Washington Post ka raportuar se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është ‘përplasur’ me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, për ato që mediat i cilësuan si mungesa në rezervat e raketave amerikane gjatë një takimi në Camp David.

Ndërkohë sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i ka hedhur poshtë këto raportime të medias, duke i cilësuar si të pavërteta.

Sipas artikullit, Trump kishte kërkuar shpjegime se përse ishte keqinformuar lidhur me mungesat e raketave me rreze të gjatë veprimi dhe interceptorëve të mbrojtjes ajrore.

Raportimi pretendonte gjithashtu se rezervat e pakësuara kishin ndikuar në vendimin e presidentit për të mos ndërmarrë sulme të tjera në shkallë të gjerë ndaj Iranit.

Leavitt, e cila tha se ishte e pranishme në takimin mes Trump dhe Hegseth, i cilësoi këto pretendime si të pavërteta.

"Kjo fjalë për fjalë nuk ndodhi kurrë, dhe ne ia kemi thënë këtë vazhdimisht Washington Post-it", deklaroi ajo.

Ajo shtoi se Trump "e do Sekretarin dhe mendon se ai po bën një punë të jashtëzakonshme", duke mohuar çdo përplasje mes presidentit dhe kreut të Pentagonit.


Lajmi kryesor:

Lufta/ Trump mohon mungesën e raketave: SHBA-të kanë sasi të mëdha armësh! Teherani: Arritëm marrëveshje me Omanin për Hormuzin