Lufta në Ukrainë/ Zelensky: Armët e perëndimit janë jetike për ushtrinë e Kievit

Lufta në Ukrainë/ Zelensky: Armët e perëndimit janë jetike për ushtrinë e Kievit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky

Pas njoftimit të fundit të Uashingtonit se do të dërgojnë 550 milionë dollarë shtesë për furnizime ushtarake për Kievin, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka falënderuar perëndimin për mbështetjen. Në fjalimin e tij të darkës, ia ka vënë theksin tek ndihma e SHBA-së duke thënë se armët e perëndimit janë shumë të rëndësishme në këtë moment për Ukrainën, për t’i bërë ballë ushtrisë ruse.

Zelensky vlerësoi ushtrinë e vendit për organizimin e suksesshëm të kundërsulmeve kundër forcave ruse në vend. Megjithatë, presidenti u bëri thirrje gjithashtu aleatëve të Ukrainës që t'i ofrojnë vendit ndihmë ushtarake shtesë.

“Në javën e kaluar, ushtria ukrainase ka arritur "rezultate të fuqishme në shkatërrimin e logjistikës së ushtrisë ruse. “Çdo sulm në depot e municioneve të armikut, postet e tyre komanduese, akumulimet e pajisjeve ruse shpëton jetën e të gjithëve ne, jetën e ushtarakëve dhe civilëve ukrainas”, tha Zelensky.

Ndërkohë, marrëveshjet e grurit duket se janë efektive. Zëvendësministri ukrainas i Infrastrukturës tha se Korridori operacional i formuar nga tre portet e Odesës, Chornomorsk dhe Pivdennyi do të lejojë që brenda një muaji të arrijë 3 milion ton eksporte bujqësore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:54
Tonelata me grurë lënë Ukrainën

 

Katër anije të tjera që transportonin drithë dolën nga portet ukrainase që kanë dalje në Detin e Zi. Megjithatë zbatimi i marrëveshjes mes Kievit dhe Moskës ka ecur ngadalë. Ndërkohë analistët paralajmërojnë se Rusia po lëviz trupat dhe pajisjet ushtarake në drejtim të porteve, me synimin për të shmangur një kundërofensivë ukrainase. Katër anije me drithë u larguan të dielën nga portet e Ukrainës që kanë dalje në Detin e Zi.

Organi që mbikëqyr një marrëveshje ndërkombëtare, që synon të nxjerrë rreth 20 milionë drithë nga Ukraina tha se anijet e ngarkuara u nisën nga portet në Chornomorsk dhe Odesa.

Ukraina, Rusia, Turqia dhe Kombet e Bashkuara nënshkruan marrëveshje muajin e kaluar për të krijuar një kanal detar që do të mundësonte kalimin e sigurt të anijeve nga portet e Ukrainës, lundrimi i të cilave ishte bllokuar me fillimin e agresonit rus në Ukrainë.

Papa Françesku përshëndeti nisjen nga portet ukrainase të anijeve të para që transportonin grurë dhe tha se kjo marrëveshje mund të jetë një model për dialog dhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ndërkohë luftimet në Ukrainë vazhdojnë dhe analistët kanë paralajmëruar se Rusia po lëviz trupat dhe pajisjet në drejtim të porteve për të shmangur një kundërofensivë ukrainase. Ndërkohë vëmendja e faktorit ndërkombëtar është përqendruar tek zhvillimet në centralin bërthamor të Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë.

Kompania shtetërore e energjisë bërthamore në Ukrainë tha se një punëtor u plagos pas sulmit të centralit bërthamor të shtunën në mbrëmje. Palët kanë akuzuar njëra-tjetrën si përgjegjëse për sulmin. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy bëri thirrje për një përgjigje më të fortë ndërkombëtare ndaj asaj që ai e cilësoi si “terror bërthamor rus”. Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike ngriti shqetësime të mëdha të shtunën në lidhje me bombardimet në Zaporizhzhia, duke thënë se sulmet rrisin rrezikun për një katastrofe bërthamore.

Katër muajt e fundit të luftës, Rusia është përqendruar në kapjen e rajonit Donbas të Ukrainës lindore, ku separatistët pro rusë kontrollojnë disa territore prej rreth tetë vitesh. Forcat ruse kanë bërë përparime graduale në rajonin në kufi me Rusinë. Ditën e shtunë 5 civilë u vranë nga bombardimet ruse në qytetin e Donetskut. Qyteti Mykolaiv, një qendër e rëndësishme e ndërtimit të anijeve është sulmuar me raketa nga forcat ruse. Një zyrtar i këtij qyteti tha se një ndërtesë industriale u sulmua me raketa të dielën. / VOA.

Ora 15:44
Ukraina akuzoi Rusinë për bombardime të reja në termocentralin bërthamor më të madh në Evropë

Ukraina akuzoi Rusinë të dielën se ka bombarduar sërish centralin bërthamor më të madh në Evropë, Zaporizhzhia.

Nisur nga kjo, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski bëri thirrje për sanksione të reja ndërkombëtare ndaj Moskës për "terror bërthamor".

Firma shtetërore e energjisë bërthamore e Ukrainës tha se forcat ruse dëmtuan tre sensorë të rrezatimit gjatë bombardimeve të shtunën në mbrëmje, duke plagosur një punëtor.

“Terrori bërthamor rus kërkon një përgjigje më të fortë nga komuniteti ndërkombëtar – sanksione ndaj industrisë bërthamore ruse dhe karburantit bërthamor”, shkroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski në Twitter.

Centrali bërthamor u granatua gjithashtu të premten, sulmet për të cilat Moska fajëson forcat ukrainase.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) tha se granatimet e të premtes treguan për rrezik të një katastrofe bërthamore. Predhat goditën një linjë energjie të tensionit të lartë, duke bërë që operatorët e centralit të shkëputnin një reaktor pavarësisht se nuk u zbulua ndonjë rrjedhje radioaktive.

Uzina Zaporizhzhia u kap nga forcat ruse në fillim të marsit. Ajo kontrollohet nga rusët por punonjësit janë ende ukrainas.

Ora 13:49
Katër anije nisin transportimin e grurit ukrainas

1659873030_Screenshot1.jpg

Katër anije që bartin grurë dhe vaj luledielli janë larguar të dielën nga portet ukrainase përmes një korridori të sigurt.  Miliona tonë grurë kanë mbetur të bllokuar në Ukrainë, duke kërcënuar me krizë ushqimore dhe rritje çmimesh në botë. Javën e kaluar është shënuar hera e parë kur një anije është larguar me grurë nga portet ukrainase prej shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.

Anija e parë ka transportuar 27.000 tonë të misrit. Katër anijet që kanë nisur transportimin të dielën, do të inspektohen nga Turqia. Ukraina dhe Rusia kanë arritur marrëveshje për eksportet e grurit, nën ndërmjetësim të Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara.

SI.E./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025