Lufta në Ukrainë/ Kievi: Nuk jemi të interesuar për aneksime, tani kontrollojmë 74 vendbanime! Moska në OKB: Ata do të pendohen

Presidenti rus Vladimir "Putini është i shqetësuar. Ai po kërkon me ngulm ndihma dhe armatime ushtarake - dhe po i drejtohet vendeve si Irani dhe Koreja e Veriut.

“Kjo është e rrezikshme, padyshim, për popullsinë e Ukrainës, duke pasur parasysh se raketat vazhdojnë të bien mbi ta dhe infrastrukturën e tyre energjetike. Është gjithashtu e rrezikshme për rajonin Indo-Paqësor”, ka thënë gjatë një konference shtypi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby.

Më tej Kirby shtoi se në qoftë se Moskës nuk i pëlqen inkursioni i armatosur ukrainas në rajonin rus të Kurskut, presidenti rus Vladimir Putin "thjesht mund të largohet nga Ukraina".

"Kjo është lufta e Putinit ndaj Ukrainës dhe nëse nuk e pëlqen atë, atëherë ka një zgjidhje të thjeshtë: ai mund të largohet nga Ukraina dhe të përfundojë luftën”, theksoi ai.

Ukraina tani kontrollon 74 vendbanime në rajonin kufitar të Kurskut të Rusisë. Këshu ka thënë presidenti Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes postuar në Telegram.

Ndërkohë sipas versionit rus, janë 28 vendbanime të kontrolluara nga forcat ukrainase në Kursk.

Nga ana tjetër Dmitry Polyansky, zëvendësi i parë i përfaqësuesit të përhershëm të Rusisë në Kombet e Bashkuara, ka deklaruar se sulmi nga ushtria e Kievit "është një hap për të cilin Ukraina pa dyshim do të pendohet shumë".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:58
DASH: SHBA nuk është përfshirë në asnjë aspekt të operacionit ukrainas brenda Rusisë

Shtetet e Bashkuara nuk janë angazhuar në asnjë aspekt të planifikimit apo përgatitjes së sulmit të papritur të Ukrainës në Rusi, tha zëvendes zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Vedant Patel për gazetarët të martën.

Ukraina e zuri Moskën të papërgatitur duke dërguar mijëra trupa në rajonin perëndimor rus të Kurskut, në një operacion në të cilin Kievi thotë se ka marrë nën kontroll 1000 kilometra katrorë, fitorja më e madhe në terren që nga 2022.

Ukraina tha të martën se nuk ka interes që ta mbajë për një kohë të gjatë territorin që ka arritur të vërë nën kontroll, por se ndërkohë, mund të vështirësojë përpjekjet e Moskës për të çuar më përpara trupat e saj në vijën e frontit, në lindje të Ukrainës.

Ndryshe nga Rusia, Ukraina nuk ka nevojë për pasurinë e njerëzve të tjerë”, tha zëdhënësi i ministrisë të Jashtme Georgiy Tykhy për gazetarët në Kiev. “Ukraina nuk është e interesuar të marrë territorin në rajonin Kurs, por ne duam të mbrojmë jetët e njerëzve tanë”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se duhet të theksohet se “operacioni në Kursk ndihmon në vijën e frontit sepse e pengon Rusinë që të dërgojë njësi shtesë në rajonin e Donetskut dhe ndërlikon logjitiskën ushtarake”.

Ora 21:55
Ukraina merr 4.2 miliardë euro nga BE

Ukraina ka marrë 4.2 miliardë euro nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit të Lehtësimit të Ukrainës. Fondet do të përdoren për sferën sociale dhe humanitare. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Denys Shmyhal në llogarinë e tij në Telegram, transmeton Ukrinform.

"Ukraina ka marrë 4.2 miliardë euro nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit ‘Ukraina Facility’. Qeveria do t'i përdorë këto fonde për programe sociale, ndihma humanitare dhe programe të tjera të rëndësishme buxhetore. Ne vazhdojmë të financojmë shpenzimet ushtarake vetëm nga burimet tona", informoi ai.

Shmyhal vuri në dukje se që nga fillimi i vitit, BE i ka dhënë Ukrainës më shumë se 12 miliardë euro mbështetje buxhetore. Kryeministri theksoi se qeveria vazhdon të zbatojë reforma të rëndësishme për qëndrueshmërinë, zhvillimin dhe të ardhmen e Ukrainës.

"Partnerët evropianë mbështesin këto përpjekje. Ne presim të marrim një këst tjetër ndihme deri në fund të vitit. Falenderojmë BE-në për solidaritetin e saj me Ukrainën në luftën tonë për liri dhe pavarësi", shtoi ai.

Siç raportoi Ukrinform, Ministria e Financave e Ukrainës tërhoqi më shumë se 93 miliardë dollarë mbështetje buxhetore nga partnerët ndërkombëtarë që nga shkurti i vitit 2022.KosovaPress

Ora 18:14
Lufta në Ukrainë/ Moska në OKB: Ata do të pendohen

Pushtimi ukrainas në rajonin rus të Kurskut "është mohimi më i mirë për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që pretenduan se regjimi i Kievit ishte i orientuar drejt një zgjidhjeje paqësore të krizës ukrainase. Përgjigja është marrë dhe është një zgjedhje e qartë në favor të përshkallëzimit të situatës. Mos thoni që nuk ju paralajmëruam”.

Kështu deklaroi zëvendësi i parë i përfaqësuesit të përhershëm të Rusisë në Kombet e Bashkuara, Dmitry Polyansky, gjatë një takimi jozyrtar të Këshillit të Sigurimit mbi "krimet e forcave të armatosura të Ukrainës dhe batalioneve kombëtare". Lajmi është bërë i ditur nga agjencia Tass.

Polyanskyy theksoi se sulmi nga ushtria e Kievit "është një hap për të cilin Ukraina pa dyshim do të pendohet shumë".

Ora 17:30
Kievi: Ne nuk jemi të interesuar të aneksojmë territorin e Kurskut

Kievi nuk është i interesuar të pushtojë territorin e rajonit të Kurskut. Objektivat e Forcave të Armatosura të Ukrainës janë vetëm strukturat ushtarake ruse dhe kontigjentet ushtarake.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tyhiy, raporton Rbc-Ukraine.

"Ishte Rusia që solli luftën në Ukrainë dhe është e drejtë që kjo luftë tani të kthehet në territorin rus. Sa më shpejt që Rusia të pranojë të rivendosë një paqe të drejtë, aq më shpejt do të ndalen inkursionet ukrainase në territorin rus", tha ai.

Ndërkohë, Moska ka bërë të ditur se forcat ruse kanë refuzuar përpjekjet e reja të forcave ukrainase për të avancuar në territorin e rajonit të Kurskut, ndërsa 2000 civilë të tjerë janë larguar nga zonat e luftimeve në rajonin rus të Kurskut në 24 orët e fundit.

Xh.K/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Dronë misteriozë shihen mbi 3 baza amerikane në Britani

Dronë misteriozë shihen mbi 3 baza amerikane në Britani