Sulmuesi i kombëtares shqiptare të futbollit, Jasir Asani, është larguar së fundmi nga Irani për shkak të situatës së tensionuar dhe bombardimeve në Lindjen e Mesme. Futbollisti ka ndërprerë përkohësisht aktivitetin me klubin e tij, Esteghlal FC, pasi kampionati iranian është pezulluar.

Në një intervistë për emisionin “Në Shtëpinë e Futbollit”, Asani bëri të ditur se do të udhëtojë drejt Tiranës, ku do të stërvitet përkohësisht me Partizanin. Ky vendim vjen me synimin për të ruajtur formën fizike dhe për të qenë gati për grumbullimin e marsit me Kombëtaren.

Sulmuesi theksoi se atmosfera është shumë pozitive në prag të përballjes së rëndësishme në play-off-in e Kupës së Botës 2026 kundër Polonisë.

“Gjatë këtyre ditëve jam stërvitur këtu në Maqedoninë e Veriut. Do të rikthehem në Tiranë dhe do të stërvitem me Partizanin. Atmosfera para Polonisë është shumë pozitive. Ne mezi po presim. E dimë se stadiumi do të jetë plot dhe do të na ndjekin shqiptarët nga e gjithë bota. Kemi shanse për t’ia dalë”, deklaroi Asani.

Kujtojmë se 30-vjeçari ka qenë më parë pjesë e Partizanit, ku spikati me paraqitjet e tij, përpara se të vazhdonte karrierën jashtë vendit.