Fotoreporteri i Fox News, Pierre Zakrzewski, 55 vjeç është vrarë në Ukrainë. Lajmi u bë me dije nga ‘Fox News’, ku thuhet se Zakrzewski vdiq dje në të njëjtin shpërthim afër Kievit ku u përfshi korrespondenti Benjamin Hall, i cili mbeti i plagosur.
Një producente dhe gazetare ukrainas, Alexandra Kurshinova, u vra gjithashtu në sulm, ndërsa korrespondenti i ‘Fox News’, Benjamin Hall u plagos rëndë. Gazetarit Hall si pasojë e sulmit i është prerë këmba.
Sipas raporteve nga Anton Gerashchenko, këshilltar i ministrit të brendshëm ukrainas, tre reporterët ishin në makinën e tyre pranë fshatit Gorenki, në rajonin e Kievit. Ata u goditën nga një predhë mortaja.
“Me trishtim të madh dhe me zemër të rëndë ne ndajmë lajmin këtë mëngjes në lidhje me kameramanin tonë të dashur Pierre Zakrzewski”, u shkroi punonjësve të martën në mëngjes shefja ekzekutive e Fox News, Suzanne Scott. “Pierre u vra në Horenka, jashtë Kievit, Ukrainë.”
Ai kishte raportuar nga Ukraina që nga shkurti dhe ishte me korrespondentin Benjamin Hall “kur automjeti i tyre u godit nga zjarri”, tha Scott.
Zakrzewski ishte një fotoreporter veteran i luftës i cili kishte “mbuluar pothuajse çdo histori të brendshme për Fox News nga Iraku në Afganistan në Siri. Talentet e tij ishin të mëdha dhe nuk kishte asnjë rol që ai të mos e ndihmonte në fushë – nga fotograf në inxhinier tek redaktori e producenti – dhe ai e bëri të gjitha nën presion të jashtëzakonshëm me aftësi të jashtëzakonshme. Ai ishte thellësisht i përkushtuar për të treguar historinë dhe guximin, profesionalizmi dhe etika e tij e punës ishin të njohura mes gazetarëve në çdo media. Ai ishte jashtëzakonisht popullor – të gjithë në industrinë e medias që kanë mbuluar një histori të huaj e njihnin dhe e respektonin Pierre ”, tha Scott.
Lidhur me gazetaren Alexandra Kurshinova, Fox News ende nuk ka sqaruar nëse ishte një nga korrespondentet e tyre.
Ndërkohë, një ditë më parë është vrarë edhe gazetari Brent Renaud, i cili kishte punuar më parë me New York Times. Ai ishte fitues i çmimit 'Pulitzer' në gazetari.
Lajmi kryesor: