Në një studio ekstravagante televizive ku shpalosej harta e Rusisë dhe të gjitha territoret e Krimesë dhe ato të Ukrainës lindore, Presidenti Vladimir Putin mbajti konferencën vjetore për shtyp duke i premtuar popullit se “Moska po e fiton luftën” dhe botës se Rusia kërkon “zgjidhje paqësore të konfliktit.”

Putin tha “ishte Kievi që e nisi luftën në vitin 2022” por tani “armiku po tërhiqet në të gjitha drejtimet.” Sipas tij, epërsia strategjike ushtarake i takon Moskës pas ‘çlirimit’ të të gjithë rajonit të Kursk-ut.  Në fjalimin e tij maratonë të ndjekur me interes nga të gjitha mediat ndërkombëtare, Putin shprehu besimin se deri në fund të vitit “populli do të jetë dëshmitar i sukseseve të mëtejshme të ushtrisë ruse”.

Më tej, Putin kritikoi liderët e Bashkimit Evropian duke i quajtur ata ‘hajdutë’. Putin i cilësoi përpjekjet e BE-së për të përdorur asetet e ngrira të Moskës në ndihmë të Ukrainës, si një “vjedhje e hapur.” Ai paralajmëroi “pasoja serioze” ndaj përpjekjeve të BE-së për të financuar Ukrainën. “Pasojat do të jenë serioze për këta hajdutë,” u shpreh Putin.  

I pyetur nëse do të ketë paqe në vitin 2026, Putin nënvizoi se që të ketë paqe të qëndrueshme dhe të vazhdueshme, duhen hequr të gjitha arsyet kryesore që çuan në këtë konflikt. Ai fajësoi sërish NATO-n për premtime false dhe siguroi se zgjerimi i aleancës euroatlantike “ka qenë dhe mbetet” shqetësim për Rusinë. Sa i përket vonesave në bisedimet për paqe, Putin sërish fajësoi Ukrainën dhe ‘sponsorët e saj perëndimorë.’

“Topi është tërësisht në fushën e kundërshtarëve tanë perëndimorë, mbi të gjitha tek liderët e regjimit të Kievit dhe sponsorët e tyre evropianë. Ne jemi gati për negociata dhe zgjidhjen e konfliktit me mjete paqësore” tha Putin, duke sjellë në kujtesë refuzimin e Kievit për të përfshirë në bisedime çështjen e territoreve.

Një ditë më parë, Bashkimi Evropian njoftoi se do t’i japë Ukrainës një kredi pa interes në vlerë prej 90 miliardë eurosh për ta ndihmuar financimin e vendit të shkatërruar nga lufta. Vendimi u morr pasi BE-ja dështoi të arrijë një marrëveshje për një propozim që synonte përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të mbështetur nevojat ekonomike dhe ushtarake të Kievit në vitet në vijim.

Megjithatë, shqetësimet ligjore bënë që disa vende anëtare të bllokut të mos e pranonin këtë propozim. Në vend të saj, u arrit marrëveshja për kredinë, e cila bazohet në huamarrje në tregjet e kapitalit dhe mbështetet nga “rezerva buxhetore e BE-së”, term që rëndom përdoret për të përshkruar kapacitetin shtesë të huamarrjes.

Financimi për Ukrainën është shndërruar në një çështje madhore për bllokun prej 27 anëtarësh, teksa Shtetet e Bashkuara kanë kufizuar mbështetjen e tyre financiare dhe shtete si Hungaria po shtyjnë përpara idenë e reduktimit të financimit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mori pjesë në samit, duke u thënë udhëheqësve se propozimi për një kredi të mbështetur nga asetet e ngrira ruse, që aktualisht mbahen në BE, është i preferueshëm, por që në fund nuk ka rëndësi mënyra se si shfrytëzohen fondet, përderisa gjendet një zgjidhje.

“Nëse në pranverë Ukraina nuk e merr financimin përkatës – që në rast paqeje, do të përdorej për rindërtimin e vendit dhe në rast të vazhdimit të luftës në prioritete të tjera, para së gjithash në ndërtimin e dronëve – prodhimi i dronëve në Ukrainë do të ulet ndjeshëm”, u tha ai gazetarëve në samit.

Në ditën e 1394-të të luftës, dronët e Ukrainës goditën për herë të parë një anije çisternë të flotës ruse në Mesdhe duke shkaktuar shumë dëme.