Lufta në Ukrainë/ Lideri çeçen: Thirrje të gjithë botës islame, të bashkohemi kundër NATO-s! Sulme ruse në Kherson

Lufta në Ukrainë/ Lideri çeçen: Thirrje të gjithë botës islame, të bashkohemi kundër NATO-s! Sulme ruse në Kherson

Pasojat nga sulmet ruse në një banesë në Bakhmut, foto nga Reuters

Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov i ka drejtuar thirrjen botës islame, që të bashkojnë forcat kundër NATO-s. Mesazhi i Kadyrov u postua në llogarinë e tij në Telegram. 

    "Ne i bëjmë thirrje të gjithë botës islame, të gjithë njerëzve të arsyeshëm, të bashkohen kundër armikut tonë të përbashkët! Paratë dhe armët e tyre nuk janë asgjë në krahasim me unitetin, vullnetin dhe besimin tonë në Krijuesin tonë!", ka shkruar lideri çeçen, njësitë e të cilit janë të angazhuara përkrah me trupat ruse në pushtimin e Ukrainës.

Ditën e sotme u zhvillua një mbledhje e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave ukrainase gjatë së cilës iu kushtua një vëmendje situatës në Bjellorusi ku pakë ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes ruse tha se trupat e saj po marrin pjesë në stërvitjet taktike në Bjellorusi.

Bjellorusia deklaroi se nuk do të ndërhyjë në luftën në Ukrainë, por presidenti Alexandër Lukashenko urdhëroi që trupat të vendoseshin pranë kufirit ukrainas, duke përmendur "kërcënimet nga Kievi dhe Perëndimi".

Përveç kësaj, gjatë mbledhjes u shkëmbyen informacione për numrin aktual e rreth grupeve ushtarake armike. Bëhet e ditur se u diskutuar dhe rreth pasojave të sulmit masiv me raketa të Rusisë në infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

“Në takimin me shtabin e përgjithshëm ukrainas, u diskutua çështja e kufijve. Mbrojtja e kufijve si me Rusinë ashtu edhe me Bjellorusinë është një prioritet i vazhdueshëm dhe ne po përgatitemi për të gjithë skenarët e mundshëm të mbrojtjes", deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes.

Sulmet ruse vijuan dhe këtë të diele në Ukrainë, ku Rusia sulmoi qendrën e Khersonit, qytetin jugor ukrainas, nga i cili u tërhoq muajin e kaluar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:31
Zelensky: Po përgatitemi për çdo skenar mbrojtjeje, jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Bjellorusia

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbajti një mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm gjatë pasdites në të cilën iu kushtua vëmendje situatës në Bjellorusi. Kjo është bërë e ditur nga zyra e presidentit, siç raporton Ukrainska Pravda.

Në takim u shkëmbyen informacione për numrin e grupeve ushtarake armike. U diskutuan edhe pasojat e sulmit masiv me raketa të Rusisë në infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

“Në takimin me shtabin e përgjithshëm ukrainas, u diskutua çështja e kufijve. Mbrojtja e kufijve si me Rusinë ashtu edhe me Bjellorusinë është një prioritet i vazhdueshëm dhe ne po përgatitemi për të gjithë skenarët e mundshëm të mbrojtjes", kështu deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes.

"Pa marrë parasysh se kush apo çfarë e shtyjnë Minskun të bëjë, kjo nuk do t'i ndihmojë ata, si dhe të gjitha idetë e tjera të sëmura në këtë luftë kundër Ukrainës dhe ukrainasve," shtoi ai.

Ora 21:20
Kievi: Lufta do të zgjasë të paktën deri në verë

Sipas Kievit, lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë para verës.

“Edhe nëse askujt nuk i pëlqen, pushtimi rus është një konflikt i zgjatur që mund të zgjasë një e gjysmë deri në dy vjet", sipas këshilltarit presidencial Oleksiy Arestovych.

Ndërsa kreu i Drejtorisë kryesore të Inteligjencës së Kievit, Kyryl Budanov, raportoi se luftimet duhet të përfundojnë deri në verën e vitit 2023.

Ora 20:49
Vladimir Putin: Veprimet e Moskës do ta bëjnë botën më të drejtë

“Rusia do ta bëjë botën më të drejtë me veprimet e saj”. Kështu tha presidenti rus, Vladimir Putin, në një video-mesazh të shfaqur të dielën për pjesëmarrësit e kongresit të parë të Lëvizjes Ruse të Fëmijëve dhe Rinisë. Kjo është bërë e ditur nga agjencitë ruse të lajmeve.

"Ndryshime të mëdha po ndodhin jo vetëm në Federatën Ruse, por në të gjithë botën. Mendoj se këto janë ndryshime për mirë", tha Putin.

Putin shtoi se shpreson se me veprimet e saj Rusia do të jetë në gjendje ta bëjë botën më të drejtë.

"Një në të cilën të gjithë popujt janë vërtet të barabartë, në të cilin çdo person ka të drejtë të respektohet, të ndjekë traditat, të nderojë paraardhësit e tij, të flasë gjuhën e tyre amtare dhe në të cilin të gjithë kanë mundësinë për të respektuar plotësisht, pavarësisht nga kushtet në të cilat janë rritur të gjithë, nga cila familje vijnë”, u shpreh ai.

Ora 19:32
Lufta në Ukrainë, sulme ruse në qendër të Khersonit

Ndërtesë banimi të dëmtuar nga një sulm ushtarak rus,në Bakhmut, Ukrainë, 18 dhjetor 2022, foto nga Reuters

Rusia sulmoi këtë të dielën qendrën e Khersonit, qytetin jugor ukrainas, nga i cili u tërhoq muajin e kaluar.

“Tre persona u plagosën në sulmin në Kherson”, tha një zyrtar ukrainas, ndërsa guvernatori rajonal, Yaroslav Yanushevych, tha se Rusia gjatë ditës së kaluar kishte kryer 54 sulme me raketa, mortaja dhe tanke në zonën e Khersonit, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur gjashtë.

Për javë të tëra, Rusia ka shënjestruar infrastrukturën ukrainase me fillimin e dimrit, duke u përpjekur të prishë linjat e furnizimit me ujë dhe energji elektrike për të demoralizuar popullsinë ukrainase.

Situata më e vështirë, tha ai, është në "Kiev dhe rajon, Vinnytsia dhe rajon, Lviv dhe rajon". Por ndërprerjet në shkallë të gjerë të energjisë po prekin edhe shumë rajone të tjera, duke përfshirë Dnipro dhe Dnipropetrovsk.

Ora 18:32
Zelensky: Të krijohet një gjykatë ndërkombëtarë për të gjithë ata që provokuan luftën

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për krijimin e një gjykatë ndërkombëtare, e cila do të gjykojë të gjithë ata që kanë kontribuar në përpjekjet e luftës së Rusisë në Ukrainë, duke theksuar se "nuk ka të bëjë vetëm me udhëheqjen e Kremlinit",  raporton “Kyiv Independent”.

“Kremlini dhe ata që ndihmojnë udhëheqjen në luftën kundër Ukrainës duhet të mbahen përgjegjës, duke përfshirë propaganduesit dhe strategët që ‘imponuan’ ideologjinë e tij në shoqëri. Ne duhet të prezantojmë një gjykatë ndërkombëtare dhe ne do të dëshironim që shumica e vendeve në botë ta mbështesin këtë rezolutë” tha Zelensky në një intervistë me kanalet televizive franceze TF1 dhe LCI.

Ora 17:51
Udhëheqësi çeçen: Thirrje të gjithë botës islame, të bashkohemi kundër NATO-s

Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov u ka bërë thirrje myslimanëve në mbarë botën që të bashkojnë forcat kundër NATO-s. Mesazhi është postuar në Telegram në gjuhën kineze. Raporton “Ukrainska Pravda”.

    "Aleanca e Atlantikut të Veriut kërcënon ekzistencën e të gjithë botës, por Rusia sfidoi të gjitha parashikimet perëndimore dhe sfidoi këtë të keqe dhe marshoi me besim drejt fitores. Mos lejoni që NATO të imponohet, përndryshe ata do të vijnë të shkelin atdheun tuaj brenda një kohe!", tha Kadirov.

    "Gjatë 100 viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë organizuar dhjetëra luftëra, grushte shteti ushtarak dhe pushtime. Miliona civilë janë bërë viktimat e tyre. Dhe tani kërcënimi edhe më i madh është shkatërrimi i të gjitha vlerave morale. Ata duan të na shndërrojnë lehtësisht në kafshë të manipuluara”, vazhdon në mesazhin e tij Kadyrov.

