Erion Braçe, një nga emrat e rëndësishëm të Partisë Socialiste, ka shpallur ambicien për të qenë kandidat i saj për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Analisti Arben Meçe është shprehur se studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv se kishte pikëpyetje pse Braçe e shpalosi këtë ambicie pikërisht në këtë moment.

Meçe tha se nëse Braçe do ta vijojë betejën për kandidaturën e kryebashkiakut brenda strukturës së PS, ky ishte një hap për t’u përshëndetur. Ai shtoi se Braçe duhet të jetë më i qartë në kërkesën e tij.

“Braçe është një socialist i thekur dhe një politikan i stazhonuar. Kur lëviz, nuk mendoj se lëviz në vakum. Dihet karakteri i Braçes. Nuk është rasti i parë që ai merr iniciativa të kësaj natyre. Është konfliktual ose opozitar brenda mazhorancës. Partitë janë struktura vullnetare, por me disiplinë. Kjo do të thotë që nëse një socialist i thekur qëndron brenda strukturës, unë jo vetëm e përshëndes, por do ta mbështes. Nëse një socialist i thekur del jashtë strukturës me pretendimin për të qenë i pavarur... Ore zotëri hape garën e brendshme dhe të jetë demokratike. Braçe duhet të jetë më i qartë në kërkesat e veta. Deri tani ka vetëm një pretendim”, tha Meçe.

Ndërkohë pedagogia Arseida Gjyli është shprehur se pretendimi i Braçes për të garuar për Bashkinë e Tiranës nuk është i pabazuar. Kjo pasi sipas Gjylit, Braçe shpesh herë ka adresuar çështje dhe problematika të qytetarëve të Tiranës dhe ka marrë një numër të konsiderueshëm votash në zgjedhjet e 11 majit.

“Pretendimi i Braçes nuk është i pabazuar. Janë disa elementë mbi të cilët ai e bazon pretendimin. E para adresimi që ai i ka bërë shumë çështjeve dhe problematikave të qytetarëve të Tiranës, mënyra si ka administruar njësinë që ai përfaqëson si deputet dhe votat që mori në zgjedhjet e 11 majit. Ai po hedh një pretendim”, tha Gjyli.

Nga ana tjetër, për avokatin Rezart Kthupi, Braçe ka zgjedhur një moment perfekt për të bërë këtë lëvizje. Kjo pasi sipas Kthupit, Rama pas votës së PS kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut nuk është aq i fuqishëm politikisht. Kthupi tha se Braçe përmes shpalljes së ambicies së tij për kryebashkiak të Tiranës, në njëfarë mënyre po i bën presion kryeministrit për të pranuar kandidaturën e tij. Ai tha më tej se kohët e fundit në PS po qarkullojnë 2 vija të mendimit politik, ajo që kryesohet nga Rama dhe një tjetër që kryesohet nga Elisa Spiropali. Sipas Kthupit, beteja reale në PS do të ndodhë mes socialistëve të vjetër dhe atyre që ai i quajti ‘rilindas’.

“Momenti është perfekt për Braçen. Lëvizja e Braçes është lëvizje që duhet parë në këndvështrimin e ngjarjeve të fundit në PS. Braçe ka zgjedhur një moment të cilin ai mendon se Rama është politikisht jo aq i fortë sa duhet dhe që ai mund t’i ushtrojë njëfarë presioni për të arritur pastaj më pas te kandidimi. Shpallja e kandidaturës është krijimi i një rrjeti njerëzish me të cilët ti presupozohet të punosh në fushatë dhe nga ana tjetër është edhe një mjet presioni ndaj strukturave të partisë. Sepse nëse ti si kandidat fillon dhe punon sot, kandidatura është një kandidaturë që i nënshtrohet rregullave brenda partisë. Do të shkojë për të lobuar brenda partisë. Por nëse ti ndërton një infrastrukturë parazgjedhore, kjo është në fund fare një mjet presioni ndaj kupolës së partisë. Me vendimin e Kuvendit ku u vendos të mos hiqej imuniteti i Ballukut dhe me një betejë gjysmë publike që ka mes Spiropalit dhe Ramës, në PS po përvijohen 2 vija mendimi politik. Një vijë politike është ajo që përfaqëson Ramën dhe tjetra Spiropalin. Ky është momenti më i mirë që t’i ta shpallësh kandidaturën dhe të nisësh edhe punën. Është diçka shumë e kalkuluar. Beteja reale në PS do të ndodhë mes socialistëve dhe rilindasve”, tha mes të tjerash Kthupi.

Ndërkohë analisti Arian Galdini teksa përshëndeti hapin e ndërmarrë nga Braçe, tha se deputeti socialist kërkon t’i thotë stop ‘ping-pongut’ që sipas tij Spiropali po bën me Ramën, për të hequr vëmendjen nga problematikat që ka vendi.

“Në PS dhe në PD ka kërkij që po përpiqen të lëpijnë apo pështyjnë atë që është vetë sistemi që i ka ngjitur aty ku janë. Te rasti Braçe, ti ke vetëm një mënyrë për ta parë këtë me sy të lirë. Braçe po bën atë që duhet ta bënte çdo politikan në Shqipëri prej 1990 deri më sot. Pse e bën sot? Dyshimi që kam unë më çon në këtë gjë, duke qenë se roli i Spiropalit ka qenë roli i ping pong-istes në Parlament, pra ajo bënte ping pong-istes edhe me Berishën, edhe me Ramën, edhe me Veliajn. Ajo që ka bërë gjatë këtyre ditëve, është që ta mbante vëmendjen te përplasja e Spiropalit me Ramën. Kjo do ta ndihmonte Ramën që ta mbante Partinë Socialiste të përqëndruar te qëllimet dhe objektivat e tij. Braçe nuk e pranon këtë ping pong dhe kjo është evidente. Nuk e di nëse është vetëm apo grup. Këtu po rinegociohen raportet, marrëdhëniet dhe rolet brenda PS”, tha mes të tjerash Galdini.