Lufta në Rripin e Gazës, Biden i vendosur përballë sfidave të vështira

Lufta në Rripin e Gazës, Biden i vendosur përballë sfidave të vështira

Joe Biden

Para se të fillonte lufta Izrael-Hamas, objektivat e Presidentit Joe Biden për politikën e jashtme në Lindjen e Mesme ishin integrimi i mëtejshëm i Izraelit me fqinjët e tij arabë dhe frenimi i përpjekjeve të Iranit për të prodhuar armë bërthamore. Këto synime tani mund të jenë në rrezik ndërsa ai përqendrohet në përpjekjet për të frenuar përhapjen e konfliktit Izrael-Hamas në vende të tjera të rajonit, që mbështeten nga Irani, si Libani, Jemeni dhe Siria.

Presidenti Biden ka biseduar nëntë herë me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që nga fillimi i konfliktit, tha një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane gjatë një konference me gazetarët. Zyrtari amerikan tha se Presidenti Biden ka biseduar edhe me udhëheqësit e Egjiptit, Jordanisë dhe Arabisë Saudite, ndërsa këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan është angazhuar “pothuaj çdo ditë” me partnerët e Shteteve të Bashkuara në rajon.

Ndërsa kryeqytetet e vendeve arabe janë përfshirë nga protesta kundër Izraelit, zyrtarët amerikanë besojnë se furnizimi i civilëve palestinezë në Rripin e Gazës me ndihma humanitare është një faktor kyç në përpjekjet për të frenuar përhapjen e luftës.

Të premten dhe të shtunën, Sekretari i Shtetit Antony Blinken ndodhej në rajon për herë të dytë në më pak se një muaj për të arritur një marrëveshje për ndërprerje të përkohshme të luftimeve për t’i hapur rrugë dërgimit të ndihmave humanitare dhe evakuimin e civilëve në Rripin e Gazës.

“Ne duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur civilët palestinez”, tha Sekretari Blinken në Tel Aviv.

Megjithatë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai ka urdhëruar mijëra punëtorë palestinezë, që punojnë në Izrael, të kthehen në Rripin e Gazës. Ai gjithashtu tha se Izraeli nuk do të lejojë dërgimin e karburantit në Rripin e Gazës dhe nuk do të pranojë një ndërprerje të përkohshme të luftimeve pa lirimin e pengjeve. Më shumë se 200 vetë u rrëmbyen nga Hamasi gjatë sulmit të militantëve të këtij grupi më 7 tetor në Izrael dhe të paktën 1400 njerëz të tjerë u vranë.

Sekretari amerikan i Shtetit kundërshtoi kërkesën e vendeve arabe për një armëpushim të plotë mes Izraelit dhe Hamasit duke përsëritur qëndrimin se kjo do të ndihmonte vetëm grupin militant palestinez që Uashingtoni e konsideron organizatë terroriste. Zoti Blinken u përball me presionin e homologëve të tij arabë në Jordani, të cilët këmbëngulin për një armëpushim në Rripin e Gazës, ku sipas minisitrsë së shëndetësisë, e cila drejtohet nga Hamasi, më shumë se 9000 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite./Voa

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën