Presidenti Donald Trump ka deklaruar sëfundmi se Irani nuk përbën më një kërcënim dhe se Teherani ka hequr dorë nga përpjekjet për të pasur armë bërthamore.

Këto deklarata të Trump vijnë pasi ai më herët tha se SHBA-të dhe Irani kanë arritur një marrëveshje prej 15 pikash gjatë negociatave të pretenduara prej tij. Sipas Trump, një prej pikave për të cilën ka rënë dakord Irani, është edhe që ata të mos kenë armë bërthamore.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë njoftoi po ashtu se pjesë e marrëveshjes së arritur gjatë negociatave është edhe pezullimi i sulmeve amerikane për 5 ditë drejt centraleve energjetike të Iranit.

“Bazuar në karakterin dhe tonin e këtyre bisedimeve të thelluara, të detajuara dhe konstruktive, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, kam udhëzuar Departamentin e Luftës të shtyjë çdo dhe të gjitha sulmet ushtarake kundër centraleve energjetike dhe infrastrukturës së energjisë iraniane për një periudhë pesëditore, në varësi të suksesit të takimeve dhe diskutimeve në vijim”, shkroi Trump.

Por kjo deklaratë e Trump është hedhur poshtë nga një zyrtar i Iranit, i cili ka mohuar të ketë pasur bisedime me SHBA-në, raportojnë mediat iraniane.

"Nuk ka pasur negociata dhe asnjë nuk është duke u zhvilluar. Trump u tërhoq nga sulmi ndaj infrastrukturës jetësore pasi kërcënimet ushtarake të Iranit u morën seriozisht", citohet të ketë thënë një zyrtar i lartë i sigurisë nga agjencia e lajmeve Fars.

Nga ana tjetër, Izraeli zyrtar ende nuk ka reaguar mbi pretendimet e Trump për negociata me Iranin.

Kujtojmë se kjo shtyjre e sulmeve, vjen në një moment kritik kërcënimesh mes palëve për hapjen e Ngushticës së Hormuzit. Nga e shtuna, Trump i vendosi 48 orë afat Iranit, për të rihapur plotësisht Hormuzin, ose në të kundërt do të sulmonte të gjitha centralet energjetike të vendit. 

Nga ana tjetër, Teherani u zotua për kundërpërgjigje duke kërcënuar SHBA-në se do të sulmonte të gjitha centralet në Gjirin Persik, në rast sulmi drejt infrastrukturës së energjisë vendase. Ngushtica e Hormuzit, një korridor strategjik për transportin detar, është bllokuar që më 28 shkurt në përshkallëzim të konfliktit, duke çuar shumë vende të botës drejt krizës sa i përket furnizimit me naftë.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi se asnjë vend nuk është “imun” ndaj pasojave të ngadalësimit të transportit të naftës, pasi transportet e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) që kalojnë përmes kanalit jetik të Ngushticës së Hormuzit, mbeten të bllokuara nga bllokada iraniane.

Ndërkohë më herët gjatë ditës së sotme, mediat iraniane njoftuan për sulme në Teheran. Më pas u raportua edhe për një avion amerikan të rrëzuar në Kuvajt.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:48
The Washington Post: Pak gjasa për rrëzimin e regjimit në Iran dhe ndalimin e programit bërthamor

1773843801_donaldtrump.jpg

Zyrtarët amerikanë e konsiderojnë “të pamundur” ose shumë pak të mundshme arritjen e objektivave si rrëzimi i regjimit teokratik iranian dhe eliminimi përfundimtar i aftësisë për armë bërthamore.

Kështu raporton Washington Post, duke cituar burime pranë administratës amerikane.

Ora 21:14
Ultimatumi i Trump për Iranin, WSJ: Mijëra marinsa amerikanë do të mbërrijnë në Lindjen e Mesme të premten nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet

1774298049_srxuooop.jpg

Mijëra marinsa amerikanë janë planifikuar të mbërrijnë në Lindjen e Mesme të premten, nëse nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare me Iranin për të hapur Ngushticën e Hormuzit.

Lajmin e ka bërë të ditur Wall Street Journal, duke cituar dy zyrtarë amerikanë. Kjo lëvizje vjen pasi të premten skadon afati që Trump i ka vendosur Iranit për hapjen e Ngushticës.

Po ashtu bëhet e ditur se anija sulmuese USS Tripoli me bazë në Japoni dhe USS New Orleans do të kalojnë në Komandën Qendrore të SHBA-së të premten, duke sjellë afërsisht 2,200 marinsa nga Njësia e 31-të Ekspedicionare Detare.

Zyrtarët thanë se do të duheshin disa ditë shtesë që njësia të arrinte në Ngushticën e Hormuzit.

Pentagoni ka urdhëruar dërgimin e një njësie të dytë të Marinës në rajon. Mësohet se njësia e 11-të Ekspedicionare e Marinës me bazë në Kaliforni, në bordin e grupit të gatshëm për USS Boxer, do të niset brenda disa javësh.

Ora 21:11
Teherani i përgjigjet Trump: Lufta do të përfundojë kur të kompensohen të gjitha dëmet dhe të hiqen sanksionet

1774296782_xftuduo.jpg

Irani zyrtar ka deklaruar ditën e sotme se lufta me SHBA-në dhe Izraelin do të përfundojë kur të kompensohen të gjitha dëmet dhe të hiqen sanksionet ndaj Teheranit.

"Mos sulmoni infrastrukturën tonë. Nëse e bëni, nuk do të jetë më sy për sy; do të jetë kokë për sy, gjymtyrë për sy". Ky ishte paralajmërimi i lëshuar nga Mohsen Rezaei, ish-komandant i Gardës Revolucionare dhe anëtar i Këshillit për Dallimin e Interesave Shtetërore Iraniane.

"Do të paralizoheni dhe do të mbyteni në Gjirin Persik. Ditët e fundit të shpëtimit amerikan po mbarojnë", shtoi ai në televizionin shtetëror, duke iu referuar drejtpërdrejt Presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Zyrtari specifikoi se "lufta do të vazhdojë derisa të riparohen të gjitha dëmet, të hiqen të gjitha sanksionet ekonomike dhe të merret një garanci se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërhyjnë në punët e Iranit. Ky është vendimi i kombit tonë, i udhëheqësit tonë dhe i forcave tona të armatosura."

Reagimi i Teheranit erdhi pas deklaratave të fundit të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se Irani nuk përbën më kërcënim dhe se po arrihet dakordësi në disa aspekte mes dy vendeve.

Ora 20:55
Trump njoftoi se kishte negociuar me Iranin, reagon Netanyahu: Presidenti i SHBA-së beson se ka mundësi për një marrëveshje për të ruajtur interesat tona jetësore

1773042618_benjaminnetanyahu.jpg

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka reaguar pasi Presidenti Donald Trump deklaroi më herët se kishte pasur diskutime me përfaqësuesit iranianë dhe se kishin rënë dakord për një sërë çështjesh.

Netanyahu ka thënë se ka folur me presidentin amerikan Donald Trump, i cili sipas tij, sheh një shans për të arritur një marrëveshje me Iranin.

“Trump beson se ekziston mundësia e shfrytëzimit të arritjeve të mëdha të IDF (Forcat Mbrojtëse të Izraelit) dhe ushtrisë amerikane për të realizuar qëllimet e luftës, në një marrëveshje që do të ruajë interesat tona jetësore”, tha Netanyahu në një video-deklaratë të lëshuar nga zyra e tij.

Më tej Netanyahu deklaroi se ushtria izraelite do të mbrojë interesat e vendit në çdo rrethanë të mundshme, përmes sulmeve të vazhdueshme ndaj Iranit dhe Hezbollahut në Liban.

“Në të njëjtën kohë, ne vazhdojmë të sulmojmë si Iranin ashtu edhe Libanin. Ne po shkatërrojmë programet e tyre raketore dhe bërthamore dhe vazhdojmë t’i shkaktojmë dëme serioze Hezbollahut.

Vetëm pak ditë më parë, ne eliminuam dy shkencëtarë të tjerë bërthamorë dhe dora jonë është ende e shtrirë. Ne do të mbrojmë interesat tona jetësore në çdo rrethanë”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një video.

Ora 19:22
Lufta në Iran drejt fundit? SHBA cakton 9 prillin si afat për mbylljen e konfliktit

Shtetet e Bashkuara synojnë që lufta të përfundojë deri më 9 prill, duke lënë rreth tre javë për vazhdimin e luftimeve dhe negociatave.

Sipas medias izraelite Ynet, një zyrtar izraelit tha se bisedimet mes Iranit dhe SHBA pritet të zhvillohen brenda kësaj jave në Pakistan.

Nëse lufta përfundon brenda këtij afati, kjo mund t’i hapë rrugë një vizite të president Donald Trump në Izrael në Ditën e Pavarësisë, më 22 prill.

Ora 18:43
Reuters: SHBA-të kanë kërkuar takim me kryeparlamentarin iranian për ditën e shtunë

1774287891_1447780.jpeg.webp

Një zyrtar i lartë iranian ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar një takim për ditën e shtunë me presidentin e Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf.

Lajmi është raportuar nga agjencia Reuters në faqen e saj.

Teherani ende nuk ka dhënë një përgjigje dhe Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare nuk e ka shqyrtuar ende këtë çështje, shtoi zyrtari.

Ora 15:42
Trump: Arritëm një marrëveshje prej 15 pikash, Irani pranoi të mos kishte armë bërthamore

1773331528_donaldtrump.JPG

Presidenti amerikan Donald Trump tha se gjatë negociatave të zhvilluara, të pretenduara prej tij, Irani ka rënë dakord të mos ketë armë bërthamore.

Duke folur me gazetarët para se të nisej për në Memphis, Presidenti vuri në dukje gjithashtu se ishte arritur një marrëveshje me Teheranin për 15 pika, duke përfshirë armët bërthamore.

Nga ana tjetër, Irani ka mohuar se ka pasur negociata me Presidentin Donald Trump, por sipas tyre, SHBA-të u tërhoqën nga sulmet mbi centralet elektrike, pas presionit të Teheranit.

Ora 15:40
Trump: Ngushtica e Hormuzit do të rihapet, dua që ta kontrollojmë bashkë me Iranin, apo kushdo që do të jetë në të ardhmen

1773096494_donaldtrump.webp

Foto: Donald Trump

Ngushtica e Hormuzit do të rihapet shumë shpejt "nëse kjo funksionon", tha Donald Trump, duke iu referuar një marrëveshjeje të mundshme me Iranin.

"Ekziston një shans real që të arrijmë një marrëveshje, por nuk po garantoj asgjë. Do të kontrollohet bashkërisht. Unë dhe Ajatollahu, kushdo që të jetë ai, apo kushdo që të jetë Ajatollahu i ardhshëm”, shtoi ai.

Ora 15:31
Konfliktet në Lindjen e Mesme, Papa Leoni XIV bën thirrje për ndaljen e luftimeve: Të hapen shtigjet e paqes përmes dialogut

Papa Leoni XIX ka reaguar për situatën në Lindjen e Mesme, ku konflikti që nisi mes Izraelit e SHBA-së dhe Iranit po përhapet në të gjitha vendet e rajonit.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Papa Leoni XIV ka deklaruar se po e ndjek me shqetësim situatën në Lindjen e Mesme, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund luftimeve.

Po ashtu Papa Leoni XIV ka propozuar që vendin e luftimeve ta zërë dialogu i sinqertë dhe respekti për dinjitetin e çdo personi.

“Vazhdoj ta ndjek situatën në Lindjen e Mesme me shqetësim. Ashtu si rajone të tjera të botës, ajo është e shkatërruar nga lufta dhe dhuna. Nuk mund të heshtim përballë vuajtjeve të kaq shumë viktimave të pambrojtura të këtyre konflikteve. Ajo që i lëndon ata, i lëndon të gjithë...

E ripërsëris fuqimisht thirrjen time për të këmbëngulur në lutje. Le të pushojnë armiqësitë dhe të hapen më në fund shtigjet drejt Paqes, të bazuara në dialogun e sinqertë dhe respektin për dinjitetin e çdo personi njerëzor.

Jezusi na tregon sot atë që i tha dikur Martës, motrës së Lazarit: 'Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë; dhe kushdo që jeton dhe beson në mua nuk do të vdesë kurrë, ka shkruar Papa Leoni XIV në rrjetet sociale.

Ora 15:02
Trump: Nuk e di se ku është Khamenei, por nuk dua që ai të vritet

1773769584_donaldtrump.webp

Foto: Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar për mediat se ai nuk e di se ku ndodhet Mojtaba Khamenei.

Ndër të tjera ai thotë se nuk dëshiron që Udhëheqësi Suprem të vritet.

"Ne kemi një marrëveshje me Iranin për pothuajse çdo pikë themelore. Nuk e di se ku është Udhëheqësi Suprem, por nuk dua që ai të vritet", tha Trump për mediat.

Ora 14:23
Mediat izraelite: Izraeli do të shmangë bastisjet ndaj infrastrukturës energjitike iraniane, njësoj si SHBA-të

Izraeli ka të ngjarë të pezullojë sulmet ajrore ndaj infrastukturës energjitike, ashtu si edhe Shtetet e Bashkuara, raporton gazeta Times of Israel, duke cituar një burim sigurie të njohur me planet e luftës së Izraelit.

Uashingtoni, sipas burimit, e ka mbajtur Izraelin të informuar për diskutimet e tij me Teheranin. Izraeli nuk ka kërcënuar në mënyrë të qartë se do të sulmojë infrastrukturën energjitike iraniane, por Ministri i Mbrojtjes Israel Katz tha dje se sulmet kundër Iranit dhe "infrastrukturës nga e cila varet do të rriten ndjeshëm".

Ora 14:06
Trump: Ne patëm bisedime mbrëmë me Iranin! Nuk i kuptoj mediat iraniane që e mohojnë një gjë të tillë

1773331528_donaldtrump.JPG

Foto: Donald Trump

Irani dëshiron një marrëveshje, dhe një e tillë mund të arrihet brenda pesë ditësh ose më pak. Kështu deklaroi Donald Trump në një intervistë me Fox, duke theksuar se nuk e di saktësisht se ku po referohet media iraniane, e cila ka mohuar bisedimet me Shtetet e Bashkuara.

"Bisedimet më të fundit", tha presidenti, u zhvilluan mbrëmë midis Steve Witkoff, Jared Kushner dhe homologëve të tyre.

Ora 13:32
BE paralajmëron krizën e energjisë, Komisioneri Jorgensen: Shtetet anëtare të nisin menjëherë mbushjen e depozitave të gazit!

Komisioneri për Energjinë Dan Jorgensen

Bashkimi Evropian u ka kërkuar vendeve anëtare të nisin sa më shpejt mbushjen e depozitave të gazit, për shkak të pasigurisë që po krijon lufta në Lindjen e Mesme në tregjet e energjisë.

Komisioni Evropian thekson se aktualisht furnizimi është i sigurt, por paralajmëron se situata mund të ndryshojë dhe përgatitja duhet të nisë që tani për dimrin e ardhshëm.

Komisioneri për Energjinë Dan Jorgensen tha se BE është më e përgatitur se në vitin 2022, por mbetet e ekspozuar ndaj tregjeve globale. Sipas tij, mbushja e hershme e depozitave ndihmon në uljen e presionit mbi çmimet dhe shmang mungesat në momentet e fundit.

Ora 13:26
Irani mohon bisedimet me SHBA: Nuk ka pasur negociata me Trump! U tërhoq nga sulmet prej kërcënimeve tona

1773642529_iran.webp

Irani ka mohuar se janë duke u zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara, siç njoftoi Presidenti Donald Trump. "Trump u tërhoq nga sulmi ndaj infrastrukturës jetësore pasi kërcënimet ushtarake të Iranit u morën seriozisht", citohet të ketë thënë një zyrtar i lartë i sigurisë nga agjencia e lajmeve Fars.

"Presioni nga tregjet financiare dhe kërcënimi i obligacioneve amerikane dhe perëndimore janë rritur, dhe ky ishte një faktor tjetër i rëndësishëm në këtë tërheqje", shtoi ai. "Që nga fillimi i luftës, disa ndërmjetës i kanë dërguar mesazhe Teheranit, ndaj të cilëve përgjigja e qartë ka qenë se ne do të vazhdojmë të mbrohemi derisa të arrijmë parandalimin e nevojshëm", sqaroi burimi. "Nuk ka pasur negociata dhe asnjë nuk është duke u zhvilluar."

Ora 12:14
Media: Shpërthime të fuqishme në Teheran

1774174191_xftsuuoo.jpg

Teherani po përjeton një valë sulmesh masive, raportojnë mediat iraniane. Një zonë banimi në juglindje të kryeqytetit është shënjestruar në veçanti. 

Ora 12:12
Dita e 24 e konfliktit/ Trump njofton 'armëpushim' 5 ditor me Iranin, kemi pasur bisedime të mira

1773684868_donaldtrump.jpg

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump ka njoftuar armëpushimin 5 ditor me Iranin pas dy ditë bisedimeve të suksesshme mes dy vendeve. Trump thotë se vijimi i marrëdhënieve do të varet nga suksesi i grupeve negociatore ndërsa për 5 ditët e ardhshme nuk do të sulmohen centralet energjetike iraniane.

“Jam i kënaqur të raportoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendi i Iranit kanë pasur, gjatë dy ditëve të fundit, bisedime shumë të mira dhe produktive në lidhje me një zgjidhje të plotë dhe përfundimtare të armiqësive tona në Lindjen e Mesme. Bazuar në karakterin dhe tonin e këtyre bisedimeve të thelluara, të detajuara dhe konstruktive, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, kam udhëzuar Departamentin e Luftës të shtyjë çdo dhe të gjitha sulmet ushtarake kundër centraleve energjetike dhe infrastrukturës së energjisë iraniane për një periudhë pesëditore, në varësi të suksesit të takimeve dhe diskutimeve në vijim. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, shkruan Trump në rrjete sociale.

Ora 10:57
Media amerikane: Mojtaba Khamenei është i plagosur dhe i izoluar, nuk u përgjigjet mesazheve

1774111202_xytuioo.jpg

Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është i plagosur, i izoluar dhe nuk përgjigjet ndaj mesazheve që i janë dërguar, raporton Ëashington Post, duke cituar zyrtarë të sigurisë amerikane dhe izraelite. Pavarësisht kësaj, zyrtarët e Tel Avivit kanë pohuar se klerikët dhe udhëheqësit e mbijetuar të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit kanë konsoliduar kontrollin e tyre mbi vendin.

Ora 10:55
Teherani kërcënon Izraelin dhe SHBA-në: Nëse sulmoni ishujt e Iranit, do të minojmë linjat e komunikimit në Gjirin Persik

Irani ka kërcënuar të vendosë mina detare në të gjithë Gjirin nëse Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmojnë brigjet dhe ishujt e Iranit me trupa tokësore. Këshilli i Mbrojtjes i Iranit e njoftoi këtë.

"Çdo përpjekje nga armiku për të sulmuar brigjet ose ishujt e Iranit, natyrisht dhe në përputhje me praktikën e vendosur ushtarake, do të rezultojë në minimin e të gjitha rrugëve të aksesit dhe linjave të komunikimit në Gjirin Persik dhe zonat bregdetare me lloje të ndryshme minash detare, duke përfshirë minat lundruese të zhvendosshme në breg", deklaroi Këshilli i Mbrojtjes i vendit në një deklaratë të transmetuar nga media shtetërore.

Ora 10:20
Moska: Ne kundërshtojmë bllokadën e Hormuzit, por situata duhet të shihet në kontekstin e ngjarjeve në Lindjen e Mesme

Foto: Andrei Rudenko

Zëvendësministri i Jashtëm rus Andrei Rudenko deklaroi se Moska kundërshton bllokadën e Ngushticës së Hormuzit, por kërkon që e gjithë situata të shqyrtohet në kontekstin e ngjarjeve në Lindjen e Mesme.

"Irani, ashtu si vendet e tjera, ka gjithashtu të drejtën e vetëmbrojtjes, sipas pikëpamjes së tij. Kjo nuk do të thotë që ne miratojmë gjithçka që ndodh atje", tha Rudenko.

Më tej ai deklaroi se Moska shpreson që udhëheqja amerikane, e cila po kërcënon të sulmojë infrastrukturën energjetike iraniane nëse Teherani nuk e zhbllokon Ngushticën e Hormuzit, "do të ketë mendjen e shëndoshë për të mos goditur termocentralin bërthamor iranian në Bushehr".

"Mendoj se Bushehri nuk do të përfshihet në këto lista, pasi pasojat do të ishin thjesht katastrofike për të gjithë", tha ai.

Ora 08:58
‘Hapja e Hormuzit, thelbësore’, Trump dhe Starmer bisedojnë lidhur me krizën energjitike

Kryeministri britanik Keir Starmer dhe Presidenti i SHBA-ve Donald Trump diskutuan mbi krizën e Ngushticës së Hormuzit gjatë një bisede telefonike vonë të dielën.

“U dakordësuan se rihapja e Ngushticës së Hormuzit është thelbësore për të siguruar stabilitetin në tregun global të energjisë,” thuhej në një deklaratë zyrtare të Doëning Street, duke shtuar se ata “do të flasin përsëri së shpejti.”

Biseda erdhi pasi Trump kritikoi ashpër Kryeministrin britanik dhe aleatët e tjerë evropianë për ngurrimin e tyre për t’i ofruar ndihmë ushtarake Shteteve të Bashkuara në luftën me Iranin.

Britania është një nga 22 vendet që kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në përpjekjet për të siguruar lundrim të sigurt në Ngushticën e Hormuzit, kanali jetik i mbyllur që prej fillimeve të sulmeve ndaj Iranit.

Ora 08:49
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë: ‘Kriza më e keqe energjitike në dekada’ nuk do të kursejë asnjë vend

Lufta në Lindjen e Mesme mund të shkaktojë një krizë energjitike më të keqe sesa kriza e viteve 1970 dhe ndikimet fillestare të pushtimit të Ukrainës nga Rusia në 2022 së bashku.

Ky ishte paralajmërimi i Fatih Birol, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, në komentet e tij për mediat australiane gjatë një eventi për shtyp në Canberra.

“Shumë prej nesh e mbajnë mend dy krizat e naftës njëra pas tjetrës në vitet 1970… atëherë, në secilën nga krizat, bota humbi rreth pesë milion fuçi naftë në ditë, dhe të dyja së bashku, 10 milion fuçi në ditë,” tha Birol. “Sot kemi humbur 11 milion fuçi në ditë, pra më shumë se dy kriza të mëdha të naftës së bashku.”

Ai shtoi se asnjë vend “nuk do të jetë imun” ndaj pasojave energjetike të krizës, pasi transportet e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) që kalojnë përmes kanalit jetik të Ngushticës së Hormuzit, mbeten të bllokuara nga bllokada iraniane.

Ora 08:48
Mediat: Avioni luftarak amerikan rrëzohet në Kuvajt, pas sulmeve iraniane

Një avion luftarak amerikan është rrëzuar në Kuvajt, sipas agjencisë së lajmeve Mehr.

Sipas transmetuesit irakian, avioni luftarak amerikan u godit në qiellin mbi Iranin dhe më pas u rrëzua në Kuvajt.

Ora 08:03
Hezbollahu paralajmëron Izraelin: Kemi shumë surpriza, veçanërisht dronë

Foto:Wafiq Safa

Hezbollahu ka kërcënuar se do ta godasë rëndë Izraelin, veçanërisht me dronë.

"Na presin surpriza, veçanërisht me dronë. Jemi përgatitur për një luftë të gjatë kundër pushtuesve sionistë", tha Wafiq Safa, anëtar i Këshillit Politik të Hezbollahut.

Ai shtoi se pas luftës, ne do të detyrojnë qeverinë të tërheqë vendimin e saj për të ndaluar aktivitetet ushtarake të Hezbollahut.

“Ne do ta bëjmë këtë sido që të jetë”, theksoi ai.