Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka falënderuar sërish kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e vazhdueshme që vendi ynë ka dhënë për Ukrainën dhe integritetin territorial të saj. Vetë Zelensky bën me dije se ka folur me Ramën, ndërsa në një postim në platformën ‘X’, shkruan se ka shprehur mirënjohjen për qëndrimin që ka mbajtur Shqipëria për agresionin rus ndaj ukrainasve.
Presidenti i Ukrainës çmon mbështetjen e kryeministrit shqiptar në këtë situatë të vështirë që gjendet vendi i tij.
“Kam folur me kryeministrin Edi Rama për ta falënderuar për qëndrimin e vendosur të Shqipërisë ndaj agresionit rus ndaj Ukrainës dhe mbështetjen për vendin tonë, si dhe mbështetjen e mbrojtjes dhe politike”, shkruan Zelensky.
Më tej, Zelensky shkruan se në fokus të diskutimit kanë qenë mënyrat për të thelluar dialogun Ukrainë-Ballkan. Sipas tij është e rëndësishme q ëtë vijohet trajnimi i ushtarëve ukrainas, ku duhet të marrë pjesë edhe vendi ynë.
"Shqipëria mori pjesë në takimin e katërt të Formulës së Paqes në Davos. Detyra jonë aktuale është të përgatitemi për Samitin Global të Paqes dhe ne mbështetemi në pjesëmarrjen aktive të partnerëve tanë, përfshirë Shqipërinë.
Ne diskutuam gjithashtu mënyrat për të thelluar dialogun Ukrainë-Ballkan dhe për të avancuar bashkëpunimin tonë me karakter mbrojtës. Theksova gjithashtu rëndësinë e vazhdimit dhe zgjerimit të programeve të trajnimit të ushtarëve ukrainas me pjesëmarrjen e Shqipërisë”, shkruan ai.