Bisedime Putin-Zelensky? Mediat ukrainase: Do takohen në Turqi! Negociatori i Kievit: Gati draft dokumentet për diskutime mes presidentëve! Ukraina rimerr të gjithë rajonin e Kievit

Mediat ukrainase raportojnë për një takim të mundshëm në Turqi mes presidentit Volodymyr Zelensky dhe atij Vladimir Putin. Duke cituar kreun e delegacionit negociator të Ukrainës David Arakhamia, mediat shkruajnë se me shumë gjasa bisedimet do zhvillohen në Stamboll ose Ankara, por ende nuk ka një datë për takimin. Sipas Arakhamia Draft-marrëveshja midis rusëve dhe ukrainasve doli në bisedimet në Stamboll.

Në ditën e 38 të luftës forcat e Ukrainës kanë çliruar të gjithë rajonin e Kievit dhe zonat përreth tij duke përfshirë dhe qytetin e Buchas. Por kryebashkiaku i këtij qyteti deklaroi se kanë gjetur një varr masiv me mbi 300 trupa.

Sipas këshilltarit të Zelenskyt, Mykhailo Podolyak rusët po përpiqen të depërtojnë në Donbass me luftime që po bëhen edhe më të ashpra në Izyum dhe Kharkiv ku u godit universiteti por edhe një spital. Rreth 70 persona pacientë e staf mjekësor janë evakuuar.

Gjatë orëve të fundit Rusia sulmoi me raketa Odessën duke shkaktuar viktima. Të paktën dymbëdhjetë raketa u lëshuan edhe në Dnipro.

Një tjetër fotoreporter mbeti i vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë. Maks Levin, babai i katër fëmijëve u vra në Kiev, sipas zyrtarëve vendas. Ai u zhduk më 13 mars teksa ishte në krye të detyrës, ndërsa trupi i tij u gjet ditën e djeshme.

Nga ana tjetër Rusia ka hapur një çështje penale dhe po heton për sulmin në depon e naftës në Belgorod, për të cilin akuzuan forcat ukrainase po këta të fundit e mohuan një ditë më parë.

Kievi thotë se rusia ka nisur të mobilizojë njësitë ushtarake në Transnistria të Moldavisë për të kryer provokime në kufirin me Ukrainën.

Në përpjekje për zbutur tonet e luftës Papa Françesku deklaroi se po mendon që së  shpejti të vizitojë Kievin, si një gjest simbolik për të dhënë shpresë.

Nga ana tjetër SHBA ka deklaruaR se do të japë 300 milionë dollarë të tjera dhe ndihma ushtarake për Ukrainën përfshirë dhe tanke.

Gjatë një takimi me ministrat e ekonomisë presidenti Zelensky tha se Ukraina shpenzon çdo muaj  10 miliardë dollarë  për operacionet ushtarake.

Në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:46
Bisedime Putin-Zelensky? Mediat ukrainase: Do takohen në Turqi

Mediat ukrainase citojnë një deklaratë të kreut të delegacionit negociator të Ukrainës David Arakhamia, i cili thotë se dy presidentët Vladimir Putin e Volodymyr Zelensky kanë rënë dakord të takohen dhe me shumë gjasa bisedimet do zhvillohen në Stamboll ose Ankara, por ende nuk ka një datë.

Draft-marrëveshja midis rusëve dhe ukrainasve doli në bisedimet në Stamboll.

Ditët e fundit janë gati për diskutime mes presidentëve. Kështu deklaroi kreu i delegacionit ukrainas në negociatat, David Arakhamia gjatë një maratonë televizive:

“Rusia ka dhënë një përgjigje zyrtare për të gjitha qëndrimet, domethënë se ata pranojnë qëndrimin ukrainas me përjashtim të çështjes së Krimesë. Ministri i Jashtëm Kuleba tha se nuk ka asnjë konfirmim zyrtar me shkrim, por gojarisht, dje, nëpërmjet videokonferencës, doli se pala ruse nuk kundërshton asnjë qëndrim”, tha Arakhamia në një intervistë televizive.

Sipas Arakhamia, rusët kanë konfirmuar gjithashtu tezën e tyre se projekt-dokumentet janë përpunuar mjaftueshëm që të kryhen konsultime të drejtpërdrejta midis dy liderëve të vendeve.

“Detyra jonë është të përgatisim fazën përfundimtare jo të dokumentit, por nga temat që do të trajtohen mes Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin, me një shkallë të lartë probabiliteti do të takohen në Turqi”, deklaroi Arakhamia, duke kujtuar se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka dëgjuar si presidentin ukrainas ashtu edhe atë rus, duke konfirmuar se "ai është i gatshëm të organizojë një takim në të ardhmen e afërt".

"As data dhe as vendi nuk dihet, por ne besojmë se me të gjitha gjasat do të jetë Stambolli apo Ankaraja," shtoi ai.

Ora 22:37
Zelensky bisedë telefonike me Johnson, ja çfarë diskutuan

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin britanik Boris Johnson.

"Një tjetër bisedë me Boris Johnson për mbështetjen për mbrojtjen e Ukrainës, për forcimin e sanksioneve anti-ruse dhe për garancitë e sigurisë së pasluftës. Mezi pres konferencën e donatorëve për Ukrainën. Britania e Madhe është aleati ynë i fuqishëm”, shkruan Zelensky.

 

Ora 22:16
SHBA-ja kthen mbrapsht cisternat ruse me naftë

Cisternat ruse të naftës që ishin nisur për në SHBA, u kthyen mbrapsht si pasojë e embargos që Joe Biden ka vendosur kundër produkteve ruse të energjisë.

Lajmi e ka bërë të ditur ditën e sotme gazeta New York Times.

Ora 22:02
Zëdhënësi i Kremlinit: Bisedimet me Kievin nuk janë të lehta, por janë të rëndësishme për t'u vazhduar

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka thënë  se bisedimet me Kievin nuk janë të lehta, po ka rëndësi që po vazhdojnë. Gjatë një interviste të tij ditën e sotme Peskov tha gjithashtu se Moska do të kishte dashur që bisedimet të vazhdonin në territorin bjellorus, por Ukraina ishte kundër kësaj ideje.

Ora 21:58
Silvio Berlusconi: Agresioni ushtarak në Ukrainë është i papranueshëm

Silvio Berlusconi, lideri i Forza Italia, ka reaguar për herë të parë në lidhje me luftën në Ukrainë. Ai e ka cilësuar situatën në Ukrainë një agresion të papranueshëm ushtarak dhe se Italia së bashku me Aleancën e Antlantikut të Veriut, Perëndimin dhe Evropën duhet të bashkëpunojnë për t'i dhënë fund sa më parë konfliktit.

"Përballë konfliktit ne kemi një detyrë të dyfishtë: të punojmë për paqen dhe të bëjmë pjesën tonë me Aleancën Atlantike të Veriut, me Perëndimin dhe Evropën për t'i dhënë fund një agresioni të papranueshëm ushtarak", tha ai.

Ora 21:32
Carla Del Ponte kërkon urdhër arrest ndërkombëtar për Putinin

Ish-kryeprokurorja e Tribunalit në Hagë, Carla Del Ponte ka kërkuar që të lëshohet një urdhër arrest ndërkombëtar për presidentin rus, Vladimir Putin.

“Putini është një kriminel lufte”, tha Carla Del Ponte për gazetën zvicerane Le Temps.

Ajo tha se në Ukrainë po kryhen krime lufte dhe se është e tronditur nga varrezat masive në Ukrainë

“Shpresoja të mos shihja më kurrë varreza masive. Këta njerëz të vdekur kanë të dashur që as nuk e dinë se çfarë po ndodh me ta. Kjo është e papranueshme”, tha ajo për gazetën Blick.

Ajo tha se hetimi në Ukrainë do të ishte më i lehtë se ai në Jugosllavi sepse vetë vendi kishte kërkuar një hetim ndërkombëtar.

Ora 19:56
Zv.ministrja e Mbrojtjes: Forcat ukrainase kanë rimarrë të gjithë rajonin e Kievit

Zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Malyar ka deklaruar se forcat e vendit kanë rimarrë të gjithë rajonin e Kievit.

Ora 19:37
Bombardohet spitali pranë Kharkiv, 70 të evakuuar

Një spitali në Balakliia, në rajonin e Kharkiv në Ukrainë është bombarduar nga forcat ruse. Lajmi është bërë me dije nga kreu rajonal i administratës ushtarake të Poltava, Oleh Syniehubov.

Ai ka bërë me dije se rreth 70 persona, pacientë dhe stafi mjekësorë janë evakkuar, ndërsa po

"Okupatorët rusë goditën spitalin e rrethit Balakliia. Ndërtesa u dëmtua pjesërisht. Pacientët dhe personeli mjekësor kanë nevojë për evakuim të menjëhershëm. Ne po bëjmë gjithçka për të shpëtuar njerëzit."

Ora 19:09
Kievi: Rreth 620 mijë ukrainas janë kthyer në vend që nga fillimi i pushtimit rus

Rreth 620 mijë ukrainas janë kthyer në vendin e tyre që nga fillimi i pushtimit rus. Në javët e para të luftës shumica që ktheheshin në shtëpi ishin burra, ndërsa tani po vërehet një numër në rritje të grave dhe fëmijëve, sipas raportimit të zëdhënësit të Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare.

Ora 19:07
Ushtarët rusë qëllojnë me armë zjarri drejt turmës në Enerhodar

Forcat ruse kanë shpërndanë qytetarët që ishin duke protestuar kundër pushtimit të qytetit ukrainas Enerhodar, pjesë e rajonit të Zaporizhzhia. Ata kanë shpërndarë turmën me të shtëna armësh dhe granata trullosëse. Lajmi është raportuar nga kompania ukrainase për energjinë bërthamore Energoatom. Ndërkohë forcat ruse kanë arrestuar një numër të pasfecifikuar prej protestuesve.

 

 

Ora 18:38
Këshilltari i Zelenskyt: Sanksionet ndaj Rusisë nuk mjaftojnë, nevojitet embargo për energjinë

Mykhailo Podolyak, këshilltari i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, ka thënë se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nuk janë të mjaftueshme dhe se është e nevojshme vendosja e një embargoje të drejtpërdrejtë ndaj të gjitha burimeve energjetike të Moskës, gjithashtu dhe mbyllja e porteve për të gjitha mallrat ruse mund të shërbejë si një alternativë.

"Për të shkatërruar ekonominë ruse dhe për të ndaluar vrasjen e ukrainasve, nevojitet një embargo e drejtpërdrejtë ndaj të gjitha burimeve energjetike të Moskës," tha ai në postimin e tij në Twitter.

Ora 18:28
OKB: 1 325 civilë të vrarë gjatë luftës në Ukrainë

OKB raporton se numri i civilëve të vrarë është të paktën 1325, mes tyre 120 fëmijë. OKB-ja tha se numri i civilëve të vrarë mund të jetë dhe më i lartë. Ndërsa të plagosur raportohet të jenë paktën 2.017 ku 168 prej tyre janë të mitur.

Ora 18:01
Rritet numri i të vdekurve pas sulmeve në ndërtesën e qeverisë në Mykolaiv

Numri i të vdekurve pas sulmit rus në ndërtesën e qeverisë rajonale të Mykolaivit është rritur në 36. Lajmin e ka bërë të ditur Guvernatori Vitaliy Kim në një postim të tij në rrjetet sociale. Më herët raportoheshin 35 viktima dhe 34 te plagosur.

Ora 17:03
Zelensky: 10 miliardë dollarë në muaj të shpenzuara për luftën

Shpenzimet e Ukrainës për operacionet ushtarake janë rreth 10 miliardë dollarë në muaj. Këtë e ka bërë të ditur presidenti i Ukrainës Zelensky pas një takimi me ministrat e tij.

“Sipas llogaritjeve të Ministrisë së Financave, shteti ukrainas shpenzon rreth 10 miliardë dollarë për çdo muaj armiqësie”, tha Zelensky.

Ora 16:19
Rustët rrëmbejnë nënkryetarin e bashkisë Nova Sloboda, në rajonin e Sumy

Trupat ruse rrëmbyen një nënkryetar bashkie në rajonin Sumy të Ukrainës veriore. Lajmi është bërë me dije nga kryetari i rajonit Dmytro Zhyvytskyi.

“Ky është Oleksiy Shibayev, nënkryetari i bashkisë së qarkut Nova Sloboda, i cili u rrëmbye ndërsa shoqëronte një dërgesë ndihme në një pikë kontrolli në zonën e Putyvl, rreth 80 km në veri-perëndim të Sumy, pranë kufirit me Rusinë”, tha ai.

Ora 16:16
Autoritetet ukrainase: Kemi rimarrë Brovary në lindje të Kievit

Autoritetet ukrainase kanë njoftuar se kanë rimarrë e Brovary, një vendbanim kyç në lindje të Kievit. Lajmi është bërë me dije nga kryetari i bashkisë së qytetit. Brovary ishte pushtuar nga trupat ruse.

Ora 16:10
Moska nis hetimet për sulmin e Ukrainës në depon e naftës në Rusi

Komisioni Hetimor Rus ka hapur një hetim penal pas “sulmit terrorist nga forcat e armatosura ukrainase” në depon e naftës në Belgorod, pranë kufirit me Ukrainën. Këtë e ka bërë të ditur vetë Komisioni në kanalin e tij Telegram.

Ora 15:58
Kiev: Luftime të ashpra në lindje të vendit dhe në Mariupol

Beteja të ashpra janë duke u zhvilluar në rajonet lindore dhe jugore të Ukrainës, veçanërisht nw Mariupol. Këshilltari presidencial ukrainas, Oleksiy Arestovych tha se trupat ukrainase rreth Kievit kanë rimarrë më shumë se 30 qytete ose fshatra në rajon dhe po mbajnë vijën e frontit kundër forcave ruse në lindje.

"Le të mos kemi asnjë iluzion, ka ende beteja të rënda për jugun, për Mariupolin, për lindjen e Ukrainës," tha ai. Sipas këshilltarit të Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Vadym Denisenko rusët po përpiqen të depërtojnë në Donbass me luftime, të cilat po bëhen më të ashpra midis Izyum dhe Kharkiv.

Drejtimi kryesor që rusët duan të lëvizin është nga Izyum në Volnovakha, në rajonin e Luganskut. Rubizhne, Lysychansk, Severodonetsk dhe Mariupol.

"Kjo është situata më alarmante, luftimet janë të ashpra," sipas Kievit.

Ora 15:47
Putin telefonatë me presidentin e Kazakistanit: Neutraliteti i Kievit është një qëllim i rëndësishëm

Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, në të cilën ata ranë dakord për rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje për neutralitetin e Ukrainës, mospërkimin e saj në aleanca dhe mosnuklearizimin e saj. Kremlini raporton, duke shtuar se të dy udhëheqësit konfirmuan angazhimin për të forcuar marrëdhëniet midis Federatës Ruse dhe Kazakistanit.

Ora 15:43
Kryeministri polak: Të vendosen sanksione më të forta ndaj Rusisë

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, po kërkon shtrëngim të mëtejshëm të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, duke thënë se masat e marra deri tani nuk janë të mjaftueshme.

Kryeministri polak u takua të shtunën në Varshavë me Presidenten e Parlamentit të BE-së, Roberta Metsola, në një qendër pritjeje për refugjatët që ikin nga lufta në Ukrainë.

Ai tha se kursi i këmbimit të rublës ruse është kthyer në nivelin që kishte para sulmit rus në Ukrainë, një tregues që Moska sipas tij, po i shpëton ndëshkimit nga sanksionet.

“Kjo do të thotë se të gjitha masat ekonomike nuk kanë funksionuar siç do të dëshironin disa politikanë”, tha Morawiecki.

Morawiecki tha se “nuk do të ketë kthim në normalitet” për sa kohë që sovraniteti i Ukrainës kërcënohet dhe bëri thirrje për vendosjen e “sanksioneve reale” ndaj Rusisë.

Në Poloni aktualisht janë më shumë se 2.4 milionë refugjatë nga Ukraina, më shumë se çdo vend tjetër të Bashkimit Evropian.

