Lufta/ Rezoluta e re e OKB-së kundër Moskës: I paguani dëmshpërblime Ukrainës! Zelensky nga Kherson: Fillimi i fundit të luftës

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi të hënën një rezolutë jodetyruese në favor të një mekanizmi për dëmshpërblimet nga Rusia për shkatërrimin njerëzor dhe material të shkaktuar nga pushtimi i saj në Ukrainë.

Nëntëdhjetë e katër vende votuan pro rezolutës, katërmbëdhjetë vende votuan kundër, përfshirë Rusinë, Kinën, Kubën, Malin dhe Etiopinë, ndërsa 73 abstenuan, kryesisht nga kontinenti afrikan, por edhe Brazili, Izraeli apo India.

Kjo rezolutë kërkon që Rusia të mbajë përgjegjësi për çdo shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara në Ukrainë, dhe që ajo të marrë përsipër pasojat ligjore të të gjitha akteve të saj të paligjshme në nivel ndërkombëtar, në veçanti duke riparuar dëmet " materiale dhe njerëzore.

Ajo gjithashtu i kërkon Moskës të bashkëpunojë me Ukrainën për të krijuar një regjistër ndërkombëtar dëmi për të renditur provat dhe informacionin në lidhje me kërkesat për kompensim" nga personat fizikë dhe juridikë dhe shteti ukrainas.

Ditën e sotme, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar vizitën e tij të parë në Kherson që kur qyteti jugor u rimarrë. Ai e cilësoi tërheqjen ruse si "fillimin e fundit të luftës", por gjithashtu pranoi çmimin e rëndë që ushtarët ukrainas po paguajnë në përpjekjet e tyre të mprehta për të zmbrapsur forcën pushtuese.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:36
 Ambasadori rus në OKB: Rezoluta kundër Rusisë është ligjërisht e pavlefshme


Vasily Nebenzya, përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara tha se rezoluta e votuar sot nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është ligjërisht e pavlefshme.

"Rezoluta e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së sipas së cilës Rusia është përgjegjëse për armiqësitë në Ukrainë dhe e cila parashikon kompensim nga Moska për dëmin e shkaktuar është "ligjërisht e pavlefshme", tha Nebenzya “Tass”.

Ora 22:34
Kievi: Rusët do të evakuojnë civilët nga tre qytete të Oblastit të Luganskut


Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës thotë se rusët po planifikojnë evakuimin e civilëve nga tre qytete të rajonit të Luganskut: Kremina, Severodonetsk dhe Rubizhne. 

“Okupatorët synojnë të evakuojnë të gjithë civilët nga Kreminna, Severodonetsk dhe Rubizhne më thellë në territorin e pushtuar përkohësisht për shkak të krizës humanitare në rajonin e Luganskut”, i cili është kryesisht nën kontrollin e Moskës, thuhet në deklaratën e Shtabit.

Ora 21:21
Kanë ndihmuar Rusinë në furnizimin me armë, SHBA sanksionon disa persona dhe organizata


Departamenti Amerikan i Thesarit ka publikuar ditën e sotme sanksione ndaj disa subjekte dhe individë të cilët janë të përfshirë në furnizimin e Rusisë me teknologji ushtarake, të cilat ajo i përdorë në luftën në Ukrainë.

Sipas njoftimit të “Thesarit” thuhet se këto sanksionet kanë në shënjestër një "rrjet transnacional që prokuron teknologjinë që mbështet kompleksin ushtarako-industrial rus".

Përveç kësaj, ai caktoi gjithashtu një rrjet global të lehtësuesve financiarë, mundësuesve dhe të tjerëve të lidhur me dy elita kyçe të lidhura me Kremlinin, pasuria e të cilëve është e ndërthurur me Perëndimin. Në total, nga veprimet u identifikuan 14 individë dhe 28 subjekte, si dhe identifikuan tetë avionë si pronë të bllokuar.

Janë sanksionuar 14 individë dhe 28 organizata apo subjekte, si dhe janë identifikuar tetë avionë si pronë e bllokuar.

Ora 19:16
Rusia i ndalon hyrjen 100 kanadezëve, përfshirë edhe aktorin Jim Carrey

Qeveria ruse ka njoftuar një ndalim për 100 shtetas kanadezë, duke përfshirë aktorin Jim Carrey , shkrimtaren Margaret Atwood dhe disa gazetarë, nga hyrja në territorin e saj në përgjigje të sanksioneve të Otavës që synonin gazetarët dhe aktorët rusët tetorin e kaluar. 

