Pavarësisht paralajmërimeve të Moskës për katastrofë globale nëse dërgohen armë në Ukrainë, Gjermania ka autorizuar sot Poloninë të dërgojë tanket ‘Leopard’ në Kiev. Prej ditësh, ky ka qenë një ndër diskutimet më të nxehta në arenën ndërkombëtare për shkak të së kaluarës së në Luftën e Dytë Botërore të Gjermanisë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock ku tha se Gjermania nuk do  pengonte nëse Polonia vendos të dërgojë tanket e saj Leopard 2 në Ukrainë.

“Ne e dimë se sa të rëndësishme janë këto tanke dhe kjo është arsyeja pse ne po e diskutojmë këtë tani me partnerët tanë”, shtoi ministrja e Jashtme gjerman. “Ne duhet të sigurohemi që jetët e njerëzve të shpëtohen dhe territori i Ukrainës të çlirohet”.

Më herët, në një takim të përbashkët, Presidenti francez Macron dhe Kancelari gjerman, Scholz janë shprehur njëzëri pro mbështetjes ndaj Ukrainës. Gjatë konferencës së tyre të përbashkët, Macron siguroi se ka mundësi të dërgimit të tankeve ‘Lecler’ në Ukrainë.

Ai tha se dërgimi i tankeve nuk duhet të përshkallëzojë situatën dhe duhet të marrë parasysh kohën për të trajnuar efektivisht ukrainasit, duke mos rrezikuar sigurinë e vetë Francës.

“Për sa i përket Leklercëve, i kam kërkuar ministrit të ushtrisë që të punojë, por asgjë nuk është përjashtuar”, tha ai.

Ndërkohë, Scholz tha se të gjitha vendimet e ardhshme për dërgesat e armëve do të merren në koordinim me aleatët, përfshirë Shtetet e Bashkuara.  Kur u përball me presionin në rritje ndaj vendit për të ofruar tanke për Ukrainën, Scholz tha se të gjitha dërgesat e armëve në Ukrainë deri më tani janë bërë në koordinim të ngushtë me partnerët perëndimorë.

Por teksa pritej kjo "dritë jeshile" nga Gjermania, në ditën e 333 të luftës, kryetari i Dumës ruse Viacheslav Volodin ngjalli një hakmarrje të ashpër nga Moska për mbështetjen ushtarake perëndimore ndaj Ukrainës, veçanërisht nëse ajo do të materializohej me dërgimin e këtyre tankeve.

"Nëse Uashingtoni dhe vendet e NATO-s dërgojnë armë për t'u përdorur për të sulmuar qytetet paqësore ose për të tentuar të pushtojnë tokat tona, një kërcënim që është bërë, kjo do të provokonte një reagim me përdorimin e armëve edhe më të fuqishme," tha ai.  

Një "presion" i madh ka qenë edhe nga ana e Ukrainës, ku këshilltari i Zelenskyt është shprehur se pavendosmëria e Berlinit, po bëhet shkaku i shumë vdekjeve në Ukrainë. 

"Pavendosmëria po vret gjithnjë e më shumë njerëz," shkruan Podolyak, këshilltar i Presidentit Zelensky. 

Çfarë janë tanket 'Leopard'?

I konsideruar si një tank kryesor beteje në të njëjtën mënyrë si Challenger 2 dhe i prezantuar për herë të parë në vitin 1979, ai ofron mbrojtje të mirë kundër armëve të blinduara dhe armëve të drejtuara kundër tankeve.

Është raportuar se Leopard 2 është vlerësuar të jetë në gjendje të depërtojë në armaturën ballore të tankut T-72 të prodhimit sovjetik nga 2,000 metra larg dhe atë të T-62 nga më shumë se 4,000 metra. Të dyja këto janë në përdorim nga ushtria ruse në Ukrainë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:48
Tanket ‘Leopard’ do dërgohen në Kiev, Gjermania autorizon Poloninë për dërgesën

1674420529_Leopard2Tank1.jpg

Gjermania është e gatshme të autorizojë Poloninë të dërgojë tanke Leopard në Ukrainë. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Ora 16:59
Vizitoi sot papritur Ukrainën, Kievi vlerëson vizitën e Boris Johnson: Miqtë janë më të vlefshëm se tanket

1674403226_johnson.JPG

Ish kryeministri britanik Boris Johnson ka vizituar sot sërish Ukrainën, po kësaj radhe krejtësisht pa plan. Ai u takua me Presidentin Volodymyr Zelenskyy ndërsa u pa gjithashtu duke vizituar Borodianka, Bucha dhe periferitë e tjera të Kievit.

Qeveria e Ukrainës ka lavdëruar ish-kryeministrin në vazhdën e vizitës së tij, duke thënë se tashmë Johnson është një mik i mirë i Ukrainës dhe vlen më shumë se tanket apo ndihmat e tjera.

" Miqtë si këta vlejnë më shumë se një skuadrilje tankesh. Jemi të lumtur të mirëpresim Boris Johnson në Ukrainë. Një person që ka qenë me popullin ukrainas që nga dita e parë.”

