Shqipëria po preket nga Lufta në Lindje. Pasojat ekonomike kanë nisur të reflektohen menjëherë në tregun e hidrokarbureve. Këtë të mërkurë në disa pika karburantesh në Tiranë çmimi ka arritur në 179 lekë litri, nga 173-175 lekë/ litri një ditë më parë. 

Shtrenjtimi i karburantit menjëherë vjen pas rreth 1 viti të pandryshuar, edhe pse në fakt duhet të ishte ulur, pasi dollari monedha me të cilën importohet nafta është zhvlerësuar me gati 12.48 lekë brenda vitit. Nga 95 lekë një dollarë vjet, këtë mars ka zbritur në 82.5 lekë.

Deputeti socialist Erion Braçe një ditë më parë ka propozuar në grupin të PS të riaktivizohet bordi i hidrokarbureve që u përdor gjatë kohës së luftës në Ukrainë.

“Nëse do jetë profesional dhe me fokus interesin publik, mund të jetë një nga kundërmasat ndaj abuzimit”, thekson Braçe.

Por shtrenjtimi i karburantit është vetëm fillimi i një zinxhiri që rrezikohen të shtrihet dhe në produkte e shërbime të tjera, për shkak të rritjes së kostove të transportit. Njëjtë siç ndodhi edhe në vitin 2022, kur nisi lufta në Ukrainë.

Një ditë më parë Konfindustria i bëri thirrje qeverisë që të marrë masa për të mbajtur nën kontroll tregun e karburanteve. Në reagim theksohej se duhet të garantohet rezerva strategjike 3 mujore. Aktualisht në bursë, çmimi i naftës bruto për fuçi luhatet në 82-83 dollarë.

Shqipëria është vend importues i naftës dhe gazit që konsumon, dhe vetëm gjatë vitit të kaluar konsumi i karburantit në vendin tonë arriti në 761 mijë tonë, nga 683 mijë tonë në vitin 2024.