SHBA dhe Irani kanë rënë dakord për një armëpushim dyjavor me kusht që të rihapet Ngushtica e Hormuzit. Irani ka konfirmuar se “për një periudhë dyjavore, kalimi i sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit do të jetë i mundur”.

Pakistani, i cili ka vepruar si ndërmjetës, i ka ftuar të dyja palët për bisedime në Islamabad të premten, për “zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve.”

Irani ka një plan me 10 pika për armëpushimin, të cilat janë:

  1. Ndërprerje e plotë e luftës në Irak, Liban dhe Jemen
  2. Ndërprerje e plotë dhe e përhershme e luftës kundër Iranit, pa kufi kohor
  3. Përfundimi i të gjitha konflikteve në rajon në tërësinë e tyre
  4. Rihapja e Ngushticës së Hormuzit
  5. Vendosja e një protokolli dhe kushteve për të garantuar lirinë dhe sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit
  6. Pagesa e plotë e kompensimit për kostot e rindërtimit për Iranin
  7. Angazhim i plotë për heqjen e sanksioneve ndaj Iranit
  8. Lirimi i fondeve iraniane dhe aseteve të ngrira të mbajtura nga Shtetet e Bashkuara
  9. Irani angazhohet plotësisht të mos kërkojë zotërimin e armëve bërthamore
  10. Armëpushimi i menjëhershëm hyn në fuqi në të gjitha frontet sapo të miratohen kushtet e mësipërme.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, i cili ka ndërmjetësuar negociatat, deklaroi hyrjen e menjëhershme në fuqi të armëpushimit.

“Me përulësinë më të madhe, kam kënaqësinë të njoftoj se Republika Islamike e Iranit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me aleatët e tyre, kanë rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm kudo, përfshirë Libanin dhe vende të tjera, me efekt të menjëhershëm.”

Armëpushimi erdhi pak më shumë se një orë para afatit të Trump për Iranin që të arrinte një marrëveshje, përndryshe “një qytetërim i tërë do të shuhej”.

Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm që nga njoftimi i armëpushimit dhe tani tregtohen dukshëm nën 100 dollarë për fuçi.

Shumë vende kanë lëshuar deklarata duke mirëpritur armëpushimin e përkohshëm, përfshirë Koreinë e Jugut, Zelandën e Re dhe Irakun, së bashku me reagime nga Australia, Japonia dhe Pakistani.

Lajm në përditësim…

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:30
Përjashtoi Libanin nga armëpushimi, nuk vonon paralajmërimi i Izraelit: Evakuohuni menjëherë!

Forcat ushtarake izraelite kanë lëshuar një urdhër të ri evakuimi për banorët e qytetit Tyre në jug të Libanit.

“Evakuohuni menjëherë” dhe zhvendosuni në veri të lumit Zahrani “për sigurinë tuaj”, thuhet në njoftim.

Izraeli më herët tha se e mbështet armëpushimin SHBA-Iran, por ai nuk përfshin Libanin”.

Ora 07:50
‘Fitore e plotë’, Trump shpall triumfin për SHBA-të: Besoj se Kina e bindi Iranin për të negociuar

Presidenti Donald Trump thotë se nuk ka asnjë dyshim që SHBA-të kanë arritur një “fitore totale dhe të plotë” pas arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim dyjavor me Iranin.

Në një intervistë për Agence France-Presse pas njoftimit të tij, ai tha se uraniumi i pasuruar i Iranit do të “trajtohet në mënyrë të përsosur” sipas marrëveshjes.

“Ose përndryshe nuk do ta kisha pranuar,” tha Trump, pa dhënë detaje konkrete se çfarë do të ndodhë me uraniumin.

Kur u pyet nëse do t’u rikthehej kërcënimeve të tij fillestare për të shkatërruar centralet civile dhe urat e Iranit nëse marrëveshja dështon, ai u përgjigj vetëm: “Do ta shihni.”

Trump, i cili pritet të udhëtojë në Kinë muajin e ardhshëm për t’u takuar me homologun e tij kinez Xi Jinping, tha se beson që Kina ka kontribuar në sjelljen e Iranit në tryezën e negociatave për të rënë dakord për armëpushimin dyjavor.

