Lufta në Lindjen e Mesme ishte në fokus të diskutimit në emisionin “Sot Live në Shqipëri”, ku historiani Olsi Jazexhi dhe aktivistja nga Izraeli, Jeta Gani, dhanë qëndrimet e tyre për konfliktin.
Aktivistja nga Izraeli e cilësoi situatën si shumë të rëndësishme për Izraelin, duke theksuar se qytetarët mbështesin shtetin edhe jashtë frontit.
“Kjo është një nga luftërat më të vështira që kam kaluar. Kjo luftë ka shumë rëndësi për ekzistencën e Izraelit. Siç janë ushtarët në luftë, ashtu jemi edhe ne që mbështesim shtetin në mënyra të ndryshme. Frikë nuk kemi sepse jemi të sigurt. Ne duam të kemi një paqe të përhershme" tha ajo.
Ajo shtoi se lufta nuk është kundër Libanit apo Gazës si territore, por kundër organizatave që sipas saj mbështeten nga Irani.
“Lufta që bëhet sot edhe në Liban nuk është kundër Libanit, por kundër Iranit dhe Hezbollahut. Përse nuk përmend Hamasin por përmend Gazën? Përse nuk përmend Hezbollahun por ankohesh për Libanin? Këto organizata terroriste mbështeten nga Irani. Armët i marrin nga Irani. Ne duam një botë moderne dhe të lirë edhe për popullin e Iranit. Ne duam paqe. Izraeli po bën luftë për të gjithë botën. Izraeli po bën luftë për sigurinë e tij. " shtoi ajo.
Nga ana tjetër, historiani Jazexhi deklaroi se përgjegjësia për nisjen e luftës i takon Izraelit dhe kritikoi ashpër qeverinë e Benjamin Netanjahut.
“Këtë luftë nuk e nisi Irani, por Izraeli. Ka një plan për krijimin e Izraelit të madh. Kjo qeveria e Benjamin Netanjahu, një kriminel lufte, ka një qeveri ekstremiste që shkatërroi Izraelin. Izraeli ka të drejtë që të jetë shtet. Problemi është se që kur Izraeli është marrë peng nga rrymat ekstremiste të partisë së Netanjahut, ata nuk duan që të ekzistojnë shtete myslimane rreth tyre. Netanjahu hap luftëra dhe ndaj Izraeli është shtet apartedial" tha ai.
Ai shtoi se Izraeli po zhvillon operacione ushtarake në disa vende të rajonit dhe se situata, sipas tij, është përshkallëzuar nga politika e kësaj qeverie. Për më tepër ai e krahasoi Hezbollahun me UÇK-në në Kosovë
“Izraeli jo vetëm që nuk do të jetojë në paqe por po bën luftëra, po bombardon Sirinë, Libanin, Palestinën, Irakun, Iranin dhe Jemenin. Në Liban sulmon Hezbollahun që është si UÇK në Kosovë. Izraeli u mori tokat myslimanëve arabë. Këtë luftë nuk e nisi Irani por Izraeli duke vrarë fëmijë, duke bombarduar shkolla e spitale dhe Irani ka të drejtë të vetëmbrohet. Irani nuk kërkon luftë.”
Në këndvështrimin e tij, paqja do arrihet vetëm me një kusht.
“Paqja do të arrihet vetëm nëse Amerika çlirohet nga lobi izraelit. Kjo luftë e nisi Benjamin Netanjahu, një i çmendur që është shpallur kriminel lufte.”
I pyetur nëse rrezikohet Shqipëria nga Irani, Jazexhi dha këtë përgjigje:
"Nëse Irani godet një bazë amerikane në Oqeanin Indian nuk e ka problem Shqipërinë” paralajmëroi ai.
Komente










