Irani pretendon se ka arritur një marrëveshje me Omanin për të krijuar një ‘rrugë’ për transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit.

Mediat e huaja raportojnë se zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei, nuk dha detaje të mëtejshme mbi marrëveshjen, të cilën ai tha se ishte "në fazat përfundimtare".

Megjithatë, Baqaei paralajmëroi se një marrëveshje me Omanin nuk do të garantonte lundrim të sigurt nëpër ngushticë, duke argumentuar se siguria mbetet e prekur nga bllokada amerikane e porteve të Iranit. Ndërkohë nga ana tjetër, SHBA-të dhe Omani nuk kanë komentuar mbi propozimin.

Që kur SHBA-të dhe Izraeli sulmuan Iranin në shkurt, Teherani ka bllokuar kryesisht Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon zakonisht rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë.

Të martën, Presidenti i SHBA-së Donald Trump paralajmëroi se Irani do të “goditet shumë rëndë” nëse ngushtica nuk hapet “shumë shpejt”.

Po ashtu Presidenti amerikan ka hedhur poshtë raportet e CNN se rezervat e raketave të Pentagonit po pakësohen, duke këmbëngulur se ushtria mban rezerva masive dhe po zgjeron me shpejtësi prodhimin.

“SHBA-të kanë sasi të mëdha ‘municioni’, veçanërisht të llojeve të caktuara”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.

“Përveç kësaj, sasi të mëdha po prodhohen dhe dërgohen në SHBA sipas nevojës. Kompanitë e mbrojtjes po ndërtojnë numrin më të madh të fabrikave dhe uzinave në historinë e vendit tonë”, shkroi më tej Trump.

Presidenti amerikan gjithashtu kritikoi ashpër burimet që fshihen pas raportimeve të medias, duke paralajmëruar se ata që janë përgjegjës do të përballen me pasoja ligjore.

“‘Zbuluesit’ e këtyre deklaratave tradhtare po ndiqen”, shkroi ai. “Do të kërkohen dënime me burgim afatgjatë!”