Shtetet e Bashkuara po lëvizin në dy drejtime njëkohësisht: 'nga njëra anë po rrisin presionin në terren, nga ana tjetër po flasin për rikthim në tryezën e negociatave me Iranin'.
Presidenti Donald Trump deklaroi paraditen e së martës me orën lokale, se bisedimet me Iranin mund të zhvillohen shumë shpejt, madje brenda dy ditësh në Pakistan. Në një intervistë për New York Post, ai la të kuptohet se pritet një raund i ri negociatash me ndërmjetësim pakistanez, duke vlerësuar edhe rolin e shefit të ushtrisë, Asim Munir.
Ndërkohë në terren, pasi Donald Trump kërcënoi të fundosë çdo anije që përpiqet të niset ose të ankorohet në zonë, SHBA ka shtuar ndjeshëm praninë ushtarake në Ngushtica e Hormuzit. Mbi 10 mijë trupa, anije luftarake dhe avionë janë angazhuar në operacion, ndërsa bllokada ndaj Iranit është bërë më e fortë.
Sipas Komandës Qendrore amerikane, në 24 orët e fundit gjashtë anije tregtare janë detyruar të ndryshojnë kurs dhe të kthehen drejt porteve iraniane në Gjirin e Omanit.
Në këtë situatë, Kina ka reaguar ashpër. Pekini e ka cilësuar bllokadën amerikane të porteve iraniane “të rrezikshme dhe të papërgjegjshme”,
“Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar operacionet ushtarake dhe kanë ndërmarrë një bllokadë të synuar, e cila vetëm sa do të përkeqësojë tensionet dhe do të minojë marrëveshjen tashmë të brishtë të armëpushimit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun.
Megjithatë, pavarësisht bllokadës, ka pasur edhe disa lëvizje anijesh në det. Katër anije të lidhura me Iranin kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit, sipas MarineTraffic, ndërsa dy prej tyre kishin ndaluar më herët në portet iraniane.
Nga ana tjetër, Xi Jinping ka paraqitur një plan me katër pika për paqen gjatë një takimi në Pekin me Princin e Kurorës së Abu Dhabit, Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
Propozimi përfshin sipas tij respektimin e bashkëjetesës paqësore, sovranitetit kombëtar, ligjit ndërkombëtar dhe balancimin mes zhvillimit dhe sigurisë.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike po vijojnë edhe në fronte të tjera. Në Uashington pritet të zhvillohen bisedime mes ambasadorëve libanezë dhe izraelitë, hera e parë në dekada që dy vende pa marrëdhënie diplomatike ulen për negociata direkte.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet t’u bashkohet këtyre bisedimeve, ndërsa Hezbollah ka deklaruar se nuk do të njohë asnjë marrëveshje të mundshme.
Këtë e konfirmoi Wafiq Safa, duke theksuar se rezultatet e negociatave “nuk i interesojnë dhe nuk i detyrojnë”.
Irani ka tentuar që në fillim ta përfshijë Libanin në çdo marrëveshje armëpushimi me SHBA, por si Uashingtoni ashtu edhe Izraeli kanë këmbëngulur se Libani nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje.
Midis 7 dhe 8 prillit, Irani dhe SHBA arritën një armëpushim dyjavor, por bombardimet izraelite në Liban kanë vijuar, duke e mbajtur situatën të brishtë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan sot se gjashtë anije tregtare janë detyruar të ndryshojnë drejtim dhe të kthehen në porte iraniane në Gjirin e Omanit.
Sipas Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane, në 24 orët e fundit asnjë anije nuk ka arritur të kalojë bllokadën ndaj Iran.
Operacioni amerikan përfshin mbi 10 mijë trupa, përfshirë marinarë, trupa detare dhe forca ajrore, si dhe rreth 10 anije luftarake dhe dhjetëra avionë.
Autoritetet theksojnë se bllokada zbatohet për të gjitha anijet, pa dallim, ndërsa lundrimi mbetet i lirë vetëm për ato që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit drejt porteve jo iraniane.