Ora 14:55
Ukraina: Rusët mobilizojnë për sulme trupat në territorin e rajonit Transnistria të Moldavisë

Rusët filluan mobilizimin e njësive në Transnistria për të kryer veprime në Ukrainë. Kjo është bërë e ditur nga Shtabi i Përgjithshëm i Kievit, raporton Ukrainska Pravda. “Është intensifikuar puna për mobilizimin e njësive të trupave ruse me bazë në territorin e rajonit Transnistrian të Republikës së Moldavisë për të kryer provokime dhe për të kryer demonstrata në kufirin me Ukrainën”, tha Shtabi i Përgjithshëm, duke nënvizuar se lëvizjet e trupave synojnë "paraqitjen e gatishmërisë për një sulm dhe armiqësi të mundshme kundër Ukrainës".

Ora 14:37
Papa po mendon të vizitojë Kievin

Papa Françesku tha se po mendonte të organizonte një udhëtim në Kiev, edhe pse kryeqyteti i Ukrainës është i rrethuar nga forcat ruse.

Gjatë udhëtimit me avion drejt Maltës, i pyetur nga gazetarët nëse do të merrte në konsideratë ftesën e bërë nga autoritetet politike dhe fetare të Ukrainës, Papa u përgjigj: “Po, po e marrim në konsideratë si mundësi”.

Megjithatë, Ati i Shenjtë nuk dha detaje të tjera mbi planet e tij për të vizituar Kievin. 85-vjeçari tha se vizita në ishullin e vogël në Mesdhe, e cila zgjat dy ditë, do të jetë e shkurtër, por e bukur.

 

Ora 12:39
Gjendet i vdekur fotoreporteri ukrainas, vdiq nga bombardimet e ushtrisë ruse

Pas një kërkimi të gjatë pranë fshatit Guta Mezhyhirska, në rajonin e Kievit, policia gjeti trupin e fotografit Max Levin, njëkohësisht, krijues dokumentarësh. Kështu raporton gazeta Lb.ua, për të cilën Levin ka punuar. Fotografi, i shoqëruar nga Oleksiy Chernyshov, një ushtar në shërbim dhe ish-fotograf, shkoi në Guta Mezhyhirsk më 13 mars për të dokumentuar pasojat e agresionit rus. Prej disa ditësh ata po e kërkonin. Të dy kanë lënë makinën dhe janë nisur drejt fshatit Moshchub. Më vonë u bë e ditur se në atë zonë kishin shpërthyer luftime të ashpra .

Ora 10:17
Zelensky: Trupat ruse tërhiqen nga veriu i vendit

1648794571_6224c8183490ezelenski11280x702.jpg

Situata ushtarake në Ukrainën lindore ka mbetur e vështirë dhe Rusia po përgatitet për sulme të reja në rajonin e Donbasit dhe në qytetin e Kharkiv. 

Kështu deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. ‘Trupat ruse në veri të vendit po tërhiqen, ngadalë, por qartë,’ shpjegoi ai në një video-mesazh.

Ora 10:06
Kina: Ja lëvizja që duhet për t’i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë

‘Një diplomat kinez sugjeron disa lëvizje për t'i dhënë fund luftës’, kështu shkruan agjencia Accoiated Press. Diplomati kinez në fjalë është Wang Lutong, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Çështjeve Evropiane të Ministrisë së Jashtme kineze thotë se: Presidenti amerikan, Joe Biden, duhet të telefonojë presidentin rus, Vladimir Putin, dhe të premtojë se nuk do të ketë më zgjerim të NATO-s, se Ukraina do të mbetet neutrale dhe nuk do të mbajë armë strategjike. 

‘Vetëm në këtë pikë, ndoshta, çështja do të zgjidhet.’

Dhe përsëri tha: ‘Cili është qëllimi i amerikanëve? A po kërkojnë një armëpushim në Ukrainë apo duan të dobësojnë Rusinë? Disa flasin për imponimin e ndryshimit të regjimit në Moskë, ‘tha ai, duke iu referuar qartë fjalëve të Bidenit ("Për hir të Zotit, Putini nuk mund të qëndrojë në pushtet").

‘Nëse ata kërkojnë një armëpushim, unë mendoj se çështja mund të zgjidhet shumë lehtë,’ tha ai. 

Ora 09:54
Video tronditëse e masakrës së ushtrisë ruse ndaj civilëve në Ukrainë! Gjenden trupat e djegur në autokolonën e makinave që po largohej nga Kievi

Pasi forcat ukrainase rifituan kontrollin e autostradës E-40 pranë kryeqytetit Kiev, BBC ka publikuar një video që dëshmon për masakrën ndaj civilëve gati një muaj më parë, teksa po largoheshin nga Kievi. 13 trupa të pajetë u gjetën në vetëm 200 metra larg nga njëri-tjetrit, nga këto vetëm dy janë identifikuar.

Tani, gati një muaj më vonë, trupat e tyre janë ende atje, në makinat tashmë të ndryshkura dhe të qëlluar nga plumbat. Trupat ende të paidentifikuara, pas përpjekjeve të ushtrisë ruse për t'i djegur për të fshehur provat e një krimi lufte. 

Çifti, Maksim Iowenko dhe gruaja e tij Ksjena, ishte në një kolonë prej 10 automjetesh civile duke u përpjekur të arrinin në Kiev. Videoja tregoi një tank rus duke bllokuar autokolonën dhe ndërsa makinat e tjera po ktheheshin, ata u goditën dhe çifti u vra me gjakftohtësi. Në vend të kësaj, fëmija i tyre dhe një grua e moshuar u lejuan të iknin.

Videoja dëshmon gjithashtu për praninë e makinave të tjera të djegura dhe trupave të viktimave. Sipas gazetarit, ushtarët u përpoqën t'i digjnin, por nuk arritën t'i shkatërronin plotësisht. 