Ky është një vendim i marrë si përgjigje ndaj "sanksioneve të zbatuara nga regjimi i kryeministrit Justin Trudeau kundër politikanëve, parlamentarëve, gazetarëve dhe figurave kulturore ruse", shpjegoi Ministria e Jashtme e Moskës në një deklaratë. 

Mes të sanksionuarve është edhe komediani Jim Carrey, 60 vjeç, të cilin Moska e ka akuzuar për "përfshirje të drejtpërdrejtë në formimin e një politike agresive anti-ruse".

Ora 19:13
Asambleja e OKB-së voton një rezolutë të re kundër Rusisë: Moska të ndaloj përdorimin e forcës kundër Kievit

1667459992_Screenshot2.jpg

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi sot një rezolutë që kërkon që Rusia të mbajë përgjegjësi për shkeljet e saj të ligjit ndërkombëtar në Ukrainë. 

Drafti, i cili pritet të miratohet me një shumicë të madhe këtë pasdite, kërkon që 193 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara të krijojnë "një regjistër ndërkombëtar" për të dokumentuar pretendimet për dëmet, humbjet ose lëndimet e ukrainasve të shkaktuara nga Rusia. 

Në përgjithësi, ajo ripohon sovranitetin e Ukrainës dhe i bën thirrje edhe një herë Moskës të "ndalojë përdorimin e forcës kundër Kievit". Nëse merr dritën jeshile, do të jetë rezoluta e pestë e Asamblesë së Përgjithshme që dënon pushtimin rus të Ukrainës.

Ora 18:12
Drejtori i CIA-s do të takohet me homologun e tij rus në Turqi

Drejtori i CIA-s Bill Burns takohet në Ankara të Turqisë më homologun e tij rus Sergey Naryshkin, për të theksuar pasojat që do të kishte përdorimi nga Rusia i armëve bërthamore në Ukrainë.

Sipas një zyrtari të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë në takimin mes drejtorit te CIA-s dhe drejtorit të agjencisë së inteligjencës ruse SVR, nuk do të diskutohej mbi vendimet për luftën në Ukrainë. Drejtori i CIA-s pritet po ashtu të ngrejë çështjen e dy amerikanëve të burgosur në Rusi, yllit të basketbollit amerikan, Brittney Griner dhe kontraktorit civil Paul Whelan. Administrata e zotit Biden kishte propozuar më herët mundësinë e një shkëmbimi të të burgosurve mes Moskës dhe Uashingtonit. Sipas zyrtarit amerikan, ukrainasit ishin njoftuar për takimin para se zoti Burns të udhëtonte drejt Turqisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se nuk mund të pohonte dhe as të mohonte bisedimet SHBA-Rusi në Turqi. Dy zyrtarë turq thanë se nuk ishin në dijeni për takim mes delegacioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Ora 16:18
Ambasadori Gjerman Reichel: Lufta në Ukrainë nxorri në pah se Europa nuk është e sigurt

1668438820_Ernst.PNG

Në fjalimin e tij, ambasadori gjerman në Greqi, Ernst Reichel, tha se lufta që shkaktoi më shumë se 50 milionë viktima nuk duhet të ndodhte më.

“Është gjithnjë edhe më e rëndësishme që gjermanët të jenë të vetëdijshëm për fatin e tyre historik, si dhe të përballen me të kaluarën e tyre”, tha ambasadori gjerman Ernst Reichel.

Ai gjithashtu shtoi se lufta Rusi-Ukrainë, tregoi se Europa nuk ishte e sigurt dhe besimi se do të mbetej e paprekur nga luftërat dhe konfliktet e armatosura ishte një iluzion.

“Lufta e agresionit rus kundër Ukrainës i tregoi gjithë botës se edhe në Europë siguria nuk është e garantuar.Të gjithë ata që besonin se në Europë lufta, varfërimi dhe vuajtja i përkisnin së shkuarës, u përballnë me të kundërtën nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka 263 ditë që ka nisur ”, tha Reichel.

Ora 16:01
Biden uron Ukrainën për rimarrjen e Kherson: Duartrokas për guximin e tyre

1668322990_joebiden.jpg

Presidenti amerikan Joe Biden ka uruar këtë pasdite Ukrainën për rimarrjen e Kherson duke e cilësuar atë si një "fitore e rëndësishme".

Krerët ushtarakë rusë urdhëruan një tërheqje nga Kherson dhe bregu perëndimor i lumit Dnipro në fund të javës së kaluar, duke përmendur probleme me furnizimin.

Biden tha se ai është "i sigurt" se Rusia nuk do të "pushtojë Ukrainën" siç kishin "qëllim" kur Moska pushtoi për herë të parë vendin në fund të shkurtit.

Ai shtoi se luftimet do të jenë të pakta gjatë dimrit dhe se rezultati i luftës "mbetet për t'u parë".

“Nuk mund të bëj asgjë tjetër veçse të duartrokas për guximin, vendosmërinë dhe kapacitetin e popullit ukrainas”, tha Biden.

Presidenti i SHBA është në Bali, Indonezi, për samitin e G20, ku Vladimir Putin nuk po merr pjesë pas javësh të tëra për këtë çështje.

Ora 14:16
Stoltenberg: Muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë për Ukrainën

1668360513_retretretre.JPG

Ukraina përballet me muaj të vështirë përpara dhe kapaciteti ushtarak i Rusisë nuk duhet të nënvlerësohet, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai e vlerësoi “guximin e jashtëzakonshëm” të forcave të Ukrainës, të cilat rikthyen kontrollin mbi rajonin e Khersonit, dhe tha se mbështetja ndërkombëtare për Kievin duhet të vazhdojë.

“Muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë. Qëllim i [presidentit rus, Vladimir] Putin është ta lërë Ukrainën në të ftohtë dhe në terr këtë dimër”, tha Stoltenberg në një konferencë për media në Hagë.

 “Ne nuk duhet të bëjmë gabim dhe ta nënvlerësojmë Rusinë”, tha ai, duke shtuar se forcat ruse “kanë kapacitete të konsiderueshme”, si dhe “një numër të madh trupash”.

Tërheqja e Moskës nga Khersoni “dëshmon guximin e jashtëzakonshëm të forcave të armatosura të Ukrainës”, por tregon edhe “mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën”, tha shefi i NATO-s.

Ushtria ruse mori kontrollin e Khersonit shumë shpejt pasi nisi pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit. Pas disa referendumeve të paligjshme që mbajti në shtator, Rusia e aneksoi atë, së bashku me tri rajone të tjera ukrainase.

Por, javëve të fundit, Ukraina shënoi fitore të mëdha në fushëbetejë, duke i vënë forcat ruse nën presion. Ato u tërhoqën të premten nga Khersoni, ku më pas hynë trupat ukrainase.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se hetuesit kanë zbuluar më shumë se 400 krime lufte në zonat e Hersonit, pas largimit të forcave ruse.

Stoltenberg tha se forcat ruse “kanë dëshmuar brutalitet ekstrem”.

“Keni parë skena të tmerrshme nga territoret e çliruara dhe sulme pa dallim ndaj civilëve dhe infrastrukturës kritike”, u tha Stoltenberg gazetarëve.

Nuk është e qartë nëse ai iu referua Khersonit në mënyrë specifike./REL

Ora 13:48
Doli kundër Putinit dhe luftës, aktivisti i opozitës letër nga burgu: Nuk jam penduar

1668430607_LLLL.PNG

Një aktivist i opozitës, Vladimir Kara-Murza, u burgos pas kritikave të forta ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

Ai ishte një kundërshtar i Putinit dhe një kritik i tmerreve të kryera nga ushtria ruse, i cili ndodhet në burg i akuzuar për tradhëti. Arsyeja është se ai ka folur me terma të mëdha duke kundërshtuar luftën dhe duke folur kundër Presdientit rus, Putin.

Avokati i aktivistit ka deklaruar se ai mund të kalojë 24 vite pas hekurave. As gruaja e tij nuk është lejuar që ta shikojë dhe të flasë me të që nga muaji prill, raporton BBC.

Por në një sërë letrash dërguar nga Qendra e Paraburgimit nr.5, Vladimiri, i cili ka qenë dy herë viktimë e një helmimi misterioz  thotë se nuk është penduar, sepse “çmimi i heshtjes është i papranueshëm”.

“Ne të gjithë e kuptojmë rrezikun e aktivitetit të opozitës në Rusi. Por unë nuk mund të qëndroja i heshtur përballë asaj që po ndodh, sepse heshtja është një formë bashkëpunimi. Nuk mendoja se kisha të drejtë të vazhdoja aktivitetin tim politik, të thërrisja të tjerët në veprim, nëse do të isha ulur i sigurt diku tjetër”, ka shkruar Vladimir në një letër nga qelia e tij.

Të gjithë kritikët janë aarestuar ose larguar nga Rusia, por aktivisti i opozitës ka marrë një dënim më të ashpër se të gjithë të tjerët.

Ora 12:58
Ministrat e Jashtëm të BE-së: Do të nisim një mision trajnimi ushtarak për Ukrainën

1668426957_Flag.PNG

Ministrat e Jashtëm të BE-së do të takohen të hënën në Bruksel për të nisur një mision trajnimi ushtarak për forcat e armatosura të Ukrainës.

