Irani ka mohuar negociatat me SHBA-të duke u shprehur se ka pasur vetëm "kërkesë për negociata së bashku me një sërë propozimesh nga SHBA që na janë përcjellë përmes disa ndërmjetësve, përfshirë Pakistanin."

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se SHBA-të janë në bisedime me një “regjim të ri dhe më të arsyeshëm” për t'i dhënë fund luftës në Iran.

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të angazhuara në diskutime serioze me një regjim të ri, më të arsyeshëm për t'i dhënë fund operacioneve tona ushtarake në Iran", shkroi Trump në Truth duke theksuar se nëse nuk do kishte marrëveshje do merreshin masa më të rrepta ushtarake, deri te shkatërrimi i ishullit Kharg.

"Të jem i sinqertë me ju, gjëja ime e preferuar është të marr naftën në Iran, por disa njerëz budallenj në SHBA thonë: 'Pse po e bëni këtë?' Por ata janë njerëz budallenj. Ndoshta e marrim Ishullin Kharg, ndoshta jo. Kemi shumë mundësi”, tha Trump teksa shtoi se ‘kjo do të thoshte gjithashtu se do të duhej të qëndronim atje [në Ishullin Kharg] për një farë kohe’.

Më herët gjatë një interviste për Financial Times, Trump tha se mund të “marrë naftën në Iran” dhe ndoshta të pushtojë qendrën kryesore të karburantit të vendit, Ishullin Kharg.

Një mesazh Trump e kishte edhe për Madridin zyrtar, teksa deklaroi se ‘nuk kemi nevojë për ndihmën tuaj. Komentet e Trump erdhën pasi qeveria spanjolle ka mbyllur hapësirën ajrore për avionët e përfshirë në operacionin ushtarak të SHBA-ve dhe Izraelit kundër Iranit. Ky ndalim nuk vlen vetëm për nisjet nga territori spanjoll, por edhe për fluturimet e avionëve ushtarakë që vijnë nga bazat në Mbretërinë e Bashkuar ose në Francë.

Ndërkohë nga ana tjetër, Izraeli ka miratuar dënimin me vdekje për terroristët, një vendim që pritet të prekë shumë palestinezë të arrestuar në Izrael.

Teksa përflitet për bisedime që mund t’i japin fund luftës në Iran, sulmet e ndërsjellta kanë vijuar gjatë gjithë ditës së sotme. Sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s në Mesdheun lindor interceptuan sot një raketë balistike të lëshuar nga Irani drejt Turqisë. Lajmin e bëri të ditur Ministria turke e Mbrojtjes. Sipas autoriteteve turke, kjo është raketa e katërt që ndalohet nga NATO që nga nisja e përplasjes mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Ndërsa IDF pretendon se ka goditur një strukturë ushtarake të Gardës Revolucionare Islamike të vendosur brenda Universitetit Imam Hossein në Teheranin qendror. Sipas ushtrisë, universiteti - i përshkruar si "një nga vendet kryesore të infrastrukturës ushtarake të Gardës Revolucionare" - është përdorur nën mbulesë civile për kërkimin dhe zhvillimin e armëve, përfshirë edhe raketat balistike.

lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:02
Irani: Asnjë negociatë me SHBA që nga fillimi i luftës, vetëm propozime

“Nuk kemi pasur asnjë negociatë me Shtetet e Bashkuara në këto 31 ditë. Ajo që ka ndodhur është një kërkesë për negociata së bashku me një sërë propozimesh nga SHBA që na janë përcjellë përmes disa ndërmjetësve, përfshirë Pakistanin”, shkruan në X zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, duke mohuar atë që u raportua nga Donald Trump për bisedime “edhe të drejtpërdrejta” me Teheranin.

Ora 23:01
Sulmet e Izraelit kundër Hezbollahut, OKB: Dy paqeruajtës të tjerë u vranë në Liban

1774904655_srtyuioio.jpg

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar vdekjen e dy paqeruajtësve të tjerë indonezianë në Libanin jugor, ku Izraeli thotë se po lufton kundër militantëve të Hezbollahut të mbështetur nga Irani.

Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL) shkroi në rrjetet sociale: "Dy paqeruajtës të UNIFIL u vranë tragjikisht në jug të Libanit sot, kur një shpërthim me origjinë të panjohur shkatërroi automjetin e tyre pranë Bani Hayyan”.

"Një paqeruajtës i tretë u plagos rëndë, dhe një i katërt u lëndua gjithashtu", shkroi më tej Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban.

Vrasjet e tyre vijnë pas vdekjes së një tjetër paqeruajtësi indonezian në jug të Libanit dje.

Gjatë fundjavës, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, tha se ushtria e vendit të tij do të zgjerojë pushtimin në Liban, duke zgjeruar "rripin ekzistues të sigurisë" në jug të vendit.

Ora 22:43
Autoriteti Palestinez dënon ligjin e ri të Izraelit për dënimin me vdekje: Zbulon natyrën e sistemit kolonial në Tel Aviv

1774903486_zxdyuuii.jpg

Autoriteti Palestinez dënoi miratimin nga Knesseti (Parlamenti i Izraelit) të një ligji që kërkon ekzekutimin e palestinezëve të Bregut Perëndimor të dënuar për sulme terroriste, duke e quajtur atë një "përshkallëzim të rrezikshëm".

Në një postim në rrjetin social ‘X’, Ministria e Jashtme e Autoritetit Palestinez deklaroi se "Izraeli nuk ka sovranitet mbi tokën palestineze".

"Ky ligj zbulon edhe një herë natyrën e sistemit kolonial të Izraelit, i cili kërkon të legjitimojë vrasjet jashtëgjyqësore nën mbulesën legjislative", thuhej në reagimin e Ministrisë së Jashtme.

Ora 22:25
Izraeli miraton ligjin për dënimin me vdekje për terroristët palestinezë, kritika të ashpra nga grupet e të drejtave të njeriut

1774902499_xftyiduoio.jpg

Parlamenti në Tel Aviv (Knesseti) ka miratuar me 62 vota pro dhe 48 kundër projektligjin për dënimin me vdekje në Izrael për akte terrorizmi (por në praktikë zbatohet vetëm për palestinezët).

Kryeministri Benjamin Netanyahu votoi pro, një nga partitë ultra-ortodokse në koalicion e kundërshtoi atë, ndërsa ligji mori edhe mbështetjen e partisë opozitare të Avigdor Lieberman.

Ligji është kritikuar ashpër që nga propozimi i tij. Ai parashikon dënimin me vdekje për ata që vrasin izraelitë për arsye "racizmi" dhe "me qëllim dëmtimin e Shtetit të Izraelit dhe rilindjes së popullit hebre në tokën e tij".

Kundërshtarët kanë theksuar se, siç është formuluar, ligji do të zbatohet vetëm për arabët që vrasin hebrenj, jo për terroristët hebrenj. Izraeli zyrtarisht ka dënimin me vdekje, por është zbatuar vetëm një herë, në vitin 1962, në rastin e Adolf Eichmann, një nga "arkitektët" e Holokaustit.

Ligji përcakton vdekjen me varje si dënimin e paracaktuar për banorët e Bregut Perëndimor të dënuar nga gjykatat ushtarake për akte terroriste vdekjeprurëse. Ligji nuk do të ketë efekt paraveprues, as kundër autorëve të sulmeve të 7 tetorit, për të cilat po hartohet një projektligj i veçantë.

Ligji në fakt përcakton dënimin me vdekje vetëm për palestinezët, duke përjashtuar në mënyrë të qartë qytetarët ose banorët izraelitë, sepse vetëm palestinezët gjykohen nga gjykatat ushtarake. Izraelitët gjykohen nga gjykatat civile. Edhe pse një dispozitë e veçantë u lejon gjykatave të vendosin dënimin me vdekje për këdo, përfshirë qytetarët izraelitë, ai zbatohet vetëm për ata që "shkaktojnë qëllimisht vdekjen e një personi me qëllim mohimin e ekzistencës së Shtetit të Izraelit" - një përkufizim që në fakt përjashton terroristët hebrenj, raporton Times of Israel.

Grupet izraelite dhe palestineze të të drejtave të njeriut e quajnë ligjin racist, drakonian dhe që nuk ka gjasa të pengojë sulmet nga palestinezët. Ligji pritet të apelohet në Gjykatën Supreme të Izraelit.

Ora 21:50
Madridi deklaroi mbylljen e hapësirës ajrore për avionët e SHBA të përfshirë në luftën me Iranin, Shtëpia e Bardhë: Nuk kemi nevojë për ndihmën e Spanjës

1772826971_1200630screenshot1662653448.png

Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk kanë nevojë për ndihmën e Spanjës apo të ndonjë shteti tjetër për luftën me Iranin.

Deklarata erdhi pasi më herët Madridi zyrtar bëri të ditur se do të mbyllte hapësirën ajrore të vendit, për avionët amerikanë që janë të përfshirë në luftimet me Iranin.

“Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara po i përmbushin ose po i tejkalojnë të gjitha objektivat e tyre në Operacionin Epic Fury dhe nuk kanë nevojë për ndihmën e Spanjës apo të askujt tjetër”, tha një zyrtar i administratës Trump për agjencinë e lajmeve Efe.

Ora 19:33
Teherani: Kievi po merr pjesë aktive në agresion kundër nesh, po kryen një akt të gabuar ndërkombëtarisht

1774892067_rstdui.jpg

Irani ka akuzuar Ukrainën se është përfshirë drejtpërdrejt në operacionet ushtarake kundër Teheranit.

Në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, dhe Këshillit të Sigurimit, Përfaqësuesi i Përhershëm i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, deklaroi se pranimi i Kievit se po dërgon ekspertë në Lindjen e Mesme "përbën pjesëmarrje aktive në agresionin ushtarak kundër Iranit".

"Duke vepruar kështu, Ukraina merr përgjegjësi ndërkombëtare sipas ligjit ndërkombëtar për ndihmën ose asistencën në kryerjen e një akti të gabuar ndërkombëtarisht", shkroi Iravani në letrën e publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, duke shtuar se kjo përfshin "ofrimin e asistencës operative dhe teknike që kontribuon drejtpërdrejt në përdorimin e forcës dhe aktet e agresionit kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës Islamike të Iranit".

Diplomati paralajmëroi gjithashtu se synimi i qëllimshëm i "infrastrukturës industriale civile me qëllim ushtrimin e presionit ekonomik ose ndëshkimit kolektiv mund të përbëjë shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar, duke përfshirë krimet e luftës".

Ora 18:04
Sekretari amerikan i Shtetit Rubio: Iranit nuk do t'i lejohet të kontrollojë Ngushticën e Hormuzit

 

1774633529_Rubioo.jpgSekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi se SHBA-të do ta pengojnë Iranin të marrë "kontroll të përhershëm të Ngushticës së Hormuzit" dhe të krijojë një sistem takse, siç ka kërcënuar Teherani.

"Kjo nuk do të lejohet në asnjë rrethanë", deklaroi Rubio, duke shtuar se Presidenti Donald Trump "ka disa mundësi, nëse zgjedh t'i shfrytëzojë ato, për të parandaluar që kjo të ndodhë".

Natyrisht, vazhdoi Rubio në një intervistë me ABC News, "unë nuk do të zbuloj se cilat janë këto mundësi, as nuk do të diskutojmë taktikat ushtarake. Këto çështje trajtohen nga Departamenti i Luftës. Kështu që do t'ju referoj tek ato, megjithëse është e qartë se ata nuk do t'i diskutojnë as me ju. Megjithatë, ekziston një rrugë e zbatueshme për të arritur objektivat tona. Dhe ne do t'i arrijmë këto objektiva brenda pak javësh, jo muajsh".

Sekretari i Shtetit kujtoi se objektivat e operacionit ushtarak amerikan kundër Iranit ishin shkatërrimi i marinës së tij dhe eliminimi i aftësive të tij, të tilla si lëshuesit e raketave, "me një përqindje të konsiderueshme".

"Ne do të eliminojmë bazën e tyre industriale të mbrojtjes: kjo do të thotë se do të goditet aftësia e tyre për të prodhuar raketa dhe dronë të rinj në të ardhmen, pasi kjo përbënte një kërcënim të madh për rajonin. Irani që shihni sot është Irani në pikën e tij më të dobët", shtoi Rubio.

"Imagjinoni pas dy vitesh, nëse do të kishte mijëra raketa të tjera, me mijëra lëshues të tjerë dhe fabrika për të prodhuar edhe më shumë. Ky ishte një rrezik i papranueshëm që duhej të adresohej dhe Presidenti Trump po e adreson atë", përfundoi Rubio.

Ora 18:00
NATO rrëzon një tjetër raketë balistike të Iranit mbi Turqi

Sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s në Mesdheun lindor kanë interceptuar sot një raketë balistike e lëshuar nga Irani drejt Turqisë.

Lajmin e bëri të ditur Ministria turke e Mbrojtjes.

Sipas autoriteteve turke, kjo është raketa e katërt që ndalohet nga NATO që nga nisja e përplasjes mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Ndërkohë, Irani ka mohuar vazhdimisht përgjegjësinë për lëshimin e këtyre raketave.

Ora 16:23
Këshilli i BE zgjat regjimin e sanksioneve ndaj Iranit deri në prill të 2027-ës

Këshilli i Bashkimit Europian ka vendosur të zgjasë deri më 13 prill 2027 regjimin e sanksioneve të BE-së që mbulojnë shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran. Kjo bëhet e ditur nga një komunikatë që rikujton se masat përfshijnë ndalimin e udhëtimit në BE dhe marrjen e fondeve nga qytetarët e BE-së, ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e eksportit drejt Iranit të pajisjeve që mund të përdoren për represion të brendshëm ose për monitorimin e telekomunikacioneve.

Lista tani përfshin gjithsej 262 persona dhe 53 entitete. Regjimi i sanksioneve është në fuqi që nga viti 2011 dhe është rinovuar çdo vit që atëherë.

Ora 15:52
Shifrat/ Mijëra të vrarë në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës me Iranin

1774878855_xftujuoio.jpg

Me mijëra njerëz kanë humbur jetët në luftimet në Lindjen e Mesme gjatë këtyre ditëve.

Sky News ka bërë një përmbledhje të disa prej shifrave të numrit të viktimave të publikuara nga Irani, Izraeli dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme në përgjithësi, gjatë konfliktit të vazhdueshëm.

Irani

Autoritetet iraniane kanë thënë se më shumë se 1,900 njerëz janë vrarë.

Agjencia iraniane për të drejtat e njeriut, HRANA, me seli në SHBA, e ka rritur shifrën, duke thënë se ka verifikuar të paktën 3,486 vdekje. Këto janë:

Të paktën 1,568 civilë, përfshirë të paktën 236 fëmijë;

Të paktën 1,211 personel ushtarak;

Dhe 707 humbje jete të paklasifikuara;

Shifrat e HRANA-s kanë rezultuar gjerësisht të sakta në konfliktet e mëparshme në Iran.

Izrael

Në Izrael, raportohet se janë vrarë 19 persona.

Deri më tani, raportohet se ka pasur gjashtë viktima gjatë luftimeve të vendit me Hezbollahun në Libanin jugor.

Libani dhe shtetet e tjera në Lindjen e Mesme në përgjithësi

Në Liban, më shumë se 1,200 njerëz janë vrarë dhe më shumë se një milion janë zhvendosur.

Izraeli ka luftuar Hezbollahun, i cili është i vendosur në jug të vendit.

Ndërkohë, mbi 20 persona janë vrarë në Shtetet e Gjirit dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ora 15:38
IDF: Kemi goditur strukturën ushtarake të Gardës Revolucionare Islamike brenda Universitetit ‘Imam Hossein’

IDF pretendon se ka goditur një strukturë ushtarake të Gardës Revolucionare Islamike të vendosur brenda Universitetit Imam Hossein në Teheranin qendror, raportuan mediat izraelite.

Sipas ushtrisë, universiteti - i përshkruar si "një nga vendet kryesore të infrastrukturës ushtarake të Gardës Revolucionare" - është përdorur nën mbulesë civile për kërkimin dhe zhvillimin e armëve, duke përfshirë edhe raketat balistike.

Ora 15:16
Sekretari amerikan i Shtetit Rubio: Objektivat tona në Iran do të arrihen brenda disa javësh, jo muajsh

1772348536_marcorubio.jpg

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha sot se Shtetet e Bashkuara synojnë të arrijnë objektivat e tyre ushtarake në Iran brenda javësh, jo muajsh.

"Tani jemi brenda afatit dhe në fakt përpara afatit për disa nga këto objektiva, dhe do t'i arrijmë ato brenda javësh, jo muajsh", tha Rubio në emisionin "Good Morning America" ​​të ABC-së.

Prej disa javësh lufta mes Iranit nga njëra anë dhe SHBA-së e Izraelit nga ana tjetër po vijon, me bombardime të ndërsjellta nga palët e përfshira. Sulmet janë shtrirë thuajse në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.

Ora 14:57
Trump paralajmëron: Nëse nuk ka marrëveshje me Iranin, do të hedhim në erë termocentralet, puset e naftës dhe ishullin Kharg

1773331528_donaldtrump.JPG

Foto: Donald Trump

Donald Trump deklaroi sot në një postim në Truth Social se SHBA-të janë në bisedime me një “regjim të ri dhe më të arsyeshëm”. Por ai shtoi se nëse nuk do kishte marrëveshje do merreshin masa më të rrepta ushtarake.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi se “nëse nuk arrihet një marrëveshje shpejt, ne do t’i japim fund ‘qëndrimit’ tonë të mrekullueshëm në Iran, duke hedhur në erë dhe duke shkatërruar plotësisht të gjitha termocentralet e tyre, fushat e naftës dhe ishullin Kharg (dhe ndoshta të gjitha impiantet e tyre!).”

Postimi i plotë:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në diskutime serioze me një REGJIM TË RI DHE MË TË ARSYESHËM për t’i dhënë fund operacioneve tona ushtarake në Iran. Është bërë shumë përparim, por nëse për ndonjë arsye nuk arrihet një marrëveshje së shpejti, gjë që ndoshta do të arrihet dhe nëse Ngushtica e Hormuzit nuk “hapet për biznes” menjëherë, ne do ta përfundojmë “qëndrimin” tonë të mrekullueshëm në Iran duke hedhur në erë dhe duke shkatërruar plotësisht të gjitha termocentralet e tyre, fushat e naftës dhe ishullin Kharg (dhe ndoshta të gjitha impiantet e tyre të desalinizimit!), të cilat qëllimisht nuk i kemi “prekur” ende. Kjo do të jetë hakmarrje për shumë nga ushtarët tanë dhe të tjerë, që Irani masakroi dhe vrau gjatë “Mbretërimit të Terrorit” 47-vjeçar të regjimit të vjetër. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje.

Ora 14:35
BE: Izraeli duhet t'i japë fund operacioneve ushtarake në Liban

1773403241_flamuriibe.png

Foto: Flamuri i BE-së

"Izraeli duhet t'i japë fund operacioneve të tij ushtarake në Liban." Kështu deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anuar El Anouni, në lidhje me urdhrin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu drejtuar ushtrisë për të zgjeruar më tej zonën e sigurisë në Liban. 

"Ne tashmë e kemi shprehur shumë qartë qëndrimin tonë të hershëm në lidhje me situatën në Libanin jugor. Ne i kemi kërkuar dhe vazhdojmë t'i kërkojmë Izraelit të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Libanit. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjitha palëve të zbatojnë kushtet e marrëveshjeve të armëpushimit të 27 nëntorit 2024 dhe të zbatojnë plotësisht Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke u përmbajtur nga çdo veprim që do të shkaktonte zhvendosje të mëtejshme. E përsëris, situata në terren, përfshirë edhe nga një perspektivë humanitare, është serioze. Ne i dënojmë fuqimisht kërcënimet dhe sulmet e Houthi-ve në Detin e Kuq dhe më gjerë. Ata rrezikojnë ta tërheqin Jemenin në luftën rajonale dhe të rrisin jo vetëm konfliktin, por edhe paqëndrueshmërinë rajonale, si dhe të ndikojnë në tregtinë globale dhe lirinë e lundrimit", tha ai.

Lidhur me mundësinë e zgjerimit të misionit Aspides Anouni shtoi se "ne nuk spekulojmë mbi ndryshimet e mundshme."

Ora 13:06
Bisedime për luftën në Iran, Ministri i Jashtëm i Pakistanit nesër në Pekin

Foto: Ishaq Dar

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm pakistanez, Ishaq Dar, do të vizitojë Kinën nesër. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Jashtme pas takimit të mbajtur dje midis krerëve të punëve të jashtme të Pakistanit, Arabisë Saudite, Turqisë dhe Egjiptit.

Takimi u përqendrua në situatën në rajon, një muaj pas nisjes së operacioneve amerikane dhe izraelite kundër Iranit, të cilave Teherani u është kundërpërgjigjur. 

Vizita e Ishaq Dar në Pekin vjen me ftesë të Ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi, thanë zyrtarët pakistanezë, duke theksuar miqësinë historike të vendit me gjigantin aziatik, një partneritet i karakterizuar nga "koordinim i fortë dhe konsultime të rregullta" mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Misioni, shtuan ata, do të shërbejë për të diskutuar "zhvillimet e thella në rajon, çështjet dypalëshe dhe globale me interes të përbashkët".

Dje, Islamabadi njoftoi se është gati të presë bisedime midis përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit "në ditët në vijim" për të "arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për konfliktin në vazhdim".

Ora 12:54
Trupa britanikë në Lindjen e Mesme, Starmer: Nuk është lufta jonë, s’do të përfshihemi

1773236196_keirstarmer.JPG

Foto: Keir Starmer

Kryeministri britanik Keir Starmer ka këmbëngulur se trupat britanike nuk do të jenë në tokën e Iranit.

I pyetur nga gazetarët këtë të hënë nëse po shqyrtonte vendosjen e trupave britanike në Lindjen e Mesme, Starmer tha: "Kjo nuk është lufta jonë dhe ne nuk do të përfshihemi në të."

Kryeministri vazhdoi të mbronte qëndrimin e tij gjatë gjithë konfliktit, duke thënë se Mbretëria e Bashkuar po ndërmerr “veprime mbrojtëse” për të mbrojtur “jetët britanike, interesat britanike dhe, natyrisht, aleatët tanë në rajon”.

Starmer thotë gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbrojë interesat e saj dhe të punojë për të rihapur Ngushticën e Hormuzit.

Ora 12:52
Spanja mbyll hapësirën ajrore për avionët amerikanë të përfshirë në luftën me Iranin

Spanja ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionët amerikanë të përfshirë në sulmet ndaj Iranit, një hap përtej refuzimit të mëparshëm për përdorimin e bazave ushtarake të përbashkëta, sipas disa burimeve ushtarake.

Mbyllja e hapësirës ajrore, e cila detyron avionët ushtarakë të shmangin vendin anëtar të NATO-s gjatë rrugës drejt objektivave në Lindjen e Mesme, nuk përfshin situatat emergjente, shton më tej raportimi.

Ministria spanjolle e Mbrojtjes nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Ora 12:39
Goditet me raketa baza ajrore Mohammed Alaa në Irak, Ministria e Mbrojtjes: Akt frikacak dhe kriminal

Foto: Avioni ushtarak që u shkatërrua nga sulmet

Ministria e Mbrojtjes e Irakut thotë se raketat kanë goditur bazën ajrore Mohammed Alaa, duke shkatërruar një avion që i përkiste Forcave Ajrore Irakiane.

Teksa thekson se nuk është raportuar për viktima, Ministria e Mbrojtjes e Irakut e përshkruan këtë sulm si një "akt frikacak dhe kriminal që synon establishmentin ushtarak dhe aftësitë e tij mbrojtëse".

Ora 12:32
Synon të pushtojë ishullin Kharg në Iran, çfarë deklaronte Trump para 38 viteve

1773472074_1769082160donaldtrump.webp

Foto: Donald Trump

Shumë kohë para se të bëhej president i SHBA-së, Donald Trump kishte në shënjestër ishullin Kharg të Iranit. Ndërsa i thotë Financial Times se po shqyrton mundësinë e marrjes së ishullit vendimtar, më poshtë ju sjellim një deklaratë të Trump në 1988.

1988: Trump tha "Do të bëja një numër në ishullin Kharg" në një intervistë me The Guardian. "Do të shkoja dhe do ta merrja. Irani nuk mund ta mposhtë as Irakun, megjithatë ata i shtyjnë Shtetet e Bashkuara. Do të ishte mirë që bota t'u kundërvihej atyre".

13 Mars, 2026: Në një intervistë me Fox News, Trump u pyet për komentet e tij të vitit 1988. Ai tha se marrja e ishullit "nuk ishte lart në listë". Ai vazhdoi duke thënë se mund të ndryshonte mendje "brenda sekondash". "Le të themi se do ta bëja, ose le të themi se nuk do ta bëja. Çfarë do t'ju thoja?"

Po atë ditë: Trump tha në Truth Social se kishte urdhëruar sulme bombarduese që kishin "shkatërruar plotësisht" objektivat ushtarake "xhevahirin e kurorës së Iranit, Ishullin Kharg". Ai tha se kishte "zgjedhur të MOS e zhdukte infrastrukturën e naftës në ishull", por tha se do ta rishqyrtonte këtë nëse Irani do të ndërhynte në Ngushticën e Hormuzit.

30 Mars 2026: Në intervistën me Financial Times të botuar sot, Trump tha se SHBA-të "kishin shumë mundësi" në lidhje me ishullin. "Ndoshta e marrim ishullin Kharg, ndoshta jo", tha ai . "Kjo do të thoshte gjithashtu se do të duhej të qëndronim atje [në ishullin Kharg] për një kohë".

Ora 12:16
Irani: Propozimet e SHBA-së janë të paarsyeshme, nuk ka kontakt të drejtpërdrejtë me Uashingtonin

Foto: Esmail Baghaei

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, i quajti propozimet e SHBA-së, të cilat janë të strukturuara në 15 pika, "të tepërta dhe të paarsyeshme".

Sipas transmetuesit disident iranian me seli në Londër, Iran International, Baghaei tha se nuk kishte pasur kontakt të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara dhe mesazhet e marra nga Uashingtoni kishin ardhur përmes ndërmjetësve, përfshirë Pakistanin.

Zyrtari shtoi se qëndrimi i Iranit mbi çështjet në diskutim ishte i qartë dhe se Teherani mbeti i përqendruar në kuadrin e vet.

Ora 08:51
Izrael, mbi 6 mijë të plagosur që nga fillimi i luftës me Iranin

1774187942_izrael.jpg

Ministria izraelite e Shëndetësisë njofton se gjatë 24 orëve të fundit 232 persona të plagosur janë shtruar në spital për shkak të konfliktit me Iranin, duke çuar numrin total të të shtruarve për shkak të luftimeve mbi 6 mijë. Kështu raporton “Times of Israel”.

Nga pacientët e shtruar gjatë 24 orëve të fundit, dy ndodhen në gjendje të rëndë, tetë në gjendje të moderuar dhe 215 në gjendje të mirë. Sipas ministrisë, që nga fillimi i luftës me Iranin janë shtruar në spital 6.008 persona, prej të cilëve 121 ndodhen aktualisht në spital. Ky bilanc përfshin si ushtarë, ashtu edhe civilë.