Zgjedhjet e 6 marsit, fushata nis më 19 shkurt! 'Lufta' në PD shkon në KQZ, Celibashi i 'mbyll derën' Berishës, pranon përfaqësuesit ligjorë të Bashës

Përplasja në Partinë Demokratike, ashtu siç pritej, është transferuar edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i cili është duke zhvilluar sot mbledhjen e parë përgatitore për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit. Ivi Kaso, i cili më parë ka qenë përfaqësues i PD në KQZ por është shkarkuar pasi ka është me krahun e Berishës, ka kundërshtuar përfaqësinë e PD-së në komision pasi sipas tij i ka dërguar Lulzim Basha që nuk është më kryetar. Sipas tij vula e Partisë Demokratike ka ndryshuar që më 11 dhjetor. 

"Besoj që momenti procedural kur do të duhet të verifikohet kjo gjë nga ana e KQZ ka për të qenë regjistrimi i subjekteve zgjedhore në garë", tha Kaso.

Përgjigja e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Celibashi, ishte e menjëhershme.

"Në pikëpamje të ligjit raporti i një partie politike me KQZ-në është një raport i vazhdueshëm, edhe në atë jo zgjedhore. Me gjithë keqardhjen që kam në lidhje me këtë situatë, duhet të pranojmë që jemi në marrëdhënie institucionale. Ai që është përfaqësues ligjor i saj ka konsideruar se cilët do të jenë përfaqësuesit e saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Opinionet dhe mendimet e PD-së nnë lidhje me aktet janë ato që do të prezantojnë nga Indrit Sefa dhe Marash Logu", tha Celibashi.

Ndërkohë që që më vonë është mbledhur në KQZ, Komisioni Rregullator i cili pas disa debateve ka miratuar datën 19 shkurt si ditën kur nis fushata për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Pra, kandidatët do të kenë vetëm 14 ditë kohë për fushatën e tyre.

Të gjitha afatet e miratuara për zgjedhjet e pjesshme në bashkitë Dibër, Durrës, Shkodër, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje: 

Komisioni Rregullator në mbledhjen e sotme shqyrtoi dhe miratoi projektvendimin “Për miratimin e disa afateve proceduriale që lidhën me zgjedhjet e pjesshme për kryetar në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje, që do të zhvillohen në datën 6 mars 20222”.  Afatet proceduriale të miratuara nga Rregullatori janë si më poshtë vijon:

Bashkitë në të cilat do të kryhen zgjedhjet e pjesshme dhe institucionet e tyre të varësisë janë të detyruara të raportojnë në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 31 Janar 2022 deri më datë 06 Mars 2022. Të njejtin detyrim kanë edhe institucionet publike qendrore, organet e tyre të varësisë dhe degët e tyre vendore, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore, për veprimtari me karakter publik, që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 31 Janar 2022 deri më datë 06 Mars 2022, në territorin e bashkive në të cilat do të kryhen zgjedhjet e pjesshme ose për to.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje fillon në datën 19 Shkurt 2022.

Zyrat e gjendjes civile, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, hartojnë listat e zgjedhësve jo më vonë se data 25 Janar 2022. Brenda 48 orëve nga përfundimi i përditësimit, kryetarët e njësive të qeverisjes vendore miratojnë dhe shpallin listat e zgjedhësve, në përputhje me nenin 48 të Kodit Zgjedhor.

Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë/sekretar në KZAZ nr. 2, KZAZ nr. 3, KZAZ nr. 4, KZAZ nr. 5, të bashkisë Shkodër, Qarku Shkodër; KZAZ nr. 19, të bashkisë Dibër, Qarku Dibër; KZAZ nr. 21, KZAZ nr. 22, KZAZ nr. 23, KZAZ nr. 24, të bashkisë Durrës, Qarku Durrës; KZAZ nr. 26, të bashkisë Vorë, Qarku Tiranë; në KZAZ nr. 43 të bashkisë Rrogozhinë, Qarku Tiranë; dhe në KZAZ nr. 54 dhe KZAZ nr. 55 të bashkisë Lushnje, Qarku Fier, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie, duhet të sjellin propozimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, jo më vonë se data 25 Janar 2022. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton përbërjen e KZAZ- ve jo më vonë se data 27 Janar 2022.

Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në KQV, duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ-të përkatëse jo më vonë së data 11 Shkurt 2022. KZAZ-të marrin vendim për emërimin e anëtarëve të KQV-ve, jo më vonë se data 14 Shkurt 2022.

Partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin anëtarë në GNV duhet t’i depozitojnë ato në KZAZ jo më vonë së data 22 Shkurt 2022. KZAZ-ja, merr vendim për emërimin e anëtarëve të GNV-ve, brenda 48 orëve nga data e dorëzimit të propozimeve.

Partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje, dhe Komitetet Nismëtare për bashkitë Shkodër, Durrës dhe Lushnje, nga data 28 Janar deri në datën 31 Janar 2022. KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 orëve nga dorëzimi. Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 orëve nga kthimi për plotësim. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.

Komitetet Nismëtare duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në bashkitë Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë në KZAZ-në përkatëse, nga data 28 Janar deri në datën 31 Janar 2022. KZAZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 orëve nga dorëzimi. Komitetet Nismëtare paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 orëve nga kthimi për plotësim. KZAZ miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.

Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në bashkitë Shkodër, Vorë, Durrës, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnje, në KQZ brenda 24 orëve nga miratimi i të gjitha kërkesave për regjistrimin e partive politike dhe komiteteve nismëtare. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesën për regjistrim si koalicion brenda 24 orëve.

Dokumentet e kandidimit paraqiten në KQZ për bashkitë Shkodër, Durrës dhe Lushnje, si dhe në KZAZ për bashkitë Vorë, Dibër dhe Rrogozhinë, nga data 6 deri në datën 9 Shkurt 2022. KQZ/ KZAZ bën verifikimin e tyre jo më vonë se 24 orë nga paraqitja dhe në rast se vëren parregullsi, i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se 24 orë. KQZ-ja/ KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 24 orë nga riparaqitja e tyre.

Paraqitja e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve shqiptarë bëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve jo më vonë se data 18 Shkurt 2022 dhe për vëzhguesit e huaj bëhet jo më vonë se data 2 Mars 2022. Akreditimi i vëzhguesve bëhet nga KQZ-ja jo më vonë se data 3 Mars 2022.

Paraqitja e kërkesave për akreditim nga ana e subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhje bëhet në KZAZ jo më vonë se data 1 Mars 2022. Akreditimi i vëzhguesve bëhet jo më vonë se data 2 Mars 2022.

Kryetarët e bashkive paraqesin në KQZ listën e plotë të objekteve të qendrave të votimit që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj, jo më vonë se data 27 Janar 2022.

Prefektët e Qarqeve Shkodër, Tiranë, Durrës, Dibër dhe Fier i paraqesin KQZ-së listën e plotë të objekteve brenda territorit të Qarkut që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj për Vendin e Numërimit të Votave, jo më vonë se data 27 Janar 2022.

Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 3 ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfshirë edhe datën e zgjedhjeve deri në orën e mbylljes së votimit.

Kryetarët e bashkive në detyrë të përcaktojnë vendet publike në territorin e bashkisë përkatëse për afishimin nga subjektet zgjedhore të materialeve propagandistike jo më vonë se data 10 Shkurt 2022.

Gjithashtu, Komisioni Rregullator miratoi një ndryshim në në regulloren për mënyrën e funksionit dhe zhvillimit të seancave të KAS. Ndryshimi konsistonte në përcaktimin e afatit të ankimimit në KAS, ku për zgjedhjet e parakohshme dhe/ose të pjesshme afati i ankimimit 3 (ditë), bëhet 24 orë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:24
Komisioni Rregullator vendos, fushata elektorale për zgjedhjet në 6 bashki nis më 19 shkurt

 

Fushata elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashkitë vendit që do të mbahen më 6 mars do të nisë më 19 shkurt, vendim i cili miraton kështu propozimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.

Vendimin e ka marrë para pak minuta Komisioni Rregullator në KQZ, edhe pse fillimisht përfaqësuesi i Partisë Demokratike Indrit Sefa kërkoi një datë më të hershme.

"Data 7 do të ishte shumë e mirë për kandidatët që të kishin kohë", tha ai.

Por anëtarë e Komisionit Rregullator u shprehën se për shkak të afateve të vendosura kjo do të ishte e pamundur pasi kandidatët minimalisht nuk mund të regjistrohen nga KQZ para datës 12 shkurt.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'