Një grup prej 15 mijë ushtarësh ukrainas do të trajnohen në Poloni, tha Josep Borrell, kryediplomati i Bashkimit Evropian. Ai shtoi se shumë vende janë të gatshme të marrin pjesë.

Forcat e armatosura të Gjermanisë, Bundeswehr, po planifikojnë stërvitje luftarake dhe stërvitje taktike për misionin e BE-së, ku në total, deri në 5000 ushtarë ukrainas mund të trajnohen.

Ministrat e jashtëm të BE-së gjithashtu do të diskutojnë mbështetjen e Bjellorusisë dhe Iranit për rusët gjatë luftës së vazhdueshme në Ukrainë. Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Svetlana Tikhanovskaya do të informojë ministrat e jashtëm të BE-së për situatën politike në vendin e saj.

BE-ja sanksionoi kohët e fundit Teheranin për shkak të dronëve të prodhuar nga Irani të furnizuar në Rusi dhe të përdorura në sulmet ndaj Ukrainës. Borrell tha se nuk ka asnjë provë për furnizimin e raketave nga Irani pas raportimeve të mediave.

Asnjë sanksion i ri i BE-së ndaj Rusisë nuk do të vendoset, tha Borrell.

Propozimet e fundit lituaneze për sanksione të reja ndaj individëve rusë nuk kanë marrë ende një përgjigje, tha ministri i jashtëm i vendit, Gabrielius Landsbergis.

Ora 12:40
Bisedime Rusi-SHBA në Turqi? Kremlini nuk ka një përgjigje të qartë, s'ka pohim ose mohim

1668425713_RusiSHBA.PNG

Kremlini tha të hënën se nuk mund të konfirmonte dhe as mohonte një raport se zyrtarët rusë dhe amerikanë po zhvillonin bisedime në kryeqytetin turk Ankara.

Gazeta ruse Kommersant raportoi se delegacionet nga të dy vendet po takoheshin të hënën në kryeqytetin turk, duke cituar një burim.

Sergei Naryshkin, kreu i agjencisë ruse të inteligjencës së jashtme SVR, thuhet se ishte pjesë e delegacionit rus, tha Kommersant.

Ora 11:14
U raportua se ishte sëmurë, reagon Ministri i jashtëm rus Lavrov: Nuk është e vërtetë, është lojë politike

1668340709_Screenshot1.jpg

Disa orë më parë, mediat raportuan se Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, pas samitit të G20 u dërgua në spital për shkak se kishte probleme me zemrën, por ai e ka mohuar.

Në videon e shpërndarë nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, ai pyetet për raportet nëse është i sëmurë. 

Por, ai tha se kjo gjë nuk është e vërtetë.

“Nuk është e vërtetë”, thotë Lavrov në videon e postuar, i cili shihet në dhomën e tij të hotelit në Bali.

Duke folur me agjencinë ruse të lajmeve TASS, ai tha se raportet ishin një "lojë politike". 

"E gjitha kjo një lojë politike", raporton TASS duke cituar Lavrov.

Ora 10:34
Ministri i jashtëm rus përfundon në spital sapo mbërrin në samitin e G20

1668340709_Screenshot1.jpg

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov është dërguar në spital pasi mbërriti në samitin e G20 që do të mbahet në Bali, Indonezi. Dy burime për Associated Press thanë se Lavrov po merr trajtim mjekësor për një sëmundje të zemrës.

Ai u dërgua në Spitalin Sanglah në kryeqytetin e provincës, Denpasar, sipas tre zyrtarëve të qeverisë dhe mjekësisë indoneziane. Pas publikimit të lajmit, ministria e jashtme e Rusisë tha se raportet ishin "lajme të rreme".

Lavrov është zyrtari më i lartë rus në samitin e G20, pasi presidenti Vladimir Putin refuzoi të marrë pjesë. Ka pasur diskutime nëse Lavrov duhet të përjashtohet nga fotografia që bëhet me delegatët në kuadër të samitit të G20.

Ora 10:15
Pas largimit të rusëve, Zelensky viziton Khersonin: Falenderoj aleatët për mbështetjen

1667891332_Screenshot1.jpg

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi Kherson të hënën, disa ditë pas tërheqjes së trupave ruse nga qyteti jugor ukrainas pas disa muajsh pushtimi, tha një dëshmitar i Reuters.

"Ne po ecim përpara. Ne jemi gati për paqe, paqe për të gjithë vendin tonë”, u tha ai ushtarëve.

Ai falenderoi NATO-n dhe aleatët e tjerë për mbështetjen e tyre në luftën kundër Rusisë.

G.MO/S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • [email protected]: 14/11/2022 20:57

    Jim cary aktori nuk lejohet se eshte pedofi te tjeret si pashe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja