Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Ukraina t’i mbajë zgjedhjet, potencialisht deri në fund të vitit, sidomos nëse Kievi arrin marrëveshje armëpushimi me Rusinë në muajt vijues, ka thënë zyrtari amerikan, Keith Kellogg, për agjencinë e lajmeve Reuters.

Kellogg, i dërguari amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, ka thënë se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Ukrainës, të pezulluara gjatë luftës, “duhet të mbahen”.

“Shumica e vendeve demokratike mbajnë zgjedhje në kohë lufte. Mendoj se është e rëndësishme që ta bëjnë këtë gjë. Është mirë për demokracinë. Ajo është e mira e demokracisë solide, kur keni më shumë se një person në garë”, shprehet Keith Kellogg.

Trump dhe Kellogg kanë thënë se janë duke punuar në një plan për të ndërmjetësuar një marrëveshje në muajt e parë të administratës amerikane, për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, që ka nisur që prej shkurtit të vitit 2022.

Ata kanë  dhënë pak detaje për strategjinë e tyre për dhënie fund të konfliktit më vdekjeprurës në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore.

Plani i Trump është ende në diskutim dhe nuk është marrë asnjë vendim politik, por Kellogg dhe zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë kanë diskutuar ditët e fundit duke e shtyrë Ukrainën të bjerë dakord për zgjedhjet si pjesë e një armëpushimi fillestar me Rusinë.

Aktualisht është e paqartë si mund të pritet propozimi i Trumpit në Kiev.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Ukraina do t’i mbajë zgjedhjet këtë vit, nëse luftimet marrin fund, dhe nëse do të ketë garanci të forta për siguri, të cilat do t’ia pamundësojnë Rusisë rikthimin e armiqësive, citon Reuters.

Një këshilltar i lartë në Kiev dhe një burim brenda Qeverisë ukrainase, kanë thënë për Reutersin se administrata Trump nuk ka kërkuar zyrtarisht nga Ukraina që t’i mbajë zgjedhjet presidenciale deri në fund të vitit.