    "Ne i bëjmë thirrje të gjithë botës islame, të gjithë njerëzve të arsyeshëm, të bashkohen kundër armikut tonë të përbashkët! Paratë dhe armët e tyre nuk janë asgjë në krahasim me unitetin, vullnetin dhe besimin tonë në Krijuesin tonë!", vazhdon lideri çeçen, njësitë e të cilit janë të angazhuara përkrah me trupat ruse në pushtimin e Ukrainës.

Ora 15:57
Sulme në Belgorod, rajonin rus afër Ukrainës, guvernatori: Një i vdekur dhe disa të plagosur

Sulmet në rajonin rus të Belgorodit që kufizohet me Ukrainën vranë një person dhe plagosën pesë të tjerë të dielën, tha guvernatori rajonal, dy ditë pasi sulmet e reja nga Moska goditën rrjetin energjetik të Ukrainës.

“Në kryeqytetin rajonal Belgorod, ka katër të plagosur (me lëndime) mesatare", tha guvernatori Vyacheslav Gladkov në mediat sociale.

Ai tha se më shumë se një duzinë ndërtesash banimi dhe disa makina u dëmtuan në të gjithë qytetin.

Gladkov shtoi se kishte gjithashtu një të vdekur dhe një të plagosur në distriktin Belgorod që rrethon qytetin kryesor, ku u dëmtua një fermë shpendësh.

Belgorod është një nga disa rajone jugore ruse ku objektiva të tilla si rezervat e karburantit dhe municioneve janë tronditur nga shpërthime që nga fillimi i asaj që Moska e quan "operacioni i saj special ushtarak" në Ukrainë më 24 shkurt

Ora 14:20
Ukrainë, Kissinger vazhdon misionin paqeruajtës: Koha për negociata, lufta është kaos botëror

Edhe pse në moshë të thyer, Henry Kissinger vazhdon qëllimin e tij paqeruajtës midis Rusisë dhe Ukrainës. Ai tha se është momenti për të negociuar për paqe.

“Po afron koha për një negociata paqeje në Ukrainë për të reduktuar rrezikun e një lufte tjetër shkatërruese botërore, por ëndrrat për shpërbërjen e Rusisë mund të shkaktojnë kaos bërthamor”, tha Henry Kissinger.

Kissinger është takuar me Vladimir Putin disa herë që kur ai u bë president për herë të parë në vitin 2000.

Ora 13:38
Scholz: Rusia mund të përshkallëzojë sulmin për shkak të dështimit, do flasim me Rusinë për t'i dhënë fund luftës

1671013772_fwqafrtqewgtg.jpg

Kancelari gjerman, Olaf Scholz është shprehur për zhvillimet e bisedimeve që ka pasur më presidentin rus dhe thotë se mund të ketë gjasa për përfundimin e luftës. Sipas tij, kjo luftë agresore ndikon negativisht te të gjitha shteteve dhe jo vetëm Ukrainës. Kancelari gjerman ka treguar gatishmërinë e tij dhe të shëtit gjerman për të ndihmuar marrëdhënie midis Ukrainës dhe Rusisë, duke ruajtur në thelb integritetin e Ukrainës si një vend i lirë dhe i ka njohur asaj të drejtat që i takon për të qenë e tillë edhe në vazhdimësi, e jo nën pushtimin e Rusisë.

“Qëllimi ynë është që Rusia t’i japë fund luftës agresore dhe që Ukraina të mbrojë integritetin e saj. Për këtë “do të jetë e nevojshme të flasim. Nëse kjo do të bëhet përmes telefonit, video-konferencës apo në një tavolinë të gjatë duhet ta shohim” tha Scholz.