Ora 07:39
‘Ditë e madhe për paqen botërore!’ Trump entuziast për ‘Epokën e Artë’: Irani mund të nisë rindërtimin

Trump ka postuar në Truth Social duke u shprehur se është një “ditë e madhe për Paqen Botërore!”

“Irani dëshiron që kjo të ndodhë, atyre u ka ardhur në majë të hundës! Po ashtu edhe të gjithëve të tjerëve!”

Ai thekson se SHBA-të do të “ndihmojnë me bllokimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzit”, duke vazhduar:

“Do të ketë shumë veprime pozitive! Do të bëhen para të mëdha. Irani mund të fillojë procesin e rindërtimit. Ne do të furnizohemi me lloje të ndryshme mallrash dhe thjesht do të ‘rrimë rrotull’ për t’u siguruar që gjithçka të shkojë mirë. Ndihem i sigurt se do të ndodhë kështu. Ashtu siç po përjetojmë në SHBA, kjo mund të jetë Epoka e Artë e Lindjes së Mesme!”

Ora 07:34
Izraeli reagon pas armëpushimit SHBA-Iran: Mbështesim vendimin e presidentit Trump, Libani nuk përfshihet

Izraeli ka publikuar një deklaratë zyrtare mbi armëpushimin SHBA-Iran, ku thuhet:

“Izraeli ka mbështetur vendimin e presidentit Trump për të pezulluar sulmet kundër Iranit për dy javë, me kusht që Irani të hapë menjëherë ngushticat dhe të ndalojë të gjitha sulmet ndaj SHBA-ve, Izraelit dhe vendeve në rajon.

Izraeli gjithashtu mbështet përpjekjet e SHBA-ve për të siguruar që Irani të mos përbëjë më një kërcënim bërthamor, raketor dhe terrorist ndaj Amerikës, Izraelit, fqinjëve arabë të Iranit dhe botës.

Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Izraelit se janë të përkushtuara për arritjen e këtyre objektivave, të përbashkëta për SHBA-të, Izraelin dhe aleatët rajonalë të Izraelit, në negociatat e ardhshme.”

Armëpushimi dyjavor nuk përfshin Libanin, ka dekaruar Izraeli, ndonëse më herët Pakistani dhe Irani thanë se armëpushimi përfshinte edhe Libanin.

Ora 07:18
10 kushte për paqen, zbardhet plani i armëpushimit të Iranit! Këshilli i Sigurisë: Fitorja në terren të konsolidohet edhe në negociata

 

Irani ka konfirmuar armëpushimin e dyanshëm me SHBA-të duke siguruar se për dy javë, kalimi i sigurt në Ngushticën e Hormuzit do të jetë i mundur. “Kjo do të ndodhë “nëpërmjet koordinimit me Forcat e Armatosura të Iranit dhe duke marrë parasysh kufizimet teknike”, thotë ai.

Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka deklaruar se pas armëpushimit të kushtëzuar, negociatat do të zhvillohen në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, brenda një periudhe maksimale prej 15 ditësh, në mënyrë që detajet të “finalizohen”. Deklarata thotë se negociatat do të zhvillohen në mënyrë që “fitorja e Iranit në terren të konsolidohet edhe në negociatat politike.”

Ndërkohë, televizioni kombëtar iranian ka njoftuar edhe 10 pikat e planit të Iranit për armëpushimin, ku kërkohet:

  1. Ndërprerje e plotë e luftës në Irak, Liban dhe Jemen
  2. Ndërprerje e plotë dhe e përhershme e luftës kundër Iranit, pa kufi kohor
  3. Përfundimi i të gjitha konflikteve në rajon në tërësinë e tyre
  4. Rihapja e Ngushticës së Hormuzit
  5. Vendosja e një protokolli dhe kushteve për të garantuar lirinë dhe sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit
  6. Pagesa e plotë e kompensimit për kostot e rindërtimit për Iranin
  7. Angazhim i plotë për heqjen e sanksioneve ndaj Iranit
  8. Lirimi i fondeve iraniane dhe aseteve të ngrira të mbajtura nga Shtetet e Bashkuara
  9. Irani angazhohet plotësisht të mos kërkojë zotërimin e armëve bërthamore
  10. Armëpushimi i menjëhershëm hyn në fuqi në të gjitha frontet sapo të miratohen kushtet e mësipërme.