Donald Trump deklaron se bisedimet për Iran mund të rifillojnë shumë shpejt, madje brenda dy ditësh, në Pakistan.
Në një intervistë për New York Post, ai u shpreh se zhvillimet mund të jenë të menjëhershme. “Duhet të qëndroni aty, sepse diçka mund të ndodhë në dy ditët e ardhshme”, tha Trump.
Ai vlerësoi rolin e shefit të ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, duke e cilësuar si “fantastik” në menaxhimin e bisedimeve.
Sipas Trump, gjasat janë që negociatat të rikthehen shumë shpejt.

Kina ka reaguar ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, duke e cilësuar si një veprim “të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm”.
Deklarata erdhi nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, i cili theksoi se ky hap rrezikon të përshkallëzojë situatën.
Sipas tij, edhe pse armëpushimi i përkohshëm është ende në fuqi, SHBA ka rritur praninë ushtarake dhe ka ndërmarrë masa që vetëm sa shtojnë tensionet.
“Ky veprim dobëson armëpushimin tashmë të brishtë dhe rrezikon kalimin e sigurt në Ngushticën e Hormuzit”, shkroi ai.
Pekini paralajmëron se situata mund të përkeqësohet më tej nëse vazhdohet në këtë linjë.

Mbretëria e Bashkuar, së bashku me 16 vende të tjera, u kanë bërë thirrje Israelit dhe Libanit të shfrytëzojnë mundësinë për një marrëveshje paqeje.
Deklarata është firmosur nga Australia, Belgjika, Kroacia, Qipro, Danimarka, Finlanda, Franca, Greqia, Islanda, Luksemburgu, Malta, Norvegjia, Portugalia, Sllovenia, Spanja dhe Suedia.
Apeli kërkon që armëpushimi mes Iran dhe United States të zgjerohet urgjentisht edhe në Liban, pasi vazhdimi i luftës rrezikon përshkallëzim në rajon.
Në deklaratë përshëndetet iniciativa e presidentit libanez për negociata direkte me Izraelin, me ndërmjetësim amerikan.
Firmëtarët dënojnë si sulmet e Hezbollahut ndaj Izraelit, ashtu edhe sulmet izraelite në Liban, duke kërkuar mbrojtjen e civilëve dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare.
Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, bëri thirrje për një zgjidhje ndaj situatës me Iran, duke theksuar se kjo është në interesin e të gjithëve.
Ajo paralajmëroi se skenari më i keq mbetet lufta, sidomos nëse mbyllet Ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë globale.
Lagarde shmangu akuzat direkte për United States, duke thënë se nuk është roli i saj të tregojë fajtorë.
“Shpresoj që palët të ulen në tryezë dhe të gjejnë zgjidhje, sepse kjo i shërben ekonomisë globale”, u shpreh ajo.

Kreu i Mossad, David Barnea, hodhi sot një deklaratë të fortë ndaj Iranit, duke thënë se operacionet do të vazhdojnë derisa regjimi të zëvendësohet.
Gjatë një ceremonie për Yom HaShoah, ai tha se Israel nuk do të qëndrojë pasiv përballë kërcënimeve.
Sipas tij, Mossad ka operuar në Tehran dhe ka ndihmuar në goditjen e raketave që rrezikonin vendin.
Barnea theksoi se fushata nuk ka përfunduar dhe do të vijojë edhe pas sulmeve të fundit, me objektiv të qartë: ndryshimin e regjimit në Iran.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka pezulluar marrëveshjen e mbrojtjes me Izraelin. Njoftimin Meloni e bëri teksa mbërriti në Panairin e Verës.
"Në dritën e situatës aktuale, qeveria ka vendosur të pezullojë rinovimin automatik të marrëveshjes së mbrojtjes me Izraelin", ka njoftuar Meloni.
Kjo marrëveshje synonte të nxiste tregtinë me Izraelin, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes, dhe të lehtësonte kërkimin dhe zhvillimin ushtarak. Fillimisht e miratuar në vitin 2005, ajo rinovohej automatikisht çdo pesë vjet. Pezullimi është një sinjal politik kundër sulmeve dhe bastisjeve të kryera nga ushtria izraelite në Liban, veprime që tashmë janë dënuar nga Italia dhe qeveritë evropiane.
Pezullimi i memorandumit me Izraelin u formalizua në një letër të dërguar nga ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto homologut të tij në Jerusalem, Israel Katz. Zëvendëskryeministri Matteo Salvini tha se ishte dakord me pezullimin, por, kur u pyet konkretisht, u përgjigj: "Nuk i di arsyet". Sipas qeverisë izraelite, vendimi i Romës nuk do të ketë efekt praktik. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme thjesht deklaroi se "ne nuk kemi një marrëveshje sigurie me Italinë, por vetëm një memorandum që nuk ka pasur kurrë përmbajtje konkrete".