Ora 16:40
Ukrainë/ Përvetësoi fondet për rindërtimin e vendeve të dëmtuar gjatë luftimeve, arrestohet zv ministri ukrainas


Një zëvendësministër i qeverisë ukrainase, Vasyl Lozynskyy, u arrestua dhe u shkarkua pas një hetimi për përvetësimin e fondeve publike që duhej të ishin përdorur për të rindërtuar infrastrukturën e vendit që u dëmtua gjatë luftës.

Një hetim nga Departamenti Kombëtar Kundër Korrupsionit të Ukrainës (NABU) tregon se fondet publike që ishin lënë mënjanë për të përballuar dimrin janë përdorur për të përfituar një kompani gjatë blerjes së gjeneratorëve, ku qeveria dyshohet se marrin rreth 368 mijë euro për të favorizuar kompaninë.

Ministria e Infrastrukturës së Ukrainës ka konfirmuar tashmë arrestimin e Vasyl Lozynskyy përmes faqes së saj në Facebook, duke iu referuar se ka pasur një “arrest për përvetësim me fonde”.

Ora 16:17
Nuk pranon të furnizojë Ukrainën me tanke ‘Leopard’, Polonia kritikon Gjermaninë: Qëndrim i papranueshëm

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki kritikoi vendimin e Gjermanisë për të mos furnizuar Ukrainën me tanke Leopard, duke thënë se ky qëndrim i Berlinit është “i papranueshëm”. Berlini është treguar hezitues për të dërguar tanke të rënda apo për të lejuar shtetet e tjera që të transferojnë tanke të tilla në Ukrainë.

“Qëndrimi i Gjermanisë është i papranueshëm. Ka kaluar pothuajse një vit që nga fillimi i luftës. Njerëz të pafajshëm po vdesin çdo ditë”, tha kryeministri polak, Mateusz Morawiecki për agjencinë PAP.

“Bombat ruse po shkatërrojnë qytetet ukrainase. Po goditen caqet civile, gratë dhe fëmijët po vriten”, shtoi ai.

Të premten, afër 50 shtete u pajtuan që t’i japin Kievit ndihmë ushtarake në vlerë prej qindra miliarda dollarësh, përfshirë edhe autoblinda dhe municione të nevojshme për të zmbrapsur forcat ruse. Por, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se pavarësisht pritjeve të mëdha, “ne ende nuk mund të themi se kur do të merret vendimi dhe se çfarë vendimi do të jetë sa i përket tankeve Leopard”.

Gjermania prodhon tanket Leopard dhe kryeministri i Polonisë po ashtu tha se po pret “një qëndrim të qartë” nga Berlini nëse shtetet që kanë tanke Leopard mund t’ia japin ato Kievit. Polonia po ashtu ka njoftuar se është e gatshme të dërgojë në Ukrainë 14 tanke Leopard dhe për këtë çështje tha se po diskuton edhe me 15 shtete të tjera.

Nëse Berlini refuzon që ta furnizojë Ukrainën me tanke, “ne do të ngremë një ‘koalicion të vogël’ të shteteve që janë të gatshme të dhurojnë disa prej pajisjeve të tyre moderne, tankeve të tyre moderne”, tha Morawiecki. Përmes një deklarate të përbashkët, të shtunën ministrat e Jashtëm të tri shteteve të Baltikut i bën thirrje Gjermanisë “t’i japë tani tanke Leopard Ukrainës”./REL

Ora 13:16
Macron dhe Scholz: Do të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme

Franca dhe Gjermania do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën kundër pushtimit rus për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Këtë e siguruan presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz, gjatë vizitës së kancelarit gjerman në Paris.

"Së bashku, si evropianë, të mbrojmë projektin tonë evropian të paqes", shtoi Scholz, gjatë një ceremonie në Sorbonë me rastin e 60-vjetorit të traktatit të pajtimit midis Gjermanisë dhe Francës.

Ora 11:09
Kreu i Dumës ruse paralajmëron perëndimin: Mos dërgoni armë të reja në Ukrainë! Mund të shkaktohet katastrofa globale

1674282729_Screenshot1.jpg

Vyacheslav Volodin, kryetari i Dumës, dhomës së ulët të parlamentti rus ka paralajmëruar sot perëndimin se dërgimi i armëve të reja në Ukrainë mund të shkaktojë një katastrofë globale.

"Duke pasur parasysh epërsinë teknologjike të armëve ruse, politikanët e huaj që marrin këtë lloj vendimi duhet të kuptojnë se kjo mund të çojë në një katastrofë globale që do të shkatërronte vendet e tyre", shpjegoi Volodin, duke shtuar se nëse Uashingtoni dhe vendet e NATO-s ofrojnë armë "kjo do të jetë përdoret për të sulmuar qytetet paqësore dhe për të marrë nën kontroll territoret tona".

Ai tha se kjo do të silltëe një hakmarrje të guqishme të Rusisë dhe u dërgoi një sinjal qeverive të Gjermanisë dhe Francës për të qenë më të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre para njerëzimit.