Ai e ka shprehur hapur kritikën e tij ndaj pushtetit që Putin do të ketë mbi Ukrainën duke dalë kundër vendimeve dhe strategjive për kuftë, bombardime, dëmtime infrastrukture etj. Ai është totalisht kundër arsyes që Putin ka për të pushtuar Ukrainën, por gjithësesi publikisht ka shfaqur një mendim konstruktiv dhe më të qetë në mënyre që mos lejoj përkeqësimin e situatës, duke thënë se dialogu është ao që duhet të zhvillojnë këto dy shtete për të siguruar paqen dhe jetën e popullit të tyre. Kancelari gjerman shprehet se është i vetëdijshëm që në këto momente situata është akoma më e tensionuar midis Rusisë dhe Ukrainës, për shkak se kjo e fundit duket se po ndjehet e humbur sipas tij.

“Putini duhet t’i japë fund luftës, të tërheqë trupat dhe të krijojë kështu mundësinë për dialog. Rreziku i një shkallëzimi për shkak të dështimit ushtarak të Rusisë është “i madh”, tha kancelari gjerman Scholz.

Në fillim të dhjetorit, kancelari gjerman telefonoi për herë të parë pas shtatorit presidentin rus. Në bisedimin që patën rreth 1 orë, kancelari gjerman kërkoi sa më shpejt një zgjidhje diplomatike, sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.

Përtej kësaj, kancelari gjerman është shprehur për mediat e huaja se nuk pret një emergjencë të furnizimit me gaz këtë dimër. Ai iu referua programeve të mëdha të ndihmës të qeverisë gjermane, në bazë të cilave “pritet që me këtë shumë të zbusim çmimet e larta në këtë dimër dhe atë të ardhshëm”, tha Scholz për gazetën gjermane. Në perspektivë gjendja në tregjet e energjisë do të përmirësohet, sipas Scholz. Furnizimi me gaz edhe pas ndërprerjes së gazit rus do të jetë i siguruar edhe për dimrin e ardhshëm.

Ora 13:00
Lufta në Ukrainë/ Papa: Ajo që po ndodh është e frikshme, janë disa duar të përfshira

1669985006_ewngikgfiufeh.jpg

“Unë bëj atë që mundem. Ata nuk dëgjojnë. Ajo që po ndodh në Ukrainë është e frikshme. Ka një mizori të madhe. Është shumë serioze. Dhe këtë e them vazhdimisht”. Kështu u shpreh Papa Françesku në një intervistë për gazetën spanjolle ABC. 

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me pozicionin e tij të ndërmjetësimit, Papa u shpreh: “Këtu i pres të gjithë. Tani Volodymyr Zelensky më dërgoi për të tretën herë një nga këshilltarët e tij fetarë. Jam në kontakt. Megjithatë nuk shoh një fund në një afat të shkurtër, sepse është një çështje e një lufte botërore. Të mos e harrojmë këtë. Tashmë ka disa duar të përfshira në këtë luftë. Është globale”.

Ora 11:49
Rusia e demoralizuar? Muzikantë në vijën e parë të frontit

Ministria e Mbrojtjes njoftoi këtë javë formimin e "brigadës krijuese të vijës së parë" duke thënë se do përfshihen muzikantë. Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar theksoi krijimin e brigadës në një përditësim të inteligjencës ditën e diel. Ndërkohë, ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu vizitoi trupat e vijës së parë në Ukrainë.

Në një deklaratë të postuar në Telegram, Ministria e Mbrojtjes tha se Shoigu "fluturoi rreth zonave të dislokimit të trupave dhe kontrolloi pozicionet e avancuara të njësive ruse në zonën e operacionit special ushtarak". Ajo shtoi se ai "foli me trupat në vijën e frontit" dhe në një "pikë komanduese",  por në mediat e huaja  nuk është konfirmuar ende se kur u zhvillua vizita ose nëse z. Shoigu vizitoi Ukrainën. Vizita e raportuar vjen pasi zyrtarët e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar thanë se morali i ulët vazhdon të jetë një "vulnerabilitet i rëndësishëm në pjesën më të madhe të forcës ruse".

Mbretëria e Bashkuar tha se brigada e re krijuese, e cila pason një fushatë të fundit, duke i kërkuar publikut të dhurojë instrumente muzikore për trupat - është në përputhje me përdorimin historik të "muzikës ushtarake dhe argëtimit të organizuar" për të rritur moralin. Por ata vunë në pikëpyetje nëse brigada e re në të vërtetë do të shpërqendronte trupat, të cilët kanë qenë të shqetësuar kryesisht për "normat shumë të larta të viktimave, udhëheqjen e dobët, problemet e pagave, mungesën e pajisjeve dhe municioneve dhe mungesën e qartësisë rreth objektivave të luftës". Sipas gazetës ruse RBC news, brigada do të përbëhet nga trupa të mobilizuara nën drejtimin e rekrutimit të Presidentit Vladimir Putin, si dhe "artistë profesionistë që hynë vullnetarisht në shërbimin ushtarak".

