Pentagoni po planifikon dërgimin e 3 mijë trupave shtesë në Lindjen e Mesme, për t’u angazhuar në operacionet kundër Iranit. Wall Street Journal raporton se një urdhër me shkrim për dërgimin e tyre pritet brenda disa orësh.
Nga ana tjetër, lidhur me situatën e rënduar për shkak të konfliktit me Iranin, ka reaguar edhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i cili deklaroi se Izraeli po minon paqen në rajon me veprimet e tij.
Po ashtu Erdogan tha se lufta në Lindjen e Mesme është një luftë personale për pushtet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Ai i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të mos e lejojnë Izraelin që të sabotojë një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund luftimeve.
Më herët ditën e sotme, në një artikull të New York Times thuhej se udhëheqësi de facto i Arabisë Saudite, Princi Mohammed bin Salman, ka inkurajuar Presidentin Donald Trump që të vazhdojë luftën kundër Iranit, duke argumentuar se fushata ushtarake SHBA-Izrael paraqet një "mundësi historike" për të rindërtuar Lindjen e Mesme.
Megjithëse ditët e fundit Presidenti Trump ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje me Teheranin për t’i dhënë fund luftimeve, për zyrtarët izraelitë nuk ka gjasa që Irani të pranojë kërkesat e SHBA-së.
Luftimet e ashpra mes palëve kanë vijuar edhe ditën e sotme, pasi Irani nisi një valë të re raketash kundër Izraelit, disa orë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përshëndeti bisedimet “shumë të mira” për t’i dhënë fund luftës, pavarësisht se Teherani mohoi se kishte ndodhur ndonjë dialog.
Si pasojë e goditjes nga një raketë balistike, 6 persona u plagosën në Tel Aviv. Ndërkohë pas këtyre sulmeve Izraeli u kundërpërgjigj duke bombarduar dy impiante energjetike iraniane dhe një gazsjellës.

Organizata e Energjisë Atomike e Iranit tha se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmuan zonën përreth centralit bërthamor Bushehr të Iranit këtë mbrëmje.
Agjencia e lajmeve IRNA raportoi sulmin, i cili nuk shkaktoi dëme në strukturë apo viktima.

Presidenti amerikan Donald Trump foli nga Shtëpia e Bardhë me tone optimiste për luftën në Iran.
"E dini, nuk më pëlqen ta them këtë, por ne fituam. Lufta u fitua. Kushdo që thotë të kundërtën është thjesht lajm i rremë", tha Presidenti Trump.
Iranianët me të cilët Shtetet e Bashkuara po negociojnë "i kanë dhënë një dhuratë të madhe nafte dhe gazi" administratës amerikane, shpjegoi Trump.
"Kemi të bëjmë me një grup njerëzish që, sipas mendimit tim, e kanë provuar veten të denjë dhe dhurata që na dhanë ishte shumë domethënëse dhe ata premtuan ta bënin, dhe e bënë, dhe janë të vetmit që mund ta kishin bërë", tha Trump, duke shpjeguar se dhurata ishte e lidhur me Ngushticën e Hormuzit.
Trump shtoi se "ne kemi vrarë të gjithë udhëheqësit e Iranit dhe tani ka një grup të ri. Ka pasur një ndryshim regjimi", ndërsa specifikoi gjithashtu se ai "nuk u beson" as udhëheqësve të rinj.
Presidenti pohon se iranianët "dëshirojnë shumë një marrëveshje" dhe "kanë rënë dakord të mos kenë kurrë një armë bërthamore", duke shtuar se të dërguarit specialë Jared Kushner dhe Steve Witkoff mbështeten në bisedime nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Zëvendëspresidenti J.D. Vance dhe zyrtarë të tjerë.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar se konflikti që përfshin Izraelin, SHBA-në dhe Iranin është një "luftë e paligjshme", e zhvilluar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Sipas mediave të huaja, Erdogan tha gjithashtu se e gjithë bota po e paguan çmimin e kësaj lufte.
"25 ditët e fundit kanë treguar se, megjithëse kjo është lufta e Izraelit, bota po e paguan çmimin. Është lufta e Netanyahut për pushtet, por 8 miliardë njerëz po vuajnë pasojat", tha Erdogan, raporton Anadolu, duke shprehur shpresën e tij se konflikti mund të përfundojë së shpejti përmes një procesi negociues, "para se të shkaktohen dëme në ekonominë globale, të cilat do të duhen vite për t'u riparuar".
Në një fjalim televiziv pas një mbledhjeje të kabinetit në Ankara, udhëheqësi turk shtoi se "qëndrimi i paepur, maksimalist dhe radikal i Izraelit nuk duhet të lejohet të sabotojë zgjidhjet diplomatike".
"25 ditët e fundit kanë treguar se bota po paguan çmimin për luftën e Netanyahut, e cila po prek 8 miliardë njerëz", vazhdoi Erdogan, duke iu referuar pasojave ekonomike të konfliktit, i cili filloi me sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.
"Turqia ishte ndër vendet e para që e kuptoi saktë procesin që e zhyti rajonin në një gjakderdhje dhune", shtoi Erdogan, duke theksuar vendosmërinë e tij për të "mbajtur vendin tonë larg këtij unaze zjarri. Ne refuzojmë një luftë rajonale shkatërruese".

Pentagoni planifikon të dërgojë 3,000 ushtarë nga divizioni elitar i Ushtrisë në Lindjen e Mesme për të mbështetur operacionet në Iran.
Wall Street Journal raporton se një urdhër me shkrim për dërgimin pritet brenda disa orësh.
Dërgimi i Divizionit të 82-të, shpjegojnë burimet, i hap mundësinë Presidentit Donald Trump të ndjekë disa opsione strategjike në konflikt.

Irani ka filluar të ngarkojë tarifa tranziti për disa anije tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke imponuar në mënyrë efektive një taksë joformale në kalim. Bloomberg vë në në dukje se tarifat mund të arrijnë deri në 2 milionë dollarë për udhëtim dhe vendosen në baza ad hoc. Disa anije i kanë paguar tashmë tarifat, duke demonstruar ndikimin në rritje të Iranit mbi Ngushticën.
Pakistani përsërit se është “gati” të presë bisedime për t’i dhënë fund operacioneve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, si dhe përgjigjes së Teheranit ndaj sulmeve që po vazhdojnë prej 25 ditësh. Islamabadi, ka shkruar në ‘X’ Kryeministri Shehbaz Sharif, “e mirëpret dhe e mbështet plotësisht punën në zhvillim për dialogun që synon t’i japë fund luftës në Lindjen e Mesme, në interes të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”.
Nëse SHBA-ja dhe Irani dëshirojnë, thekson ai, Pakistani “është gati dhe i nderuar të jetë vendi pritës për të lehtësuar bisedime domethënëse dhe vendimtare për një zgjidhje të plotë të konfliktit në vazhdim”.
Pakistan welcomes and fully supports ongoing efforts to pursue dialogue to end the WAR in Middle East, in the interest of peace and stability in region and beyond. Subject to concurrence by the US and Iran, Pakistan stands ready and honoured to be the host to facilitate…
— Shehbaz Sharif (@CMShehbaz) March 24, 2026

Pozicioni negociues i Iranit është ‘ngurtësuar’ ndjeshëm që nga fillimi i luftës, pasi Garda Revolucionare ushtron ndikim gjithnjë e më të madh mbi vendimmarrjen.
Sipas mediave të huaja, Garda Revolucionare e Iranit do të kërkojë lëshime të konsiderueshme nga Shtetet e Bashkuara nëse përpjekjet e ndërmjetësimit çojnë në negociata serioze, thanë për Reuters tre burime të larta në Teheran.
Në çdo bisedë me Shtetet e Bashkuara, Irani jo vetëm që do të kërkonte fundin e luftës, por edhe lëshime që ka të ngjarë të përfaqësojnë vija të kuqe për Presidentin e SHBA-së Donald Trump si: ‘garanci kundër veprimeve të ardhshme ushtarake, kompensim për humbjet gjatë luftës dhe kontroll formal të Ngushticës së Hormuzit, thanë burimet’.
Irani gjithashtu do të refuzonte të negocionte çdo kufizim në programin e tij të raketave balistike, thanë burimet, një çështje që kishte qenë një vijë e kuqe për Teheranin gjatë bisedimeve të vazhdueshme kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmin e tyre muajin e kaluar.
Foto: Princi Mohammed bin Salman dhe Donald Trump
Udhëheqësi de facto i Arabisë Saudite, Princi Mohammed bin Salman, ka inkurajuar Presidentin Trump që të vazhdojë luftën kundër Iranit, duke argumentuar se fushata ushtarake SHBA-Izrael paraqet një "mundësi historike" për të rindërtuar Lindjen e Mesme, thuhet në një artikull të New York Times
Princi Mohammed, sipas disa burimeve ka argumentuar se Irani përbën një kërcënim afatgjatë për Gjirin që mund të eliminohet vetëm duke hequr qafe qeverinë.

Foto: Israel Katz
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se trupat izraelite do të marrin nën kontroll një pjesë të madhe të Libanit jugor, si pjesë e operacioneve kundër Hezbollahut.
Sipas tij, ushtria synon të krijojë një zonë sigurie që shtrihet deri në lumin Litani, rreth 30 kilometra nga kufiri mes Libanit dhe Izraelit. Katz shtoi se banorët e zhvendosur nuk do të lejohen të kthehen në zonë derisa veriu i Izraelit të konsiderohet i sigurt.
Ai bëri të ditur gjithashtu se pesë ura, të cilat sipas tij përdoreshin nga Hezbollahu për transportin e luftëtarëve dhe armëve, janë shkatërruar.

Irani ka ndaluar eksportet e gazit natyror në Turqi pas sulmit të Izraelit në fushën e gazit Pars Jugor më 18 mars. Bloomberg raportoi këtë, duke cituar burime të njohura me çështjen, të cilat thanë se kohëzgjatja e ndërprerjes është ende e pasigurt.
Sipas të dhënave nga Shoqata Turke e Shpërndarësve të Gazit Natyror, Turqia bleu afërsisht 14% të gazit të saj natyror nga Irani vitin e kaluar. Sipas burimeve të cituara nga Bloomberg, Ankaraja vazhdon të importojë gaz nga Rusia dhe Azerbajxhani, furnizuesit e saj kryesorë, dhe ka rezerva të përdorshme.
Kohëzgjatja e ndërprerjes së furnizimeve iraniane mbetet e pasigurt. Javën e kaluar, Izraeli goditi Parsin Jugor, fushën më të madhe të gazit natyror në botë, të operuar bashkërisht nga Irani dhe Katari. Teherani u përgjigj me sulme ndaj infrastrukturës energjetike që i përkiste disa vendeve të Gjirit, përfshirë kompleksin Ras Laffan në Katar.

Forcat e armatosura iraniane do të luftojnë deri në fitoren e plotë, siguroi për televizionin shtetëror gjenerali Ali Abdollahi Aliabadi, komandant i shtabit qendror të bashkuar në Khatam al-Anbiya.
"Forcat e armatosura të fuqishme të Iranit janë të palëkundura, krenare dhe fitimtare në mbrojtjen e integritetit të vendit dhe do të vazhdojnë në këtë rrugë deri në fitoren e plotë", deklaroi ai.

Mohammad Bagher Zolghadr është emëruar shef i Sigurisë Kombëtare, raportojnë mediat iraniane. Emërimi i Zolghadr, që pason Alì Larijani, është miratuar nga Udhëheqësi Suprem i Revolucionit Islamik.
Ish-komandant i Gardës Revolucionare Islamike, Zolghadr ishte sekretar i Këshillit për Vlerësimin e Mundësive. Zgjedhja e tij, e cila ka marrë miratimin e ajatollahut Mojtaba Khamenei, është ratifikuar me një dekret presidencial, sipas zëdhënësit të presidentit, Massoud Pezeshkian, në X.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majid Al-Ansari, thotë se Katari nuk është i përfshirë në asnjë përpjekje SHBA-Iran për të dhënë fund luftës.
Kur u pyet nëse Katari mund të ketë sërish marrëdhënie normale me Republikën Islamike të Iranit pas këtyre sulmeve ndaj shteteve arabe të Gjirit, përgjigjja e tij ishte: “Në thelb, po, nuk mund të ndryshojmë gjeografinë.”
Al-Ansari u pyet gjithashtu nëse presidenti amerikan Donald Trump ka përshkruar saktë bisedimet që Uashingtoni thotë se po zhvillon me Teheranin.
Përgjigjja e tij ishte: “Duhet t’i pyesni ata që janë të përfshirë në bisedime. Siç deklarova shumë qartë pak më parë: ne nuk jemi të përfshirë në këto bisedime. Shqetësimi dhe fokusi ynë është mbrojtja e vendit.”
Al-Ansari konfirmon se që nga e enjtja e kaluar nuk ka pasur raketa ose dronë të ardhur nga Irani të drejtuar ndaj Katarit, por rreziku nuk ka kaluar.

Një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Iranin “aktualisht nuk duket e prekshme,” tha një zyrtar izraelit të hënën, ndërsa ushtria izraelite vazhdonte sulmet në Iran dhe Liban.
“Iranianët nuk duket se janë në një dispozitë për të bërë lëshime, ne ende nuk jemi aty,” tha zyrtari, duke sugjeruar se negociatat e supozuara janë një taktikë për të fituar kohë dhe për t’u përgatitur më mirë për sulme të tjera ushtarake.
Zyrtari pranoi se disa vende po përpiqen të ndërmjetësojnë mes SHBA-ve dhe Iranit, “por sa për sa dimë, nuk ka ende ndonjë propozim konkret mbi tryezë.”
Të martën në mëngjes, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, bëri të qartë se Izraeli nuk ka ndaluar fushatën e tij bombarduese në Iran. “Ne vazhdojmë të sulmojmë Iranin me forcë të plotë,” tha Katz.
Komentet e tij bien ndesh me qëllimin e deklaruar të presidentit Donald Trump për të negociuar fundin e luftës. “Ata duan të zgjidhin çështjen, dhe ne do ta realizojmë,” tha Trump të hënën.

Foto: Dmitry Peskov
Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov, tha se Kremlini nuk ka informacion objektiv mbi rifillimin e një raund bisedimesh midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të cilat, megjithatë, ishin të hapura për negociata para shpërthimit të armiqësive.
"Po marrim një numër deklaratash kontradiktore nga të gjitha palët. Nuk e dimë situatën reale", deklaroi zëdhënësi i Kremlinit.
Rusia, deklaroi gjithashtu Peskov, do të reagonte jashtëzakonisht negativisht ndaj çdo përshkallëzimi të konfliktit me Iranin në rajonin e Detit Kaspik.
Zëdhënësi i Kremlinit, megjithatë, nuk pranoi të komentonte mbi lajmet se Izraeli kishte goditur anijet ruse që dyshohet se transportonin armë në Iran nëpërmjet Detit Kaspik.
"Sa i përket këtyre gjërave, nuk kemi dëgjuar për to. Sinqerisht, nuk kam informacion për to", tha Peskov.

Shtëpia e Bardhë e ka përshkruar situatën në lidhje me negociatat e paqes për t'i dhënë fund konfliktit iranian si "fluide", pasi Presidenti Donald Trump foli për përparim "domethënës" dhe "marrëveshje për pothuajse të gjitha pikat kryesore".
"Diskutimet delikate diplomatike janë duke vazhduar dhe SHBA-të nuk do të negociojnë përmes shtypit. Situata është fluide dhe spekulimet rreth takimeve të mundshme nuk duhet të konsiderohen përfundimtare derisa të njoftohen zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë", tha zëdhënësja Karoline Leavitt për BBC-në .

Gjatë një vizite në Australi, presidentja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi nevojën për një paqe të negociuar për t’i dhënë fund luftës me Iranin, duke thënë se ishte “thellësisht e shqetësuar” për konfliktin në vazhdim.
“Është me rëndësi thelbësore që të arrijmë në një zgjidhje të negociuar, e cila u jep fund armiqësive që po shohim në Lindjen e Mesme”, tha Von der Leyen krah kryeministrit australian Anthony Albanese në Canberra.
Disa vende të BE-së po përgatiten të ndihmojnë në një “mision” për mbrojtjen e Ngushticës së Hormuzit pasi të përfundojë lufta, shtoi von der Leyen.
“Ne të gjithë ndiejmë efektet zinxhir në çmimet e gazit dhe naftës, në bizneset tona dhe në shoqëritë tona”, duke shtuar se kjo rrugë tregtare është “thelbësore për linjat e furnizimit me energji në mbarë botën”.
Foto pas sulmeve iraniane në Tel Aviv
Pasi Irani shënjestroi me raketa Tel Avivin, Forcat Izraelite janë kundërpërgjigjur me një valë sulmesh të reja në Teheran.
Sipas mediave IDF ka shënjestruar një infrastrukturë ushtarake në perëndim të Iranit dhe impiantet energjetike.
Agjencia e lajmeve Fars raportoi se një sulm izraelit goditi tubacionin e gazit në termocentralin Khorramshahr në jugperëndim të vendit.

Çmimi i naftës Brent është rikthyer mbi 100 dollarë për fuçi, një ditë pas një rënieje prej më shumë se 10%, e shkaktuar nga vendimi i Donald Trump për të shtyrë sulmet e reja kundër Iranit dhe deklaratat e tij për bisedime “shumë të mira” me Teheranin.
Brent u rrit me 2,9% duke arritur në 102,84 dollarë, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate shënoi një rritje prej 3,5%, duke arritur në 91,20 dollarë për fuçi.

Administrata Trump po e vlerëson “me kujdes” kryetarin e parlamentit iranian si një partner të mundshëm dhe madje si një lider të ardhshëm të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara pas një marrëveshjeje.
Mohammad Bagher Ghalibaf, 64 vjeç, ka kërcënuar vazhdimisht SHBA-të dhe aleatët e tyre me hakmarrje, por konsiderohet, të paktën nga disa zyrtarë brenda Shtëpisë së Bardhë, një partner i zbatueshëm, i aftë për të udhëhequr Iranin dhe për të negociuar me SHBA-të në fazën e ardhshme të konfliktit.
Kështu raportojnë dy zyrtarë të administratës Trump për Politico. “Është një kandidat premtues. Por duhet t’i vlerësojmë me kujdes dhe nuk mund të nxitojmë”, tha një zyrtar, duke sqaruar se ende nuk është marrë asnjë vendim.
Gjashtë persona mbetën të plagosur kur një raketë balistike iraniane goditi Tel Avivin. Goditja në një zonë qendrore të Tel Avivit shkaktoi dëme të mëdha në ndërtesa dhe automjete.
Po ashtu dëme u raportuan edhe në zonën Rosh Haayin, në lindje të qytetit.
Komente