Foto: Ndërtesa të shkatërruara në Liban
Ministri i Jashtëm i Izraelit deklaroi se vendi i tij aspiron të "normalizojë" marrëdhëniet me Libanin, disa orë para fillimit të planifikuar të bisedimeve të paqes midis zyrtarëve izraelitë dhe libanezë në Uashington.
"Ne duam të arrijmë paqe dhe normalizim me shtetin libanez... Nuk ka mosmarrëveshje të mëdha midis Izraelit dhe Libanit. Problemi është Hezbollahu", deklaroi Gideon Saar në një konferencë për shtyp.

Presidenti Xi Jinping ka paraqitur katër propozime për të mbrojtur dhe promovuar paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme. Zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning zbuloi në rrjete sociale se katër pikat janë:
1 - Ruajtja e angazhimit ndaj parimit të bashkëjetesës paqësore. Shtetet e Gjirit në Lindjen e Mesme janë fqinjë të ngushtë që nuk mund të zhvendosen. Është e rëndësishme të mbështeten shtetet e Gjirit në përmirësimin e marrëdhënieve të tyre, të punojnë për të ndërtuar një arkitekturë të përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme sigurie për Lindjen e Mesme dhe rajonin e Gjirit, dhe të konsolidojnë themelet për bashkëjetesë paqësore.
2 - Ruajtja e angazhimit ndaj parimit të sovranitetit kombëtar. Sovraniteti është baza për mbijetesën dhe zhvillimin e të gjitha vendeve, veçanërisht vendeve në zhvillim, dhe nuk duhet të shkelet. Sovraniteti, siguria dhe integriteti territorial i Shteteve të Gjirit duhet të respektohen seriozisht, dhe siguria e personelit, objekteve dhe institucioneve të tyre duhet të mbrohet fuqishëm.
3 - Ruajtja e angazhimit ndaj parimit të sundimit ndërkombëtar të ligjit. Është e rëndësishme të mbështetet fort sistemi ndërkombëtar me OKB-në në qendër të tij, rendi ndërkombëtar i bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe normat themelore që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, të bazuara në qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.
4 - Të ruhet angazhimi për një qasje të ekuilibruar ndaj zhvillimit dhe sigurisë. Siguria është një parakusht për zhvillimin dhe zhvillimi shërben si garanci e sigurisë. Të gjitha palët duhet të punojnë për të krijuar një mjedis të favorshëm dhe për të sjellë energji pozitive në zhvillimin e Shteteve të Gjirit. Kina është e gatshme të ndajë me vendet e Gjirit mundësitë që rrjedhin nga modernizimi i Kinës dhe të punojë me to për të kultivuar terren pjellor për zhvillimin dhe sigurinë rajonale.
Foto: Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani
Rrugët detare nuk mund të përdoren "as si mjet negocimi dhe as si taktikë presioni", tha Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, gjatë një telefonate me Ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
Kryeministri i Katarit theksoi nevojën për të siguruar sigurinë dhe lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Gjatë telefonatës, ata diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit në lidhje me armëpushimin në Iran. Kryeministri i Katarit shprehu nevojën që të gjitha palët t'u përgjigjen pozitivisht përpjekjeve të vazhdueshme të ndërmjetësimit për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.
Irani ka propozuar pezullimin e pasurimit të uraniumit për një periudhë deri në pesë vjet, një ofertë që është refuzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kërkojnë një afat shumë më të gjatë, deri në 20 vjet.
Lajmi është raportuar nga The New York Times, duke cituar zyrtarë të lartë nga të dyja vendet.
Sipas raportit, SHBA-të dhe Irani kanë shkëmbyer disa propozime gjatë bisedimeve të zhvilluara në Pakistan lidhur me pezullimin e aktivitetit bërthamor të Teheranit, por palët kanë mbetur ende larg arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare.
Megjithatë, diskutimet tregojnë se ekziston ende një mundësi për progres diplomatik, me një raund të dytë të mundshëm bisedimesh ballë për ballë që mund të zhvillohet në të ardhmen e afërt.
Programi bërthamor i Iranit mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka theksuar sërish se Uashingtoni do të sigurohet që Irani të mos zhvillojë armë bërthamore.