“Njësia e re do të ketë për detyrë të mbajë "një gjendje të lartë morale, politike dhe psikologjike ndërmjet pjesëmarrësve të operacionit të posaçëm ushtarak”, tha Ministria e Mbrojtjes në Rusi.

Ndërkohë, luftimet intensive kanë vazhduar rreth qytetit Bakhmut në rajonin lindor të Donbasit të shtunën. Në këto zona kanë ndodhur përleshje të rënda midis trupave ukrainase dhe ruse për muaj të tërë, pasi Rusia kërkon të mbajë territorin pas një vargu humbjesh në Ukrainën lindore në fillim të këtij viti. Zyrtarët e inteligjencës perëndimore kanë thënë më parë se sulmet ruse në qytet po drejtohen nga kontraktori ushtarak privat, Wagner Group. Moska shpreson ta përdorë qytetin si një terren për të nisur sulmet në qytetet e kontrolluara nga ukrainasit, Kramatorsk dhe Sloviansk.Nga ana tjetër, situata e vështirë që populli ukrainas kishte me ngrohjen, ka filluar të përmirësohet dhe ka nisur sërish në kryeqytet.

Moska lëshoi ​​76 raketa të premten, duke goditur nëntë stacione të furnizimit me energji elektrike dhe duke zhytur pjesën më të madhe të vendit në errësirë. Ukraina tha se ka kapur 60.

Ora 10:27
VIDEO/ Pema e Krishtlindjeve nuk është aspak e zakonshme në Ukrainë...mesazhi domethënës

Vullnetarët në qytetin jugor të Ukrainës, Mykolaiv, kanë bërë një pemë të Krishtlindjes nga rrjetat e kamuflazhit.

Pas pushimeve, rrjetat do t'u dhurohen ushtarëve që luftojnë në vijën e frontit.

Një banor i zonës tha: “Ne duam të festojmë jo vetëm Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, por duam të festojmë edhe fitoren”.

Ora 10:25
Lufta në Ukrainë, Scholz: Nëse nuk bisedojmë, Moska nuk do e përfundojë luftën

1671031743_scholz.JPG

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka folur për gazetën gjermane lidhur me situatën e luftës në Ukrainë. Lideri gjerman thotë se dialogu është e vetmja rrugë që mund të sjellë paqen.

"Pavarësisht dallimeve të mëdha mes nesh, ne nuk duhet të lejojmë që filli i bisedimeve me Rusinë të prishet. Nëse nuk bisedojmë, Moska do të ketë pak gjasa që të përfundojë luftën," tha Scholz për gazetën gjermane ‘Süddeutsche Zeitung’.

Ora 08:09
Putin anulon 3 takime tradicionale të fundvitit, fokusohet te lufta në Ukrainë! Kalon të premten me gjeneralin, ministrin e Mbrojtjes dhe shefin e Shtabit

1670427822_swdfqewft2euio.jpg

Loja e hijeve të Kremlinit vazhdon. Vladimir Putin u rishfaq dje në takim me gjeneralët ushtarakë. Nga ana tjetër anuloi tre takime tradicionale dhe të rëndësishme për të, konferencën për shtyp të fundvitit, transmetimin e drejtpërdrejtë radiofonik në të cilin i përgjigjet pyetjeve të rusëve dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, pjesëmarrjen e tij në ndeshjen e hokejit në akull në Sheshin e Kuq.

Presidenti rus kaloi gjithë ditën të premten për të diskutuar të luftën në Ukrainë që e quan "Operacioni Special Ushtarak", duke u fotografuar së bashku me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefin e shtabit, Valery Gerasimov. I pranishëm në bisedime ishte edhe gjenerali Sergei Surovikin, i cili ka udhëhequr operacionet e luftës në Ukrainë që nga tetori.

Ora 08:07
Gazeta New York Times: SHBA u përpoqën të pengonin Kievin të vriste shefin e shtabit të Forcave të Armatosura ruse

1671347323_C25LUOIXM5PR7BY4OSARRIVHJ4.jpg

SHBA u përpoqën të pengonin Ukrainën që të vriste shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Ruse, Valery Gerasimov. Gazeta amerikane ‘The New York Times’ pretendon se zyrtarët amerikanë kishin mësuar se gjenerali kishte vendosur të vizitonte trupat ruse në front dhe nuk ndante informacionin me Kievin nga frika e një sulmi kundër tij, i cili më pas do të çonte në një luftë midis SHBA-së dhe Rusisë. 

Megjithatë, Kievi mësoi për vizitën dhe vendosi të nisë një sulm, pavarësisht kërkesës së administratës Biden për të mos e bërë këtë. Dhjetëra ushtarë rusë u vranë në atë rast, por Gerasimov nuk ishte njëri prej tyre.

Ora 08:04
Putin përdor strategjinë e re, video propagandistike për të marrë pjesë në luftë

1670876605_ap223415911514454f78e71f703cd7c0d7d328170bfa0ade24416adcs1100c50.jpg

Moska ka filluar një fushatë të re për të inkurajuar rusët që të regjistrohen në forcat e armatosura dhe të luftojnë në Ukrainë, pavarësisht se Kremlini ka mohuar se ka nevojë për më shumë rekrutë.

Në një përpjekje për të tërhequr më shumë vullnetarë në front, videot propagandistike ruse të postuara në rrjetet sociale në ditët e fundit po përpiqen të tërheqin burrat rusë përmes narrativave të patriotizmit dhe moralit.

Një nga videot, e postuar më 14 dhjetor, shfaq një të ri i cili po zgjedh të luftojë në vend që të festojë me miqtë e tij dhe më pas i befason të gjithë duke i blerë vetes një makinë me paratë që fitoi nga luftimi me një kontratë ushtarake. Në një video tjetër, të postuar më 15 dhjetor, ish e dashura e një ushtari është impresionuar me guximin e tij dhe i lutet që të rikthehet me të. Një shembull tjetër tregon një burrë të duke lënë punën e fabrikës që nuk e paguan mjaftueshëm për të nënshkruar një kontratë ushtarake dhe për të shkuar në front.

Një tjetër nga videot tregon një grup burrash rusë 30-vjeçar dhe të pasur duke ngarkuar një makinë ndërsa gratë e moshuara i pyesin se ku po shkojnë. Njëri nga burrat përgjigjet: “Në Gjeorgji. Përgjithmonë.” Kur një gruaje i bien disa produkte ushqimore, disa thjesht hipin në makinë dhe largohen, në vend që të ndihmojnë, ndërsa burrat më të rinj rusë nxitojnë të marrin sendet ushqimore. “Djemtë janë larguar, burrat kanë mbetur”, përfundon një nga të moshuarat.

 

Shumë nga videot e portretizojnë luftën si një arratisje për burrat nga një realitet i zymtë i përditshëm i pirjes së vodkës, varfërisë dhe pafuqisë. Ndërkohë, raportet dhe ankesat për mungesë të furnizimeve dhe pajisjeve në ushtrinë ruse vazhdojnë të shfaqen.

/S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Nato: 18/12/2022 19:19

    Natos ti haj sumen keta zagaret e rusis…

    Përgjigju
  • Gaga: 18/12/2022 11:31

    Debil i sorosit. Hyre ne lufte me rusine se te mashtruan tani prite shulin rus. Injorant sorosist

    Përgjigju
    • Pody: 18/12/2022 22:54

      Kjo lloj lufte ka vetëm një fitues. Nuk do të ketë kompromise apo "Minsk" të ri në favor të vrasësve rusë. Rusia duhet të humbasë, të dalë nga Ukraina dhe të paguajë dëmet. Kjo është mënyra e vetme për të rivendosur sigurinë, stabilitetin dhe parashikueshmërinë në botë

    • Turi: 18/12/2022 16:33

      Ashtu eshte mendonin se ishte e thjeshte te shkaterroje Rusine duke vendosur sanksione dhe duke derguar arme , tani kujtohet ky nazisti i gjermanise qe duhen bisedime se pse nuk ja dolen dot me lufte , gjynah per popullin qe paguan per intrigat e vendeve perendimore

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT