Një sulm i fortë ukrainas ndaj një baze të shërbimeve sekrete ruse, stërvitje bërthamore të Putinit me Bjellorusinë dhe sulme me dronë qindra kilometra larg kufirit dominuan zhvillimet e së enjtes në luftën Ukrainë-Rusi.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se forcat speciale ukrainase kanë goditur një bazë të FSB-së, shërbimit sekret rus, në fshatin Genicheska Hirka në rajonin e Khersonit. Sipas tij, sulmi u krye me dronë dhe shkaktoi rreth 100 viktima dhe të plagosur.
Bashkë me deklaratën, Zelensky publikoi edhe video nga momenti i goditjes, ku shihen disa ndërtesa që goditen pothuajse njëkohësisht. “Rusët duhet ta ndjejnë nevojën për t’i dhënë fund kësaj lufte”, deklaroi presidenti ukrainas. FSB-ja është një nga strukturat më të fuqishme të sigurisë në Rusi dhe merret me inteligjencën, kundërspiunazhin dhe operacionet e sigurisë së brendshme.
There are good results from the warriors of the SSU Special Operations Center “A.” A Russian FSB headquarters has been struck, and a Pantsir-S1 surface-to-air missile system has been destroyed in our temporarily occupied territory. Thanks to just this one operation, Russian… pic.twitter.com/mSS7Shf1AI
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) May 21, 2026
Por ky nuk ishte sulmi i vetëm i ditës. Ukraina mori përsipër edhe goditjen ndaj rafinerisë së naftës në qytetin rus Syzran, rreth 800 kilometra larg kufirit ukrainas. Zelensky e quajti sulmin “një tjetër sanksion me rreze të gjatë” ndaj industrisë ruse të naftës dhe falënderoi njësitë speciale ukrainase për operacionin.
Autoritetet ruse raportuan dy viktima nga sulmi dhe thanë se gjatë natës janë interceptuar 121 dronë ukrainas mbi rajone të ndryshme ruse dhe Detin Kaspik. Sipas mediave ukrainase dhe disa kanaleve ruse në Telegram, rafineria u përfshi nga flakët pas shpërthimeve.
Sulmet me dronë brenda territorit rus janë shtuar ndjeshëm gjatë vitit 2026, me Ukrainën që po godet gjithnjë e më shpesh objektiva energjetike dhe infrastruktura strategjike larg vijës së frontit.
Në të njëjtën kohë, Moska rriti tonet ushtarake me stërvitje të përbashkëta bërthamore me Bjellorusinë. Vladimir Putin dhe Aleksander Lukashenko ndoqën nga videolidhja manovrat ku morën pjesë forcat raketore strategjike, Flota e Veriut, Flota e Paqësorit dhe aviacioni me rreze të gjatë.
Lukashenko deklaroi se Rusia dhe Bjellorusia “nuk kërcënojnë askënd”, por janë gati të mbrojnë territorin “nga Bresti në Vladivostok”, ndërsa Putin tha se arsenali bërthamor duhet të mbetet “garant i sovranitetit”. Stërvitjet nisën më 18 maj në Bjellorusi dhe sipas Moskës kanë për qëllim testimin e gatishmërisë luftarake dhe koordinimin e forcave bërthamore të dy vendeve.
Tensioni u ndje edhe jashtë Rusisë dhe Ukrainës. Letonia raportoi hyrjen e të paktën një droni në hapësirën e saj ajrore, ndërsa Lituania vazhdon kërkimet për një dron ushtarak që shkaktoi alarm kombëtar pranë Vilniusit. Autoritetet lituaneze aktivizuan procedurat e emergjencës dhe disa liderë politikë u strehuan në bunkerë.
Në planin diplomatik pati edhe sinjale për negociata. Kremlini deklaroi se Kina është e gatshme të ndihmojë për një zgjidhje paqësore të konfliktit, pas takimit mes Xi Jinping dhe Vladimir Putin në Pekin. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se Pekini është “realisht i gatshëm të kontribuojë për paqen”.
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz propozoi që Ukraina të marrë një status të veçantë në Bashkimin Europian si “anëtare e asociuar”, përpara anëtarësimit të plotë. Sipas propozimit, Ukraina mund të marrë pjesë në institucionet europiane dhe të përfitojë garanci sigurie, edhe pse pa të drejtë vote në fazën e parë.
Një tjetër zhvillim erdhi nga OKB-ja, ku përfaqësuesi ukrainas Andriy Melnyk kërkoi heqjen e Rusisë nga statusi i anëtares së përhershme në Këshillin e Sigurimit, duke akuzuar Moskën për dhunë sistematike ndaj civilëve ukrainas.
Në fund të ditës, Zelensky deklaroi se shpreson që bisedimet për paqe me Rusinë të rifillojnë në javët e ardhshme, me përfshirjen edhe të vendeve europiane.
Komente










