Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale u ndal ditën e sotmë në një dëgjesë publike në Dibër.
Përmendja specifike e Reformës Territoriale nga IBAR, teksa BE miratoi fazën hyrëse duke çelur kështu fazën përmbyllëse të negociatave me Shqipërinë, ka qenë fokusi i fjalës së bashkëkryetarit të komisionit të posaçëm të reformës territoriale Arbjan Mazniku, i cili nga Dibra theksoi se ky është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe vlerësim për punën e këtij komsioni.
Sipas Maznikut, Shqipëria ndodhet në një moment historik të procesit të integrimit, ku pushteti vendor dhe reforma territoriale po marrin një rol kyç në përgatitjen e vendit për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Përmendja specifike në dokumentin e miratuar sot na jep një përgjegjësi edhe më të madhe për të zhvilluar një diskutim serioz dhe për të ndërtuar një mekanizëm të qëndrueshëm për pushtetin vendor, që të qeverisim më mirë dhe të tërheqim me sukses financimet e nevojshme nga Bashkimi Europian”, theksoi ai.
Më tej ai ritheksoi sfidat kryesore të reformës territoriale, ku në fokus vendosi ndërtimin e bashkive më eficiente dhe aftësinë e tyre për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët. Një tjetër sfidë, sipas tij, janë ndryshimet e mëdha demografike që po kalon vendi, me lëvizjen e popullsisë nga zonat rurale drejt qyteteve të mëdha.
"Na duhet një efiçencë më e lartë e bashkive në ushtrimin e kompetencave që u jep ligji, pasi sot një pjesë e tyre nuk arrijnë t’i zbatojnë plotësisht. Së dyti, përballemi me sfidën demografike të lëvizjes së vazhdueshme të popullsisë nga periferia drejt qendrave urbane, ku pjesa më e madhe e qytetarëve janë të përqendruar në qytetet e mëdha, çka kërkon një pushtet vendor të përshtatur me këtë realitet të ri. Së treti, duhet të garantojmë një zhvillim të qëndrueshëm dhe të njëtrajtshëm në të gjithë territorin, duke zbehur diferencat dhe duke ndërtuar njësi vendore më të balancuara dhe më të forta,” vijoi Mazniku.
Sipas tij, sfida kryesore mbetet aftësia e institucioneve vendore për të ndërtuar mekanizma të qëndrueshëm dhe për të përthithur me sukses financimet europiane në funksion të zhvillimit të çdo njësie vendore.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari demokrat i Komisionit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, është shprehur se PD e konsideron të domosdoshme miratimin e Reformës me konsensus mes palëve.
“Dua të fokusohem fillimisht tek ajo që sot po konsiderohet si shumë e rëndësishme në raport me proceset europiane dhe konsensusin politik. E vërteta është që Bashkimi Europian kërkon konsensus politik. Kërkon që proceset e rëndësishme të mbështeten nga të dyja palët politike. Nuk kërkon një mazhorancë që imponon variantin e saj vetëm sepse ka votat dhe një opozitë që mbetet jashtë sepse nuk i ka ato. Pra, BE kërkon konsensus dhe kërkon që të dëgjohen qytetarët. Ne si Parti Demokratike e kemi kërkuar këtë gjë dhe e konsiderojmë të domosdoshme”, tha mes të tjerash Boçi.
Teksa e cilësoi të dështuar Reformën Territoriale të vitit 2014, Boçi theksoi gjithashtu se nevojitet një numër më i lartë i bashkive, në mënyrë që shërbimet t’u ofrohen më mirë qytetarëve. Për Boçin, shpopullimi ishte prova më e qartë e dështimit të Reformës së vitit 2014.
“Ne besojmë se arkitektura e shtetit në territor është Reforma Territoriale dhe ajo nuk është pronë e qeverisë, por pronë e qytetarëve. Nëse realizojmë një reformë pa konsultuar qytetarët, atëherë kemi një reformë pa taban, si ajo e vitit 2014.
Difekti kryesor i reformës së vitit 2014 ishte pikërisht moskonsiderimi i mendimit të qytetarëve. Reforma nisi nga harta dhe përfundoi tek kompetencat dhe qytetarët, duke krijuar probleme serioze. Problemet e Dibrës nuk janë të njëjta me ato të Elbasanit apo Tiranës. Prandaj na duhet të marrim mendimin e qartë të qytetarëve.
Sot jemi në një reformë të re pas 12 vitesh dhe duket sikur jetojmë në një regjim reformash të pafundme. Por ne nuk jemi sot këtu sepse kemi probleme administrative, sepse administrimin mund ta rregullojë qeveria. Ne jemi këtu për shkak të shqetësimeve të qytetarëve dhe për shkak të dështimit të reformës së vitit 2014”, vijoi Boçi.
Komente










