Forcat e Kievit shkëmbyen zjarr me trupat e Koresë së Veriut në rajonin Kursk të Rusisë, pranë kufirit me Ukrainën.
Lajmin e ka bërë të ditur Kreu i Qendrës për Luftimin e Dezinformimit në Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kiev, Andriy Kovalenko në Telegram.
Po ashtu raportohet se të paktën 13 persona u plagosën, mes tyre katër oficerë policie si pasojë e sulmeve ruse gjatë orëve të natës në Kharkiv .
Ukraina njoftoi gjithashtu se mbrojtja ajrore e saj rrëzoi 50 dronë rusë të projektuar nga Irani në nëntë rajone të vendit dhe se një raketë ruse goditi rajonin lindor të Dnipropetrovsk.
Ndërkohë agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes të Moskës, raportoi sulme të kryera në disa aeroporte ushtarake në Ukrainë dhe në objektet e sektorit të energjisë, duke përfshirë një rafineri nafte që furnizon forcat e armatosura ukrainase.
Sipas të njëjtit burim, katër raketa Himars dhe 42 dronë ukrainas janë rrëzuar nga forcat ruse në zonën e operacioneve speciale ushtarake në 24 orët e fundit.