Të paktën 16 persona u vranë dhe 130 mbetën të plagosur pasi Rusi sulmoi një nga qendrat tregtare më të mëdha në Ukrainë – në Krivyi Rih. Sipas mediave të huaja 9 persona rezultojnë të zhdukur, teksa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën për gjetjen e tyre nën rrënoja.
Presidenti Volodymyr Zelensky e cilësoi sulmin ‘cinik dhe të neveritshëm’. Ndërkohë Përfaqësuesja e Lartë e Çështjeve të Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha në një postim në X se ‘ky është terror i qëllimshëm’.
"Sulmi i Rusisë në një qendër tregtare në Krivyi Rih tregon shthurjen absolute dhe të plotë të luftës së Moskës. Ky është terror i qëllimshëm. Rusia dëshiron t'i bëjë qytetet ukrainase të pajetueshme. Do paraqesim listat më të gjera të sanksioneve kundër Rusisë që nga fillimi i luftës. Presioni duhet të intensifikohet derisa Moska të përfundojë luftën. Ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të BE-së do të diskutojnë se si të zgjerojnë mbështetjen tonë për Ukrainën, duke përfshirë mbrojtjen ajrore dhe raketore, kur të takohen pas më pak se dy javësh në Dublin", shkroi Kaja Kallas.
Pas këtyre sulmeve edhe forcat ukrainase ndërmorën një sulm ndaj Rusisë. Dronët ukrainas goditën një qendër logjistike në Ozon, në rajonin Samarë të Rusisë, duke shkaktuar një zjarr masiv.
Ky është "sulmi i parë" kundër gjigantit rus të tregtisë elektronike, i dyti vetëm pas Wildberries, qendrat e të cilit janë shënjestruar disa herë, raportoi Tass.
Vetë Presidenti rus Vladimir Putin pranoi se sulmet ukrainase po dëmtojnë ekonominë ruse, por ai shtoi se këto sulme kanë hapur 'kutinë e pandorës' dhe përgjigjja sipas tij do të jetë shkatërruese.
"Doni të prishni logjistikën tonë? Epo, atëherë masat hakmarrëse nuk do të vonojnë shumë", tha Putin në intervistë, pasi Kievi goditi depot e kompanive ruse të tregtisë elektronike Wildberries dhe Ozon.
Nga ana tjetër, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se ishte i tronditur nga sulmet e fundit ruse në Ukrainë, teksa premtoi dërgimin e më shumë raketave interceptuese për Kievin, me qëllim mbrojtjen e qiellit ukrainas.
"Është thelbësore që të gjitha vendet me këto burime t'i bashkohen kësaj përpjekjeje", theksoi presidenti francez në X - i cili zhvilloi sot një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ukraina ka intensifikuar në muajt e fundit sulmet ndaj objekteve energjetike ruse. Kievi i përshkruan ata si objektiva legjitime sepse ndihmojnë në financimin e luftës së Rusisë.
Presidenti rus Vladimir Putin nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe aktualisht Moska kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas në juglindje.
Lajm në përditësim…
Presidenti rus Vladimir Putin ka premtuar se Rusia do ta fitojë luftën që e nisi duke pushtuar Ukrainën.
"Për momentin, shumë varet nga uniteti ynë, nga guximi i ushtarëve dhe oficerëve rusë dhe nga çdo person i vetëm që përmbush me ndërgjegje rolin e tij për të kontribuar në fitore", theksoi Putin, duke folur në Moskë në një takim të partisë së tij Rusia e Bashkuar.
Një muaj para zgjedhjeve parlamentare, presidenti rus përsëriti mbështetjen e tij për partinë e mbështetur nga Kremlini, të cilën e vlerësoi si forcën kryesore politike të vendit dhe më me përvojë.
Putin dhe udhëheqësi i partisë, Dmitry Medvedev kanë shprehur besimin e tyre se Rusia do ta fitojë luftën kundër Ukrainës, të cilën Kremlini e nisi në vitin 2022.
"Rusia do të rifitojë gjithnjë e më shumë territor. Ushtria jonë e guximshme e vërteton këtë edhe një herë", theksoi Medvedev, i cili është gjithashtu nënkryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Medvedev e përshkroi Ukrainën si një "shtet fantazmë" në procesin e shpërbërjes, pasi tashmë ka humbur 20% të territorit të saj dhe gjysmën e popullsisë së saj. Miliona ukrainas kanë ikur nga vendi si refugjatë lufte, shtoi ai.
Pavarësisht presionit të paparë të jashtëm, Rusia po shkon drejt fitores, tha Medvedev, duke premtuar se Perëndimi nuk do të ketë sukses në shtypjen e Rusisë. Medvedev, ish-presidenti rus, dënoi gjithashtu ata që janë larguar nga Rusia dhe që dëshirojnë humbjen e vendit të tyre në luftë, duke i quajtur ata "tradhtarë". Këta "buburreca", tha ai, nuk duhet të lejohen kurrë të kthehen në vend.
Në fjalimin e tij, Putin argumentoi se e gjithë Rusia, "e gjithë shoqëria civile", qëndron pas ushtarëve. Fjalimi i Putinit vjen vetëm disa javë para zgjedhjeve parlamentare ruse, të planifikuara për 18-20 shtator. Partia pacifiste Yabloko, e cila gëzonte mbështetje të gjerë në Rusi, u përjashtua nga zgjedhjet pas një rritjeje të ndjeshme të popullaritetit. Dhjetë parti tani mbeten në garë për zgjedhjet, të cilat mbështesin të gjitha luftën e Moskës kundër Ukrainës.
Putin shpreson për një pjesëmarrje të lartë votuesish në zgjedhjet e Dumës. Qëllimi i tij është gjithashtu të tregojë se Rusia, ndryshe nga Ukraina, mban zgjedhje edhe në kohë lufte, një pikë për të cilën ai shpesh e ka kritikuar Kievin.
Këto zgjedhje ndryshojnë nga zgjedhjet e mëparshme të Dumës sepse, për herë të parë, banorët e zonave të kontrolluara nga Rusia të rajoneve ukrainase të Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia, të aneksuara nga Moska, janë gjithashtu të thirrur të votojnë. Kjo përfaqëson një përpjekje të mëtejshme nga Moska për të konsoliduar aneksimin e paligjshëm të këtyre territoreve.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar ditën e sotme një bisedë telefonike me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky.
Macron tha se ishte i tronditur me sulmet e fundit ruse në një qendër tregtare në Ukrainë dhe njoftoi dërgimin e raketave të reja interceptuese për t’i siguruar Kievit mjetet e nevojshme për mbrojtjen e hapësirës ajrore.
"Është thelbësore që të gjitha vendet me këto burime t'i bashkohen kësaj përpjekjeje", theksoi presidenti francez në rrjetin social ‘X’, pas bisedës telefonike të zhvilluar me Zelenkyn.
Premtimi i Macron për raketa të reja interceptuese vjen në një kohë kur Ukraina po vuan nga mungesa e interceptorëve përballë breshërisë së raketave balistike ruse që lëshohen çdo ditë kundër vendit.
Në këtë kontekst, Koalicioni i Vullnetarëve për Ukrainën, i cili bashkon vendet që mbështesin Kievin, do të takohet të hënën në mesditë; takimi do të bashkë-kryesohet nga Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe për herë të parë edhe nga kryeministri i ri britanik Andy Burnham.

Rusia duhet të zgjerojë sistemin e saj të mbrojtjes ajrore dhe të përmirësojë koordinimin midis agjencive të sigurisë dhe atyre civile, deklaroi Presidenti rus Vladimir Putin në një intervistë me agjencinë e lajmeve Vesti.
"Ne do ta përmirësojmë sistemin e mbrojtjes ajrore dhe do të zgjerojmë aftësitë e tij. Ne duhet të përmirësojmë koordinimin midis agjencive të zbatimit të ligjit dhe agjencive civile në të gjitha nivelet dhe të shfrytëzojmë aftësitë e ndërmarrjeve shtetërore dhe private", deklaroi udhëheqësi i Kremlinit, siç raportohet nga RIA Novosti.
Komentet e Putin vijnë pasi Ukraina gjatë muajve të fundit i ka zgjeruar sulmet brenda territorit rus, duke goditur me dronë disa prej objekteve kyçe industriale të Rusisë.

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se Kievi ndodhet në një situatë të vështirë ndaj edhe sipas tij po kryejnë sulme barbare.
"Sa më e vështirë bëhet situata për armikun, aq më barbare bëhen sulmet e regjimit të Kievit", tha Vladimir Putin . Këto sulme demonstrojnë thelbin banderit (pasues i udhëheqësit ultranacionalist ukrainas Stepan Bandera), neo-nazist dhe rusofob të forcës kundër së cilës po luftojmë. I gjithë komuniteti civil qëndron me burrat tanë në uniformë”, tha Putin.







Komente
Komento