Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës (GUR) ka njoftuar se ditën e djeshme kishte shkatërruar avionin luftarak më të avancuar rus, një Sukhoi Su-57. Është hera e parë që nga fillimi i luftës që forcat e Kievit godasin një nga këta avionë, raporton Rbc-Ukrainë.

“Më 8 qershor, një avion luftarak shumëfunksional i shtetit agresor u godit në territorin e aeroportit Akhtubinsk në rajonin Astrakhan të Federatës Ruse, i vendosur 589 kilometra larg vijës së betejës”, thuhet në një deklaratë.

Gur ka publikuar imazhe satelitore që tregojnë avionin në fjalë të parkuar në aeroportin rus.

 “Imazhet tregojnë se më 7 qershor Su-57 ishte i paprekur dhe më 8 qershor kishte shenja të shpërthimit pranë tij dhe shenja karakteristike që rezultuan nga dëmtimet e shkaktuara nga zjarri”, shton inteligjenca ushtarake e Kievit.

Su-57 është avioni luftarak më modern rus, i aftë të lëshojë raketa Kh-59 dhe Kh-69.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:07
Zelensky: Dështimi i rusëve në Kharkiv është i rëndësishëm! Reagon Moska

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti dështimin e operacionit rus në Kharkiv "shumë domethënës" përmes një video mesazhi, duke shtuar se fronti (ukrainas) do të forcohet më tej.

"Unë fola me komandantin e përgjithshëm për situatën në përgjithësi - deklaroi ai - dhe një rezultat shumë domethënës është se ushtria ruse dështoi në operacionin e saj në Kharkiv."

“Tani ne po i kontrollojmë ato zona në maksimum dhe po vazhdojmë të shkatërrojmë njësitë ruse që hyjnë në rajon. Fronti (Kharkivit) është forcuar dhe do të forcohet më tej”, sqaroi më tej Zelensky.

Por pas këtij mesazhi Moska ka reaguar duke thënë se ushtria ruse ka përmirësuar pozicionet e saj në rajonin verior të Kharkiv të Ukrainës, duke mohuar Kievin dhe inteligjencën perëndimore se fronti është stabilizuar. Sipas raportit të luftës të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, njësitë e grupit Sever (Veri) përmirësuan pozicionet e tyre të "vijës së parë" dhe shkaktuan viktima në brigada të mekanizuara ukrainase në disa lokacione në rajon, duke përfshirë qytetin kryesor të zonës, Vovchansk.

Udhëheqësi i Republikës Popullore të vetëshpallur të Donetskut, Igor Pushilin, nënvizoi duke folur për agjencinë RIA Novosti se ofensiva në Kharkiv e detyroi Kievin të mobilizonte rezerva nga zona të tjera të frontit për të zmbrapsur sulmet e armikut.

"Nuk ngutemi. Çlirimi i çdo lokaliteti qoftë edhe më i vogli shoqërohet me luftime të ashpra.

Por, natyrisht, zgjerimi i frontit e detyroi armikun të bëjë disa ndryshime në veprimet e tij", tha ai.

Putin fillimisht kishte thënë se qëllimi i ofensivës në Kharkiv ishte krijimi i një zone sigurie që do të reduktonte sulmet e artilerisë ukrainase kundër rajoneve kufitare me Rusinë, por Moska është ende larg arritjes së objektivit të parë dhe të dytë.

Ora 14:57
Peskov: Perëndimi është në ekstazë të paraluftës

Foto: Dmitry Peskov

Vendet perëndimore kanë hyrë në një “ekstazë të paraluftës” dhe me këtë pretekst kanë filluar të censurojnë mediat e tyre, madje edhe ato më autoritative.

Materialet e shkruara nën diktim janë të dukshme me sy të lirë, tha për agjencinë e lajmeve ruse Vgtrk zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov.

Peskov vuri në dukje se edhe agjencitë më të mëdha ndërkombëtare janë "nën presion nga vendi ku ndodhet selia e tyre".

''Ata po përgatiten për luftë me ne. Duke hyrë në këtë ekstazë të paraluftës, ata fillojnë të shkelin interesat e medias, duke e censuruar atë”, theksoi përfaqësuesi i Kremlinit.

Ora 12:06
Orbán: Perëndimi dëshiron të mposhtë Rusinë për të hyrë në pasuritë e saj

Foto: Viktor Orbán

"Liderët perëndimorë, të cilët janë në rrugën e luftës, duan të mposhtin Rusinë ushtarakisht. Plani i tyre është i thjeshtë, sepse gjithçka ka të bëjë me paratë, të cilat u japin atyre ndikim dhe fuqi".

Kështu ka thënë kryeministri hungarez Viktor Orbán në një intervistë për agjencinë e lajmeve hungareze HirTv. Orban kujtoi periudhën e viteve 1990, kur “evropianët u mirëpritën në Rusi dhe arritën të depërtojnë në ekonominë ruse, pa hasur në rezistencë”.

Sipas kryeministrit, Perëndimi u përpoq të shfrytëzonte Rusinë gjatë asaj periudhe, por "rusët në fund i morën gjërat në duart e tyre dhe transformuan gjithçka sipas mendimit të tyre".

Shumë aktorë perëndimorë janë nostalgjikë për këto kohë, duke ëndërruar për "një tjetër ristrukturim të madh në Lindje" dhe duke shpresuar se konflikti në Ukrainë do t'u ofrojë atyre mundësi në këtë drejtim, shpjegoi Orbán, duke shtuar se disa “shitës armësh, kreditorë dhe lojëtarë në bursë” tashmë po përpiqen të përfitojnë nga konflikti.