e sëmundjeve infektive.
Shumë familje në Gaza jetojnë në apartamente të vogla, të tjera po strehohen në objektet e OKB-së, disa prej të cilave janë cilësuar nga vetë OKB-ja si të papërshtatshme në ofrimin e “kushteve të sigurta dhe dinjitoze të jetesës”.
Ndërkohë, mbetjet e ngurta si shkak i mosfunksionimit të rrjetit të kanalizimit, janë grumbulluar në rrugët e Gazës, duke krijuar terrene dhe kushte të përshtatshme për mbarështimin e insekteve dhe brejtësve që bartin dhe transmetojnë sëmundje, sipas OBSH-së.
Qindra njerëz në të gjithë Gazën po detyrohen të përdorin një numër të kufizuar tualetesh. Në strehimoret në jug, ku njerëzit po evakuohen, të paktën 600 njerëz të zhvendosur përdorin një tualet, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).
Në rastin e infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes, ndërkohë që viruset janë një shkak i zakonshëm, një studim i vitit 2018 mbi pasojat e lidhura me luftën në Rripin e Gazës zbuloi gjithashtu se thithja e gazit helmues nga aktiviteti ushtarak çon në sëmundje të frymëmarrjes.