Bisedimet indirekte mes Teheranit dhe Uashingtonit, vazhdojnë me Pakistanin që po vepron si ndërmjetës. Kështu raporton agjencia iraniane ISNA, sipas së cilës të dyja palët po shkëmbejnë aktualisht mesazhe dhe projekt-tekste në përpjekje për të krijuar një kornizë për një marrëveshje.
Fund i operacioneve ushtarake, armëpushim i menjëhershëm, i plotë dhe pa kushte në të gjitha frontet, si edhe garanci për lirinë e lundrimit në Gjirin Persik, në Ngushticën e Hormuzit dhe në Gjirin e Omanit.
Këto do të ishin disa nga pikat e përfshira në “draftin përfundimtar” të një marrëveshjeje të mundshme mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, me ndërmjetësimin e Pakistanit, sipas televizionit satelitor Al Arabiya në llogarinë e tij në X në anglisht, duke cituar burime të veta, sipas të cilave një njoftim mund të vijë në çështje orësh.
Shërbimi arab i televizionit, megjithatë kufizohet të flasë për një optimizëm të kujdesshëm duke cituar burime pakistaneze.
Sipas raportimeve, teksti parashikon gjithashtu: një angazhim të ndërsjellë të palëve për të mos goditur infrastrukturat ushtarake, civile apo ekonomike;
respektimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme; krijimin e një mekanizmi të përbashkët për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Sipas këtij drafti, negociatat për çështjet e pazgjidhura do të nisnin brenda shtatë ditësh, ndërsa heqja graduale e sanksioneve amerikane parashikohet në këmbim të angazhimit të Iranit për të respektuar kushtet e marrëveshjes.
Burimi pakistanez për kanalin arab theksoi se nuk ekziston alternativë tjetër përveç një marrëveshjeje të përkohshme mes SHBA-së dhe Iranit. Burimi konfirmoi gjithashtu se “ulja e dallimeve nuk është e lehtë, sepse të dyja palët kanë kërkesa të larta”.
Më tej u theksua se “kontaktet vazhdojnë për të ngushtuar hendekun mbi çështjet e uraniumit dhe Ngushticës së Hormuzit”.
Burimi vuri në dukje se “pika kritike e negociatave ka qenë dhe mbetet mënyra se si do të trajtohet uraniumi shumë i pasuruar”, duke shtuar se “çështjet kryesore të marrëveshjes kërkojnë një periudhë të gjatë negociatash”.
Emiratet e Bashkuara Arabe vlerësojnë se mundësia për arritjen e një marrëveshjeje është “50 me 50”.
“Shanset janë 50-50,” deklaroi Anëar Gargash, këshilltar i Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
Për hapa përpara foli edhe Sekretari Amerikan I Shtetit Marco Rubio në nisje drejt Europës.
"Po presim ende lajme nga bisedimet që po zhvillohen aktualisht. Janë regjistruar disa përparime të lehta. Nuk dua ta teproj, por ka pasur një përmirësim të vogël dhe kjo është pozitive. Parimet themelore mbeten të njëjta: Irani nuk do të mund të pajiset kurrë me armë bërthamore", tha Rubio.
Rubio u shpreh gjithashtu kundër idesë së një sistemi tarifash të implementuar nga Irani në ngushticën e Hormuzit. Nëse Iranit do t’i lejohej të krijonte një sistem tarifash për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit, do të krijohej një precedent dhe vende të tjera që kanë mundësi ta bëjnë këtë do të ndiqnin të njëjtin shembull, shpjegoi ai.

Foto: Esmail Baghaei
"Nuk mund të themi domosdoshmërisht se kemi arritur në një pikë ku një marrëveshje" me Shtetet e Bashkuara "është e afërt".
Kështu deklaroi Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei.
Ai theksoi se megjithëse shkëmbimet me kryenegociatorin e Pakistanit, Asim Munir, janë bërë më të shpeshta, "ato përfaqësojnë një vazhdim të të njëjtit proces diplomatik".

Foto: Marco Rubio
Shtetet e Bashkuara "shpresojnë të arrijnë një marrëveshje" me Iranin për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të braktisur ambiciet e tij bërthamore. Negociatat janë duke vazhduar dhe është arritur njëfarë "përparimi" i pranuar, por mbetet shumë për t'u bërë.
"Është thelbësore të "zhvillohet një Plan B" për skenarët në të cilët Irani refuzon të rihapë Ngushticën ose vendos një taksë. Duhet të fillojmë të mendojmë se çfarë do të bëjmë nëse, brenda pak javësh, Irani vendos ta mbajë të mbyllur", tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio.
Një ekip negociator i Katarit mbërriti në Teheran të premten në koordinim me Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar në sigurimin e një marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës me Iranin dhe për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, tha të premten për Reuters një burim që kishte njohuri mbi çështjen.
Doha, e cila ka punuar si ndërmjetëse në luftën e Gazës, por edhe gjatë konflikteve të tjera globale, deri më tani është distancuar nga luajtja e një roli ndërmjetësues në luftën e Iranit, pasi u sulmua nga raketat dhe dronët iranianë gjatë konfliktit të fundit.
“Një ekip negociator i Katarit është në Teheran të premten”, tha burimi, duke shtuar se ekipi kishte udhëtuar në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe ishte atje për të ndihmuar “në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që do t’i jepte fund luftës dhe do të adresonte çështjet e pazgjidhura me Iranin”.
Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit nuk pranoi të komentonte mbi raportin.
Komente