Foto:Xi Jinping
Presidenti kinez Xi Jinping i paraqiti një propozim me katër pika që synon promovimin e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Princit të Kurorës së Abu Dhabit gjatë një takimi në Pekin.
Propozimi përfshin respektimin e parimit të bashkëjetesës paqësore, respektimin e parimit të sovranitetit kombëtar, respektimin e parimit të sundimit ndërkombëtar të ligjit dhe respektimin e koordinimit midis zhvillimit dhe sigurisë.

Foto: JD Vance
Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance akuzon Iranin për terrorizëm ekonomik për shkak të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit, duke shtuar se bllokada amerikane do sigurojë që asnjë anije iraniane të mos dalë.
"E vetmja gjë që iranianët arritën të bënin - ata sigurisht që nuk na mposhtën ushtarakisht dhe forcat e tyre të armatosura u shkatërruan - ishte të dështonin të mbizotëronin në aspektin e armëve ushtarake. Ajo që bënë, në vend të kësaj, ishte të kryenin këtë akt terrorizmi ekonomik kundër të gjithë botës", tha Vance gjatë një interviste.
Zëvendëspresidenti pranoi se çmimet e energjisë, "të dhimbshme" në kontekstin e luftës në Iran, nuk do të zgjasin përgjithmonë.
"Ne e dimë që populli amerikan po vuan; kjo është arsyeja pse po negociojmë kaq shumë për të ulur çmimet. Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt këtij qëllimi", shtoi ai.

Foto: Donald Trump
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Uashingtoni mund të "kalojë nëpër Kubë" sapo të mbarojë konflikti me Iranin, pa sqaruar nëse kjo ishte një referencë për veprime ushtarake kundër ishullit.
Duke folur për shtypin, Trump e quajti Kubën një vend "në telashe", duke kritikuar sundimin e gjatë nën Fidel Castron dhe duke pretenduar se kubano-amerikanët janë "trajtuar shumë keq".
Presidenti kubanez Miguel Díaz-Canel u përgjigj duke paralajmëruar kundër çdo përballjeje të drejtpërdrejtë, duke deklaruar se nuk do të kishte "asnjë justifikim" për një sulm të SHBA-së dhe se vendi është gati të mbrohet.
Komente











Po u fut Kina do ta “thajë” naften aty ! Pra kontroll madheshtor i burimeve
PërgjigjuNuk esht Irani qe ushtron terorizmin ekonomik por jeni Ju qe e beni kete si ndodhi me Venezuellen tani me ngushticen e Hormuzit ju e ritni cmimin e energjis jo Irani pse ju nuk dini cka eshte dipllomacia ju e dini vetem gjuhen e armeve dhe mos fajtoni te tjeret kur vet jeni fajtore e mjera bota qe kan lidhje me ju.
Përgjigju