Ishulli i Larakut në Iran, një copëz toke përballë Hormuzit u bë sërish shkak për përshkallëzimin e luftës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbrëmjen e së dielës.
SHBA goditi me dron dy platforma lëshimi të Gardës Revolucionare duke pretenduar se pasdaranët po përgatitnin raketa që do të përdoreshin për vendosjen e minave detare në Ngushticën e Hormuzit.
Korpusi i Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit pretendoi se sulmet e kryera nga forcat amerikane për ta penguar atë të vendoste mina në Ngushticën e Hormuzit përbënin një “akt agresioni”.
Komanda Qëndrore amerikane shkroi në rrjetin social X se pretendimi ishte absolutisht i rremë, duke shpjeguar se sulmi ndaj lëshuesve iranianë në Larak ishte “një veprim i kufizuar dhe i saktë kundër njësive të pasdaranëve të angazhuara në vendosjen e minave, të cilat përbënin një kërcënim të menjëhershëm në Ngushticën e Hormuzit”.
Irani disa orë më pas u kundërpërgjigj duke lëshuar raketa drejt Akabës dhe bazës Muwaffaq në Jordani, ku janë të dislokuara forca të ushtrisë amerikane.
Irani “nuk kërkon luftë”, por “nuk do të qëndrojë kurrë pasiv përballë çdo agresioni”.
Kështu deklaroi presidenti iranian Masoud Pezeshkian para nisjes për në Bishkek, kryeqyteti i Kirgistanit, ku pritet të zhvillojë një takim edhe me Vladimir Putin
Sulmet amerikane erdhën pikërisht në ditën kur Washington Post raporton mbi shqetësimet e drejtuesve të ushtrisë amerikane që e kanë paralajmëruar kreun e Pentagonit, Pete Hegseth, se një luftë e zgjatur kundër Iranit nuk është e qëndrueshme, pasi konsumon njerëz, mjete dhe vëmendje, duke zvogëluar aftësinë e Uashingtonit për t’u përballur me kriza të tjera.
Sipas ekspertëve, ideja se ekuilibri aktual mund të vazhdojë pa një tjetër fazë të përballjes së drejtpërdrejtë është e shkëputur nga realiteti dhe se pa diplomaci dhe një marrëveshje politike që do t’i rikthente palët në një kuadër mirëkuptimesh, një përshkallëzim i ri është i pashmangshëm.
Lajm në përditësim...

Foto: Anije në Hormuz
Një zëdhënës ushtarak iranian tha se ideja që Hormuzi të bëhet një provincë amerikane është një ëndërr që nuk do të bëhet kurrë realitet.
"Ne jemi të vendosur të dëbojmë forcat amerikane nga rajoni dhe herët a vonë do të hakmerremi për udhëheqësin e ndjerë. Amerika po përpiqet të arrijë me mjete të tjera atë që nuk arriti ta arrijë përmes luftës ushtarake. Pretendimet e Trumpit për Ngushticën e Hormuzit janë të rreme dhe bazohen në mendime të kota, jo në fakte. Ne ende nuk i kemi shfrytëzuar plotësisht të gjitha aftësitë tona në luftën kundër Shteteve të Bashkuara", tha ai.
Irani “nuk kërkon luftë”, por “nuk do të qëndrojë kurrë duarkryq përballë asnjë agresioni”. Kështu deklaroi presidenti iranian Masoud Pezeshkian, duke iu referuar sulmit amerikan ndaj ishullit Larak.
Deklarata u bë përpara nisjes së tij drejt Bishkekut, kryeqytetit të Kirgistanit, ku pritet të marrë pjesë në samitin e krerëve të shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.
“Irani do t’u japë një përgjigje të vendosur agresorëve”, shtoi Pezeshkian, sipas agjencisë Fars.
“Paqëndrueshmëria dhe trazirat në rajon nuk janë në interes të asnjë vendi dhe do të përbëjnë një sfidë për të gjithë”, deklaroi presidenti iranian.

Irani tha se një anije cisternë nafte u përfshi nga flakët pranë Ngushticës së Hormuzit pas shpërthimit të dy minave detare, sipas mediave shtetërore.
"Një anije cisternë që përpiqej të kalonte një rrugë të paligjshme në jug të Ngushticës së Hormuzit u përfshi nga flakët pas shpërthimit të dy minave detare ", tha Garda Revolucionare në një deklaratë.









Komente
Komento