Ora 08:51
Zelensky: Do të pranojmë vetëm fitoren

‘Fitorja e së vërtetës do të thotë fitore për Ukrainën dhe ukrainasit. Pyetja është se kur do të përfundojë. Kjo është një pyetja e thellë. Është një pyetje e dhimbshme. Përveç fitores, populli ukrainas nuk do të pranojë asnjë rezultat’. Kështu tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë për Fox News. I pyetur se çfarë ishin "të gatshëm për të pranuar" për të garantuar një marrëveshje paqeje, presidenti ukrainas u përgjigj: ‘Ne nuk e shkëmbejmë territorin tonë. Çështja e integritetit territorial dhe sovranitetit është jashtë diskutimit’.

Ora 06:58
Lufta/ Forcat ukrainase shkatërrojnë 78 pajisje të rënda ushtarake ruse

Ushtria ukrainase raporton se ka shkatërruar 44 automjete të blinduara, tetë tanke, 10 sisteme artilerie, 16 automjete ushtarake dhe tre drone në Donbas gjatë 24 orëve të fundit.

Ora 06:44
Beteja mes Rusisë dhe Ukrainë, çfarë po ndodh në vijën e parë të luftës

Vlerësimi i fundit i fushatës së Rusisë nga Instituti i Luftës përsërit idenë se përpjekjet e Rusisë tani janë zhvendosur në lindje të Ukrainës, shkruan BBC.

Të dhënat kryesore nga raporti:

-Rusia ka rishikuar planin e saj të fushatës pas një muaji ku nuk arriti të pushtonte Kievin dhe qytetet e tjera;

-Pretendimi i Kremlinit se objektivi i tij kryesor ka qenë gjithmonë Ukraina lindore është i rremë dhe synon të maskojë dështimin e fushatës së tij të parë;

-Operacionet kryesore të Rusisë tani janë të përqendruara në Ukrainën lindore, ku ajo dëshiron të pushtojë të gjithë rajonet Donestsk dhe Luhansk;

-Rusia ka të ngjarë të pushtojë Mariupolin në ditët në vijim, por do të vazhdojë të pësojë viktima;

-Ukraina mori përsëri zona të mëdha në veri-perëndim dhe lindje të Kievit, por Rusia ishte në gjendje të tërhiqte forcat e saj të dëmtuara me kohë në Bjellorusi;
 

Ora 06:17
Lufta/ Kolona e autobusëve të personave të zhvendosur nga Mariupol mbërrin në Zaporizhzhia

Një kolonë autobusësh që transportonin persona të zhvendosur, mes tyre disa nga banorët e qytetit port të rrethuar të Mariupol, në juglindje të Ukrainës, mbërriti në Zaporizhzhia, një qytet i kontrolluar nga ushtria e Kievit. 

Në bord ishin edhe banorët e Mariupolit, të cilët kishin arritur të arrinin në qytetin e Berdianskut, të pushtuar nga forcat ruse, ku ishin marrë nga kolona, ​​sipas dëshmive të mbledhura nga AFP. 

Mes tyre ka nga ata që kanë ecur 15 kilometra për t'u larguar nga qyteti para se të gjenin mjete të tjera për një udhëtim që zgjati dymbëdhjetë orë, në vend të tre që mjaftonin para luftës, shkruan Corriere.
 

Ora 06:01
FOTO/ Pushtimi i Ukrainës, forcat ruse tërhiqen nga baza ajrore Antonov

Forcat ruse janë zhdukur papritur nga baza ajrore e vendosur 28 kilometra larg Kievit, sipas imazheve satelitore nga Maxar Technologies më 31 mars. Kapja e bazës ajrore Antonov u konsiderua një fitore nga Rusia në atë kohë, por aktualisht është e paqartë se ku ishin forcat ruse janë zhvendosur.

Ora 05:29
Zelensky: Sanksionet kundër Rusisë po funksionojnë, por duhet të forcohen

Sanksionet kundër Rusisë po funksionojnë, por duhet të forcohen, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë të regjistruar me Fox News të premten.

“Sanksionet definitivisht funksionojnë, dhe Rusia ka padyshim frikë nga sanksionet. Kjo i nxjerr jashtë rehatisë. Kjo e rrëzon ekonominë e tyre. Por ka një pyetje se si funksionojnë sanksionet. Ne po u tregojmë dhe u themi Shteteve të Bashkuara dhe liderëve evropianë, të gjithë duhet të punojnë së bashku shpejt”, tha Zelensky.

“Ato duhet të kenë ndikim te oligarkët, te presidenti i Rusisë dhe te të gjitha partitë dhe në përgjithësi në vend. Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të punojnë për këtë nëse SHBA-ja dëshiron të ketë negociata të suksesshme,” shtoi më tej ai.
 

Ora 04:58
Kina: Nuk u shmangemi qëllimisht sanksioneve kundër Rusisë

"Kina nuk po i shmang qëllimisht sanksioneve kundër Rusisë, por ka tregti të rregullt me ​​Moskën, e cila kontribuon në ekonominë globale." 

Kështu deklaroi drejtori i Departamentit të Çështjeve Evropiane të Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Lutong, në një konferencë për shtyp pas samitit BE-Kinë. 

"Ka pasur një shkëmbim nëse sanksionet kontribuan në përshkallëzimin, ndërprerjen e armiqësive apo promovuan negociatat e paqes," shtoi ai.

Ora 04:43
SHBA anulon për herë të dytë nisjen e testimit të raketës 'Minuteman III'

SHBA ka anuluar lëshimin testues të raketës balistike ndërkontinentale Minuteman III, raporton Reuters.

Me një rreze prej afro 10,000 km, raketa me aftësi bërthamore është një komponent kyç i arsenalit të ushtrisë amerikane.

Testi i tij u shty për herë të parë nga Pentagoni më 2 mars, menjëherë pasi presidenti rus Vladimir Putin vendosi forcat e tij bërthamore në gatishmëri të lartë.

Në atë kohë, SHBA tha se po ndërmerrte hapa për të minimizuar "rrezikun e llogaritjes së gabuar", por vetëm po e vononte testin "pak".

Një zëdhënës i Forcave Ajrore tha se anulimi ishte për të njëjtat arsye, por shtoi: "Forcat Ajrore janë të sigurta në gatishmërinë e forcave strategjike të Shteteve të Bashkuara".
 

Ora 04:01
New York Times: SHBA do të furnizojë me tanke të prodhimit sovjetik ukrainasit në Donbas

Shtetet e Bashkuara do të punojnë me aleatët e Evropës Lindore për të transferuar tanke të prodhimit sovjetik në Ukrainë për të forcuar mbrojtjen në rajonin e Donbasit. Kështu njoftoi New York Times, duke cituar një zyrtar amerikan.

Ora 03:42
Lufta ndaj Rusisë, ushtria ukrainase çliron fshatin në rajonin e Chernihiv

Komanda Operative Veriore e Forcave Tokësore të Ukrainës njoftoi më herët më 1 prill se ushtarët ukrainas kishin liruar fshatin Shestovytsia, që ndodhet 150 km në veri të Kievit, nga forcat pushtuese ruse, shkruan The Kyiv Independent. 

Ora 03:29
Me ndihmën e SHBA, Ukraina përgatitet për një luftë të mundshme kimike

SHBA thuhet se ka dërguar pajisje mbrojtëse personale (PPE) në Ukrainë me kërkesë të vendit në përgatitje për çdo sulm të mundshëm me armë kimike gjatë luftës.

Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Joe Biden konfirmoi për Politico se ishin vendosur "pajisje dhe furnizime për shpëtimin e jetës".

PPE mendohet të përfshijë maska ​​​​gazi, kostume hazmat dhe materiale të tjera.

Se sa planifikon të dërgojë SHBA nuk ishte menjëherë e qartë, por zëdhënësi tha se "kjo ndihmë nuk komprometon gatishmërinë tonë të brendshme".

Moska dhe Perëndimi kanë shkëmbyer akuza në javët e fundit se mund të vendosen armë kimike dhe bioarmë. Zyrtarët amerikanë kanë frikë se Rusia mund të planifikojë një operacion të rremë rreth përdorimit të armëve të tilla.
 

Ora 03:26
I akuzuar për spiunazh, diplomati rus dëbohet nga Bullgaria

Bullgaria ka dëbuar sekretarin e parë të ambasadës ruse në Sofje, Filip Voskresensky. 

Sipas autoriteteve të Sofjes, diplomati, duke gëzuar imunitet diplomatik, do të kishte kryer aktivitete spiunazhi në Bullgari në kundërshtim me Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike. Voskresensky ka 72 orë kohë për t'u larguar nga territori i Bullgarisë. 

Në dy vitet e fundit, tetë diplomatë rusë janë dëbuar nga Bullgaria për aktivitete spiunazhi, dy të fundit më 2 mars.
 

Ora 03:21
Zelensky: Të paktën 5000 të vdekur në Mariupol

Të paktën 5,000 njerëz u vranë në Mariupol, një qytet i rrethuar nga forcat e armatosura ruse. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha në një video-mesazh, duke cituar autoritetet lokale, siç raporton Guardian. Po zhvillohen negociata për nxjerrjen e trupave nga rruga. Vlerësohet, shtoi ai, se "rreth 170,000 njerëz janë ende atje duke u përballuar me mungesën e ushqimit, ujit dhe energjisë elektrike".

Ora 03:03
Lufta me Rusinë, SHBA gati 300 milionë dollarë të tjera ndihmë ushtarake për Ukrainën

Pentagoni njoftoi Kongresin pasdite se 300 milionë dollarë të tjera ndihmë ushtarake do t'i ndahen Ukrainës, për të forcuar mbrojtjen kundër Rusisë. 

Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i mbrojtjes, John Kirby. Paketa përfshin, ndër të tjera, sisteme raketore të drejtuara me lazer, sisteme kundërajrore, automjete të blinduara, vizore nate dhe sisteme termike. Me këtë ndarje të re, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës më shumë se 2.3 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, shkruan Corriere.

"SHBA, do të vazhdojë të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të ndihmuar forcat e armatosura ukrainase për të kundërshtuar agresionin rus," shpjegoi Kirby.
 

Ora 02:23
Pushtimi nga Rusia, sulme me raketa në disa qytete të Ukrainës

Rusët kanë kryer disa sulme me raketa në Ukrainë në mbrëmje dhe gjatë natës. 

Tre raketa Iskander u hodhën nga Krimea rreth orës 21:00 të së enjtes në një lagje të rajonit të Odessa në jug, ku u raportua dhe për viktima. 

Të paktën dymbëdhjetë raketa u lëshuan në Dnipro. Shpërthime pati edhe në Kryvyi Rih aty pranë. 

Përsëri, bomba të tjera u hodhën edhe në Kharkhivin e goditur në lindje, në Saltovka fqinje dhe në perëndim të Kherson, në jug, ku kundërofensiva ukrainase po përparon, shkruan La Repubblica.
 

Ora 02:13
Zelensky: Rusia përpiqet të rekrutojë ushtarë në Krime

“Dua të fokusohem në faktin se Rusia po përpiqet të rekrutojë njerëz nga Krimea në ushtri. Është një shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe një krim lufte për të cilin ne do të jeni përgjegjës. Është gjithashtu një argument për rritjen e sanksioneve kundër Rusisë”. 

Këtë e tha Volodymyr Zelensky në një video-mesazh, sipas asaj që shkruan Corriere.

“Kjo është arsyeja pse unë dua t'u them njerëzve të Krimesë: Sabotoni këtë operacion. Në çdo fazë. Dhe nëse nuk funksionon, mos ndiqni urdhrat kriminale. Dorëzohuni në Forcat e Armatosura të Ukrainës në rastin më të parë. Ne do të kuptojmë gjithçka. Do të jetoni”, shpjegoi ai.
 

Ora 01:54
BE: Kompanitë me kontrata gazi në euro të refuzojnë kërkesën e Rusisë për të paguar në rubla

Më 31 mars, Moska nxori një dekret që u kërkon blerësve të huaj të gazit rus të hapin llogari në rubla në Gazprombank shtetëror, përndryshe rrezikojnë të ndërpriten. Ekzekutivi i Bashkimit Evropian i cituar nga Reuters tha se kompanitë, kontratat e furnizimit me gaz të të cilave me Rusinë janë fikse në euro ose dollarë, nuk duhet t'i shkelin këto kushte, shkruan The Kyiv Independent. 

Ora 01:27
Lufta/ SHBA sanksionon 120 subjekte të tjera ruse dhe bjelloruse

Departamenti i Tregtisë së Shteteve të Bashkuara ka shtuar në listën e sanksioneve edhe 120 subjekte të tjera (96 ruse dhe 24 bjelloruse) për luftën në Ukrainë, shkruan Corriere. Në veçanti, këta janë blerës armësh.

Ora 01:24
Zelensky: Duam Kinën në anën tonë, Putin të shikojë TV jo-rus për të kuptuar se çfarë po ndodh

"Ne do të donim që Kina të ishte në anën tonë". Kështu deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një fjalim në Fox News. Zelensky konfirmoi se sanksionet perëndimore "po funksionojnë" dhe bëri thirrje që ato të shtrëngohen më tej.

"Uroj që ai të shikojë televizion jo-rus për të parë se çfarë po ndodh në botë, deklaroi më tej presidenti Zelensky duke iu referuar presidentit rus, Vladimir Putin.
 

Ora 01:07
Negociatat e lufës, SHBA: Nuk do ta shtyjmë Kievin të bëjë lëshime

"Ne jemi të përkushtuar të vendosim Ukrainën në pozicionin më të fortë negociues të mundshëm duke vazhduar të ofrojmë ndihmë sigurie për të ndihmuar në mbrojtjen e vetvetes dhe duke rritur presionin ndaj Putinit duke i imponuar kosto të rënda Rusisë. 

Ne nuk do ta shtyjmë Ukrainën të bëjë lëshime dhe e kemi pohuar vazhdimisht se shtetet sovrane kanë të drejtë të zgjedhin aleancat e tyre dhe të vendosin vetë sigurinë e tyre”. 

Kjo është raportuar në një deklaratë nga Departamenti Amerikan i Shtetit që vjen pasi Times raportoi se një burim kryesor i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar tha se Britania ishte e shqetësuar se SHBA, Franca dhe Gjermania kishin "shumë ankth" dhe do ta shtyjnë Ukrainën të "përshtatet" me një marrëveshje paqeje.
 

Ora 00:55
Ukraina akuzon Rusinë: Minuan qytetin Bucha para se të tërhiqeshin

Forcat e Armatosura të Ukrainës akuzuan ushtrinë ruse për minimin e ndërtesave dhe infrastrukturës civile, si dhe hapësirave të tjera në qytetin Bucha, në rajonin e Kievit, përpara se të dëboheshin nga trupat ukrainase. “Kur u larguan nga qyteti i Buçës, forcat pushtuese ruse minuan ndërtesat civile, infrastrukturën dhe zona të tjera”, denoncuan Forcat e Armatosura, duke vënë në dukje se trupat ruse u tërhoqën për të intensifikuar sulmet në rajone të tjera, si në atë të Donetskut.

Ora 00:52
Tentoi të arratisej në Hungari, arrestohet gjenerali i shërbimeve sekrete ukrainase

Oficeri i lartë, njoftoi zyra kombëtare e hetimit, u ndalua në një pikë kufitare me Hungarinë pasi u tregoi zyrtarëve dokumente false që e përcaktonin atë të papërshtatshëm për shërbimin ushtarak. 

Oficeri, i cili e kishte përcaktuar foton e tij si të një ushtari të zakonshëm, u arrestua. Lajmi vjen pasi Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi se kishte hequr nga shërbimi dy gjeneralë brigade të SBU . 
"Unë nuk kam kohë të merrem me tradhtarë," tha Zelensky, duke vlerësuar përpjekjet e personelit të tjerë të SBU gjatë luftës, shkruan Corriere.
 

Ora 00:41
Zelensky: Situata në Ukrainën lindore mbetet e vështirë

 

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbajtur fjalimin e tij në orët e vona të natës. Ai tha se duket se trupat ruse po tërhiqen nga veriu i vendit, duke e përshkruar tërheqjen si "të ngadaltë por të dukshme".

Zelensky shtoi se situata në Ukrainën lindore mbetet e vështirë, ndërsa beson se Rusia po përgatitet për sulme të reja në rajonet Donbas dhe Kharkiv.

Ndërkohë, duke folur në një intervistë për Fox News, udhëheqësi ukrainas tha se duket se sanksionet e vendosura ndaj Moskës nga Perëndimi po funksionojnë. Megjithatë, Zelenskyy tha se nevojitet presion i mëtejshëm.

Ora 00:04
U plagos gjatë një operacioni, vdes pilotja e parë femër e forcave ajrore të Ukrainës

Natalia Perakov, pilotja e parë femër ukrainase i forcave ajrore, vdiq në moshën 28-vjeçare. Kjo është bërë e ditur në Twitter nga përdoruesit nga Kievi, duke shpjeguar se Perakov u plagos në një operacion teksa drejtonte një MIG 29. E dërguar në spital, 28 vjeçarja vdiq sot, shkruan Corriere.
 

Ora 23:46
Pushtimi nga Rusia, tre sulme me raketa raportohen në Odesa

Guvernatori i Odesës thotë se tre raketa ruse goditën një lagje banimi në qytetin port dhe shkaktuan viktima.

Maksym Marchenko pretendoi se raketat u hodhën nga Krimea e aneksuar nga Moska në jug.

Gjithashtu të premten, ushtria e Ukrainës tha se mbrojtja e saj kundërajrore kishte parandaluar një sulm në objektet kritike të infrastrukturës në qytet.

“Armiku u përpoq në një mënyrë tinëzare të godiste objektet kritike të infrastrukturës, shkatërrimi i të cilave mund të ishte i rrezikshëm për popullatën civile”, shkroi komanda e tij jugore në Facebook.

“Falë reagimit në kohë dhe efektiv të forcave të mbrojtjes ajrore, raketat nuk goditën objektivat që kishte synuar armiku.

Ora 23:43
Shtëpia e Bardhë: Sulm në Belgorod? Putin i vetmi agresor

Shtëpia e Bardhë tha se nuk ishte në gjendje të komentonte akuzat e Kremlinit kundër Kievit për sulmin në një depo karburanti në Belgorod dhe e mbajti fokusin e saj te Moska, duke fajësuar Vladimir Putinin për" inicimin e kësaj lufte dhe duke lavdëruar ukrainasit rezistencë ndaj "brutalitetit të paprovokuar rus". 

"Këtu është vetëm një agresor dhe ai është Presidenti Putin dhe ushtria ruse nën urdhrat e tij," tha zëdhënësja Jen Psaki, pak përpara se Kievi të mohonte çdo përgjegjësi.

Ora 23:33
Lufta/ Rreth 4 milionë refugjatë ukrainas kanë kërkuar siguri drejt vendeve fqinje

Rreth 4 milionë refugjatë ukrainas kanë kërkuar siguri në vendet fqinje. Ja ku kanë shkuar.

Gati 10% e popullsisë totale të Ukrainës është larguar nga vendi i shkatërruar që kur Rusia pushtoi më 24 shkurt, me rreth 4 milionë refugjatë që kërkojnë siguri në vendet fqinje.

Polonia ka pranuar shumicën e refugjatëve që vijnë, pasi rreth 2.4 milionë ukrainas janë nisur drejt perëndimit në kërkim të sigurisë.

Disa qindra mijëra ukrainas, ndërkohë, kanë ikur në vende të tjera evropiane, duke përfshirë Rumaninë, Moldavinë dhe Hungarinë, sipas të dhënave nga Kombet e Bashkuara .

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) Filippo Grandi e ka  quajtur më parë eksodin e refugjatëve nga Ukraina "kriza e refugjatëve me rritjen më të shpejtë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore".

Grafiku më poshtë detajon modelet e udhëtimit të refugjatëve ukrainas:
 

Ora 23:14
Brtiania e Madhe: Humbja 'e mundshme' e karburantit dhe municionit në Belgorod mund të tensionojë zinxhirët e furnizimit rus

Ministria britanike e Mbrojtjes ka dhënë një përditësim të inteligjencës këtë mbrëmje, duke u fokusuar në një “zjarr” në qytetin rus të Belgorod.

Më herët, Moska akuzoi helikopterët ukrainas se qëlluan në depon e karburantit, por zyrtarët ukrainas të sigurisë kanë mohuar që kjo të jetë rasti.

Ministria e Mbrojtjes tha: "Një zjarr ka shkatërruar disa tanke nafte në një depo në qytetin rus të Belgorod, afër kufirit me Ukrainën. Më 30 mars, u raportuan gjithashtu shpërthime në një depo municioni në afërsi të qytetit."

Ai shtoi: "Humbja e mundshme e furnizimeve të karburantit dhe municionit nga këto depo ka të ngjarë të shtojë tendosje shtesë afatshkurtër në zinxhirët logjistikë tashmë të shtrirë të Rusisë".

Ministria e Mbrojtjes beson se furnizimet për trupat ruse që rrethojnë Kharkivin mund të ndikohen veçanërisht.
 

Ora 23:07
Ukrainë: Autobusët me civilë të zhvendosur nga Mariupol mbërrijnë në Zaporizhzhia

Pasi autoritetet hasën disa probleme gjatë evakuimit të tyre nga Mariupol, civilët më në fund u ngarkuan në autobusë për në Zaporizhzhia. Kjo është raportuar nga këshilli bashkiak i Mariupol. Pak çaste më parë autobusët kanë nisur të mbërrijnë në destinacion, siç bën të ditur në vend ekipi i CNN. Zyrtarët po kontrollojnë njerëzit dhe dokumentet e tyre përpara se t'i lëshojnë nga autobusët. Pothuajse të gjithë, raporton CNN, thonë se shtëpia e tyre është shkatërruar në Mariupol.

G.B./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë