Zelensky: Gati të bisedoj me Putinin, por rusët të largohen nga Ukraina! Medvedev: Ndihma e NATO-s për Ukrainën, rrezik për një luftë bërthamore

UKRAINË- Shpërthime të fuqishme janë regjistruar në Mykolaiv, teksa një ofensivë e re ka nisur në Azovstal, ku të gjithë civilët janë evakuuar dhe komandanti i marinsave të Mariupolit i kërkon ndihmë Muskut.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov thotë se Kremlini nuk dëshiron një luftë në Evropë dhe i kërkon Perëndimit të "Mos shtyjnë për një rend botëror të dominuar vetëm nga SHBA".  Nga ana tjetër, Britania e Madhe ka ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake për Suedinë dhe Finlandën në rast të një sulmi, teksa pas një bisede telefonike Scholz-Zelensky, Berlini premton më shumë mbështetje.

Ndërkohë, kryeministri italian Mario Draghi në Uashington është shprehur se Ukraina ka nevojë për një plan Marshall për rindërtim (programi më i rëndësishëm amerikan për ringjalljen ekonomike të kontinentit evropian, në fakt arriti të përfitonte vetëm pjesa perëndimore e tij) pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore).

Kur kanë kaluar mbi 70 ditë luftë, presidenti Amerikan Jo Biden, tha se të gjithë analistët kanë mbetur të surpriza nga fakti se nuk pritej që ushtria ruse të ishte kaq e paaftë.

Dmitry Medvedev, Nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tha se një konflikt i tillë me NATO-n mbart gjithmonë rrezikun e shndërrimit në një luftë të plotë bërthamore.

“Jam gati të flas me Putinin, por nuk duhet të ketë ultimatum,rusët, megjithatë, duhen të largohen nga territori ynë, ne nuk jemi në tokën ruse, ky është hapi i parë për të folur. Putin? Unë nuk mendoj se ai do të jetë në gjendje të shpëtojë fytyrën", tha Zelensky në një intervistë për “Porta a Porta” e transmetuar në televizionin italian “Rai Uno”.

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka votuar për miratimin e rezolutës për nisjen e hetimeve të krimeve të kryera nga rusët në Ukrainë. Një total prej 33 anëtarësh votuan pro rezolutës, me vetëm Kina dhe Eritrea që votuan kundër. Pati gjithashtu 12 abstenime.

Në përditësim...

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:25
SHBA: Mbështesim anëtarësimin në NATO, të Finlandës dhe Suedisë

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki deklaroi ditën e sotme se SHBA mbështet çdo kërkesë nga Finlanda dhe Suedia për t’u bashkuar me NATO-n.

Ora 21:28
OKB: Më shumë se 6 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina

OKB thotë se mbi 6 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që prej 24 shkurtit, datë në të cilën filloi pushtimi rus.

UNHCR (Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët ) raporton shifrën duke deklaruar se numri i saktë është 6,029,705.

Shumica e refugjatëve kanë ikur në Bashkimin Evropian përtej kufijve të Polonisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Rumanisë. Tetë milionë të tjerë janë të zhvendosur brenda vendit sipas IOM, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.

Ora 20:42
Gjermania nuk përkrah furnizimin e Ukrainës me avionë

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ka shprehur rezerva në lidhje me kërkesën e Ukrainës për ta furnizuar me avionë luftarakë perëndimorë.

Baerbock vuri në dukje refuzimin nga fuqitë perëndimore të një thirrjeje nga Ukraina për të vendosur një zonë ‘ndalim-fluturimi’ mbi Ukrainën.

Ministrja e jashtme gjermane tha se gjatë vizitës së saj në Kiev të martën, ajo "foli për mënyrën se si ne mund të mbështesim Ukrainën, veçanërisht në gjërat në lidhje me qëndrueshmërinë e tyre, aftësinë e tyre për të mbrojtur veten, pa kontribuar që NATO-ja të bëhet pjesëmarrëse në këtë luftë.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba është ftuar të bashkohet në diskutimet e ministrave të jashtëm të G7 që do të zhvillohen më 13 maj në Gjermani.

Gjatë një vizite të fundit në Gjermani, Kuleba bëri thirrje për furnizimin e vendit të tij me avionë modernë dhe sisteme të mbrojtjes kundër raketave./REL

Ora 19:01
Zelensky: Draghi ka të drejtë, ne mund të fitojmë, pas dhjetëra,mijëra vdekjeve

"Draghi ka të drejtë, ne mund të fitojmë. Ne kemi nevojë për mbështetje të vazhdueshme. Nuk kemi të drejtë ta humbim luftën pas dhjetëra mijëra vdekjeve që kemi pasur”, tha Zelensky për televizionin italian “Rai Uno”.

Ora 17:42
OKB miraton rezolutën për nisjen e hetimit për krimet e luftës në Ukrainë, Kina voton kundër!

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka votuar për miratimin e rezolutës për nisjen e hetimeve të krimeve të kryera nga rusët në Ukrainë.

Një total prej 33 anëtarësh votuan pro rezolutës, me vetëm Kina dhe Eritrea që votuan kundër. Pati gjithashtu 12 abstenime.

Ukraina thotë se ka identifikuar qindra kriminelë të dyshuar të luftës në vazhdimësinë e pushtimit rus të vendit, i cili filloi në fund të shkurtit.

Sot, organi i të drejtave të njeriut mbajti një seancë urgjente në Gjenevë për të shqyrtuar provat e shkeljeve të supozuara të Moskës në Ukrainë.

Ora 17:39
Kievi: Negociata të vështira për evakuimin e 30 të plagosurve nga Azvostal

"Negociatat shumë të vështira" janë duke u zhvilluar për evakuimin e luftëtarëve të plagosur rëndë nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol përmes një shkëmbimi të robërve rusë të luftës. Kjo është bërë me dije nga zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.

“Për të qenë i qartë: për momentin ne jemi duke negociuar vetëm për rreth tridhjetë luftëtarë të plagosur rëndë. Ne punojmë hap pas hapi. Ne do të tregtojmë 38, pastaj do të vazhdojmë. Për momentin nuk flitet për një shkëmbim 500 apo 600 personash , siç është raportuar nga disa media”, ka saktësuar ai.

Ora 16:43
Zelensky: Krimeja nuk do të jetë kurrë pjesë e Federatës Ruse

"Krimea nuk do të jetë kurrë pjesë e federatës ruse. Unë kurrë nuk kam thënë se dua të njoh pavarësinë e Krimesë", kështu deklaroi ditën e sotme Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në emisionin “Porta Porta” në televizionin italian “Rai Uno”.

Ora 16:29
Zelensky: Gati për të biseduar me Putinin, por rusët largohen

“Jam gati të flas me Putinin, por nuk duhet të ketë ultimatum”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në një intervistë për “Porta a Porta” e transmetuar në televizionin italian “Rai Uno”.

"Rusët, megjithatë, duhen të largohen nga territori ynë, ne nuk jemi në tokën ruse, është hapi i parë për të folur. Putin? Unë nuk mendoj se ai do të jetë në gjendje të shpëtojë fytyrën", tha Zelensky.

 

Ora 16:12
Rritet çmimi i gazit në Evropë

Çmimet e gazit u rritën në Evropë që kur Gazprom ndaloi transitin e gazit rus në Evropë përmes Polonisë.

Sipas raportimeve, në “Dutch TTF Gas Futures” çmimet u rritën me 16.6% në 109 euro/Mwh.

Megjithatë, të dyja vlerat, si për Amsterdamin, ashtu edhe për Londrën, janë larg majave të 7 marsit të kaluar,  me vlerat në ditët e para të konfliktit në Ukrainë, kur arritën përkatësisht në 345 euro.

Ndërkohë, Gazprom ka njoftuar se do të ndalojë përdorimin e një tubacioni kyç të kalimit të gazit përmes Polonisë.

Ora 15:59
Blinken drejt Evropës! Takim me ministrat e NATO-s

Sekretari i Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken do të udhëtojë në Evropë ditën e shtunë për t’u takuar me ministrat e jashtëm të NATO-s. Lajmi u bë i ditur nga Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se

“Më 14 maj, Blinken do të udhëtojë në Berlin për të marrë pjesë në një takim jozyrtar të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, ku aleatët dhe partnerët do të diskutojnë përgjigjen e tyre të unifikuar ndaj luftës brutale të vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës dhe Samitit të ardhshëm të Liderëve në Madrid,” thuhej në deklaratën e Departamentit.

Të nesërmen ai do të takohet me krerët e BE-së në Paris, së bashku me përfaqësuesen e tregtisë së SHBA-së Katherine Tai dhe sekretaren e tregtisë, Gina Raimondo, sipas raportimit të “The Guardian”.

Ora 14:49
Putin: Sanksionet kundër Rusisë po provokojnë krizën globale

Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga Perëndimi po “provokojnë” një krizë globale, kështu u shpreh presidenti rus Vladimir Putin gjatë një takimi mbi çështjet ekonomike.

"Autorët e tyre, të udhëhequr nga ambiciet politike dritëshkurtër, të fryra, rusofobia, goditën në një masë më të madhe interesat e tyre kombëtare, ekonomitë e tyre, mirëqenien e qytetarëve të tyre. Ne e shohim këtë, para së gjithash, në një rritje të mprehtë të inflacionit në Evropë”, tha Putin.

Sipas liderit rus, vazhdimi i obsesionit ndaj sanksioneve të Perëndimit do të çojë në mënyrë të pashmangshme në pasojat më të vështira, të pazgjidhshme për Bashkimin Evropian, si dhe për vendet më të varfra në botë.

“Faji për këtë është tërësisht i elitave të vendeve perëndimore, të cilat janë të gatshme të sakrifikojnë pjesën tjetër të botës për të ruajtur dominimin e tyre global”, tha ai.

Putin shtoi se Rusia po përballet me sfidat e jashtme të provokuara nga sanksionet perëndimore dhe inflacioni në vend po ngadalësohet.

"Rritja javore e çmimeve tashmë ka rënë në 0.1%  kjo është tashmë afër normës javore të rritjes që korrespondon me objektivin e inflacionit të Bankës së Rusisë," tha ai.

Ora 14:45
Dalin pamjet kur rusët vrasin dy civilë pas shpine

 

CNN ka siguruar një video e cila tregon momentin kur 2 ushtarë rusë kanë qëlluar dhe kanë vrarë dy civilë të paarmatosur në periferi të kryeqytetit ukrainas të Kievit. Pamjet po hetohen nga prokurorët ukrainas si dëshmi për krim lufte. Të dy civilët vdiqën pas të shtënave që bien ndesh me rregullat e luftës, të cilat ndalojnë shënjestrimin e civilëve.

Ora 14:31
U martuan brenda uzinës së ‘tmerrit’ Azovstal, ushtari ukrainas humb jetën 3 ditë më vonë

Andri është një ushtar ukrainas, i cili ishte izoluar në fabrikën e çelikut Azovstal në qytetin port të Mariupolit i cili ndërroi jetë tre ditë pasi u martua.

Valeria Karpylenko u martua me Andrii brenda fabrikës së çelikut në një ceremoni ku çifti shkëmbeu unazat më 5 maj por fatkeqësisht Karpylenko vdiq vetëm tre ditë më vonë.

Gruaja e tij tani ka premtuar se do të shpëtojë gjallë nga rrethimi për burrin e saj, duke premtuar se "do të jetojë për të".

Ora 14:03
Kremlini: Të gatshëm t'i japim përgjigjen e merituar kujtdo që përfshihet në operacionin special në Ukrainë

Kremlini u shpreh sot se të gjithë duan të shmangin një përplasje të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s, por shtoi se Rusia do të jetë e gatshme të japë përgjigjen më vendimtare ndaj atyre që do të përpiqen të përfshihen në të ashtuquajturën ”operacion special ushtarak” në Ukrainë.

"Të gjithë duan të shmangin një përplasje të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s: Si Rusia dhe NATO, dhe më e rëndësishmja, Uashingtoni," tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

"Në të njëjtën kohë, Rusia do të jetë e gatshme t'i japë përgjigjen më vendimtare palës që përpiqet të futet në Ukrainë dhe të përfshihet në operacionin special që po kryhet nga forcat e armatosura ruse," shtoi ai.

Ora 13:50
Siemens largohet nga Rusia

1652356233_Capture.JPG

Grupi teknologjik dhe industrial gjerman, Siemens AG, ka thënë se do të ndalë plotësisht operacionet në Rusi dhe do të largohet nga ky treg për shkak të pushtimit të paprovokuar rus në Ukrainë.

Në një deklaratë të lëshuar më 12 maj, kompania multinacionale ka thënë se ka nisur “procedurat për të ndalur operacionet dhe aktivitetet biznesore” në Rusi.

“Ne e dënojmë luftën në Ukrainë dhe kemi vendosur të ndalim aktivitetin tonë biznesor në Rusi. Ky nuk ka qenë vendim i lehtë, duke marrë parasysh detyrën tonë për t’u kujdesur për punëtorët tanë dhe marrëdhënien afatgjatë me konsumaorët, në një treg ku kemi qenë aktivë për gati 170 vjet”, ka thënë presidenti i kompanisë, Ronald Busch, duke shtuar se “ne jemi duke ofruar ndihmë humanitare për kolegët tanë dhe njerëzit e Ukrainës dhe i bashkohemi komunitetit ndërkombëtar në thirrjet për paqe”.

Prej kur Moska ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, më 24 shkurt, qindra kompani nga e gjithë bota janë larguar nga tregu i Rusisë.

Siemens më herët ka pezulluar aktivitetet biznesore në Rusi dhe Bjellorusi, e cila i ka ndihmuar Kremlinit në luftë.

Ora 13:00
Zelensky: Vlerësoj gatishmërinë e Finlandës për tu anëtarësuar në NATO

1651845401_Capture.JPG

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur sot se e vlerëson gatishmërinë e Finlandës për t'u bashkuar me NATO-n, pasi udhëheqësit e vendit njoftuan zyrtarisht mbështetjen e tyre për t'u bashkuar me aleancën ushtarake.

Zelensky zhvilloi një telefonatë me presidentin finlandez Sauli Niinisto. 

"Lavdëroj gatishmërinë e Finlandës për të aplikuar për anëtarësim në NATO. Ne diskutuam gjithashtu integrimin evropian të Ukrainës dhe ndërveprimin e mbrojtjes Ukrainë-Finlandë," shtoi Zelensky.

Ora 12:41
Moska: Finlanda i bashkohet NATO-s si një kërcënim për Rusinë

1651835259_download6.jpg

Hyrja e Finlandës në NATO "me siguri" do të jetë një kërcënim për Rusinë. Ky është komenti i Kremlinit, pas deklaratave të Helsinkit për dëshirën për anëtarësim në Aleancën Atlantike. Përgjigja e Moskës "do të varet nga afërsia e infrastrukturës së Aleancës me kufijtë rusë". Këtë e shtoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, cituar nga TASS. Rusia, megjithatë, shtoi Peskov, "do të marrë masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e saj".

Ora 12:30
Jens Stoltenberg: Anëtarësimi i Finlandës do të forconte NATO-n

Sekretari i Përgjithshëm i aleancës Jens Stoltenberg është shprehur sot se anëtarësimi i Finlandës në NATO do të forconte aleancën por dhe vetë Finlandën.

"Nëse Finlanda vendos të aplikojë, ata do të mirëpriten ngrohtësisht në NATO dhe procesi i anëtarësimit do të jetë i qetë dhe i shpejtë. Finlanda është një nga partnerët më të ngushtë të NATO-s, një demokraci e pjekur, një anëtare e Bashkimit Evropian dhe një kontribues i rëndësishëm për sigurinë euroatlantike”, thotë Stoltenberg.

Ora 12:17
Komisionerja e Lartë e OKB-së: Numri i civilëve të vdekur në Mariupol mund të arrijë në mijëra

Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet ka deklaruar sot se numri i civilëve që kanë mbetur të vdekur gjatë luftimeve në Mariupol mund të arrijë në mijëra.

“Mijëra civilë janë vrarë në qytetin juglindor të Mariupolit dhe shkalla e vërtetë e mizorive të supozuara ende nuk është zbuluar”, tha Komisionerja.

Zyra e Bachelet vazhdon të hetojë akuzat për shkelje të ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar humanitar në Ukrainë.

"Shumë prej të cilave mund të përbëjnë krime lufte", tha ajo.

"Në rajonin e Kievit, vrasja e civilëve shpesh duket të jetë e qëllimshme, e kryer nga snajperë dhe ushtarë",tha Bachelet.

Javën e kaluar, ekipi i saj vizitoi 14 qytete dhe fshatra në zonat e Kievit dhe Chernihiv dhe dëgjoi rrëfime të të afërmve, fqinjëve dhe miqve të vrarë, plagosur, arrestuar dhe zhdukur..

"Deri më sot mbi 1000 trupa civilë janë gjetur vetëm në rajonin e Kievit. Disa nga ata njerëz janë vrarë në armiqësi, të tjerët duket se janë ekzekutuar dhe të tjerë duket se kanë vdekur për shkak të stresit dhe mungesës së mjekësisë.. Disa dukej se ishin torturuar, shtoi ajo.

 

 

Ora 11:57
Pas Finlandës dhe Suedia po merr në konsideratë anëtarësimin në NATO

Ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde është shprehur se Suedia do të marrë në konsideratë vlerësimet e Finlandës për anëtarësimin në NATO, pasi gjithashtu konsideron anëtarësimin në aleancën ushtarake.

“Finlanda është partneri më i afërt i sigurisë dhe mbrojtjes së Suedisë dhe ne duhet të marrim parasysh vlerësimet e Finlandës. Suedia do të vendosë pasi të jetë paraqitur raporti nga konsultimet për politikën e sigurisë”,  tha Linde.

Presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministrja Sanna Marin njoftuan mbështetjen e tyre për anëtarësimin në NATO në një deklaratë të përbashkët të enjten, të cilën Linde e përshkroi si një "mesazh të rëndësishëm".

 

Ora 11:47
‘Sulmet bërthamore’ një opsion real për shkak të luftës në Ukrainë! Bëhen gati “avionët e apokalipsit”

Sulmet bërthamore janë një opsion real në kontekstin e luftës në Ukrainë. Presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, Joe Biden dhe Vladimir Putin, kanë një as nën mëngë, më konkretisht “Avionin e Apokalipsit”, i cili është projektuar për t’u përdorur në rast sulmi bërthamor.

Funksioni i këtij avioni është që të largojë presidentin dhe kabinetin e tij ushtarak nga të gjitha rreziqet, në mënyrë që ata të mund të drejtojnë luftën. Deri më sot, vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë një aeroplan të Ditës së Kiametit.

Bëhet fjalë për një avion që ka përmasat e një godine dhe që mund të strehojë një qeveri të tërë. Në këtë mënyrë, lidershipi i këtyre vendeve mund të udhëtojë me avion dhe të shmangë rreziqet fatale. Modeli nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i njohur, por Rusia ka krijuar polemika, sepse do të ekspozohej në paradën e fitores të hënën, por në momentin e fundit u vendos të anulohej ai prezantim.

Shtetet e Bashkuara kanë të paktën katër avionë të tillë, të quajtur Boeing E-4 Advanced Airborne Command Post, me emrin “Nightëatch”, një avion komandimi dhe kontrolli i operuar nga Forcat Ajrore të SHBA-së. Nga ky avion, duke qenë në ajër, presidenti amerikan mund të drejtonte luftën së bashku me kabinetin e tij.

Modeli aktual i përdorur nga skuadrilja e parë e komandës dhe kontrollit ajror të Krahut të 55-të korrespondon me Boeing E-4B. Ka mbrojtje kundër pulsit elektromagnetik, efekteve mbrojtëse bërthamore dhe termike, elektronikë të avancuar dhe një shumëllojshmëri të gjerë të pajisjeve të komunikimit. Çdo njësi, sipas raporteve, do të kushtonte rreth 200 milionë dollarë. Shtetet e Bashkuara lëshuan një nga aeroplanët e tyre të “Ditës së Apokalipsit”, më 28 shkurt. Megjithatë, administrata Joe Biden vuri në dukje se ishte një fluturim rutinë.

Ministria ruse e Mbrojtjes kishte njoftuar se një fluturim i Ilyushin-80 Maxdome, modeli në pronësi të Vladimir Putin, do të shfaqej në paradën e 9 majit. Por më në fund, ai fluturim nuk u realizua.

Ora 11:18
Finlanda pro anëtarësimit në NATO, Dmitry Medvedev paralajmëron Perëndimin: Kjo mund të kthehet në luftë bërthamore

Një nga aleatët më të afërt të presidentit rus Vladimir Putin ka reaguar ndaj lajmeve se Finlanda dhe Suedia po i afrohen më shumë anëtarësimit në NATO dhe ka paralajmëruar Perëndimin që mbështetja e tij ushtarake në rritje ndaj Ukrainës rrezikon të shkaktojë një konflikt midis Rusisë dhe aleancës ushtarake.

Dmitry Medvedev, ish-presidenti i cili tani është nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tha se një konflikt i tillë me NATO-n mbart gjithmonë rrezikun e shndërrimit në një luftë të plotë bërthamore.

“Vendet e NATO-s që pompojnë armë në Ukrainë, stërvitin trupa për të përdorur pajisjet perëndimore, dërgimin e mercenarëve dhe stërvitjet e vendeve të Aleancës pranë kufijve tanë rrisin mundësinë e një konflikti të drejtpërdrejtë dhe të hapur midis NATO-s dhe Rusisë. Një konflikt i tillë ka gjithmonë rrezikun që të kthehet në një luftë të plotë bërthamore dhe ky do të jetë një skenar katastrofik për të gjithë”, tha ai.

 

Ora 09:29
Finlanda pro aplikimit për anëtarësim në NATO: Do forconte sigurinë tonë

Presidenti dhe kryeministri finlandez thonë se Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesë

Në një deklaratë të përbashkët të enjten, presidenti dhe kryeministri i Finlandës njoftuan mbështetjen e tyre për t'u bashkuar me NATO-n, duke lëvizur vendin nordik i cili ndan një kufi prej 800 miljesh me Rusinë një hap më afër anëtarësimit në aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA.

"Gjatë kësaj pranvere, është zhvilluar një diskutim i rëndësishëm mbi anëtarësimin e mundshëm të Finlandës në NATO. Ka nevojë për kohë që parlamenti dhe e gjithë shoqëria të vendosin qëndrimet e tyre për këtë çështje. Është dashur kohë për kontakte të ngushta ndërkombëtare me NATO-n dhe vendet anëtare të saj, si dhe me Suedinë. Ne kemi dashur t'i japim hapësirën diskutimit. kërkohet", u shprehen  presidenti i Finlandës Sauli Niinistö dhe kryeministrja Sanna Marin.

Udhëheqësit shtuan se "momenti i vendimmarrjes është afër" dhe Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO.

"Anëtarësimi në NATO do të forconte sigurinë e Finlandës. Si një anëtare e NATO-s, Finlanda do të forconte të gjithë aleancën e mbrojtjes. Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesë. Shpresojmë që hapat kombëtarë që duhen ende për të marrë këtë vendim do të ndërmerren me shpejtësi brenda vitit të ardhshëm”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Ora 09:15
Sulme në rajonin e Chernihiv, raportohen të vdekur dhe të plagosur

1652181165_000326E8LBe1647603670951.jpg

Gjatë natës, një avion rus goditi Novgorod-Siversky në rajonin Chernihiv të Ukrainës verilindore. Kjo u njoftua nga kreu i administratës ushtarake rajonale të Chernihiv Vyacheslav Chaus në Telegram. 

"Gjatë natës, mbi qytetin e Novgorod-Siversky, rusët filluan disa sulme ajrore në infrastrukturë", duke përfshirë shkollat, tha Chaus dhe deklaroi se kishte të vdekur dhe të plagosur. 

Gjithashtu janë dëmtuar ndërtesat administrative dhe banesat.

Ora 09:02
OKB: 3496 është numri i civilëve të vdekur nga lufta në Ukrainë

1652296061_KAP20220406256scaled.jpg

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut regjistroi 7256 viktima civile, përfshirë vdekjet dhe plagosjet, në Ukrainë pas luftës me Rusinë. Në veçanti, OKB-ja ka mundur të konfirmojë 3,496 të vdekur dhe 3,760 të plagosur nga 24 shkurti deri në mesnatën e 10 majit.

Ora 08:53
Kryebashkiaku i Kievit: Kryeqyteti objektivi kryesor i Rusisë, Putin mund të përdorë një armë taktike bërthamore

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, ndihet i shqetësuar për mundësinë që presidenti rus Vladimir Putin të përdorë një armë taktike bërthamore në Kiev.

"Siguria është prioriteti kryesor tani. Po, sigurisht që shqetësohemi dhe shpresojmë që luftëtarët tanë të na mbrojnë, por rreziku është ende atje dhe pa partnerët tanë, pa Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane nuk mund të mbijetojmë," tha ai.

Vitali Klitschko u shpreh se nuk ka dyshim që objektivi kryesor i Rusisë është kryeqyteti, Kievi prandaj vazhdojnë apelet që qytetarët të tregohen të kujdesshëm pasi sulmet mund të ndodhin në çdo moment.

“Si kryetar i Kievit i them kujtdo, më falni, është rreziku juaj personal, por ne nuk mund t'ju japim garanci. Për sa kohë që ka luftë në Ukrainë nuk mund të japim garanci për asnjë ukrainas, pasi sulmet ruse mund të ndodhin në çdo sekondë”, tha Klitschko.

Ora 07:52
Lufta në Ukrainë, presidentja e Komisionit Europian: Rusia është kërcënim për rendin ndërkombëtar

1652334848_Capture.JPG

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen gjatë samitit të mbajtur në Tokio ku i pranishëm dhe presidenti i Këshillit Europian Charles Michel është shprehur se Rusia është një kërcënim i drejtëpërdrejtë për rendin botëror.

“Rusia është kërcënimi më i drejtpërdrejtë për rendin ndërkombëtar për shkak të luftës së saj barbare në Ukrainë”, tha ajo

Duke folur pas bisedimeve të së enjtes në Tokio me kryeministrin japonez Fumio Kishida, ajo përmendi gjithashtu "paktin shqetësues të Moskës me Kinën".

Kryeministri i Japonisë u shpreh gjatë takimit se ajo që po ndodh në Ukrainë nuk është vetëm një çështje që prek vetëm Europen por edhe Azinë.

"Invazioni rus i Ukrainës nuk është vetëm një çështje e Evropës, por ai trondit thelbin e rendit ndërkombëtar duke përfshirë Azinë. Kjo nuk duhet të tolerohet”, tha ai.

 

Ora 07:37
Kievi hedh në erë dy ura në Lugansk për të ndaluar rusët

1652333563_Screenshot1.jpg

Ushtria ukrainase hodhi në erë dy ura mbi lumin Siversky Donets me eksploziv për të ndaluar avancimin e forcave ruse në Lugansk. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes, e cila ka publikuar disa imazhe satelitore që tregojnë shkatërrimin e urave pranë fshatit Bilohorivka.

 

B.K./S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ukraina e Lire: 12/05/2022 08:25

    E gjithe bota shkruajne e thone. C'eshte kjo qe po degjojme. Lufte behet ne Ukraine. E vuri perpara Rusine. .O Zbelensky o trim djale. Nje bote te tere ke lene pa fjale.

    Përgjigju
    • Shaqo: 12/05/2022 22:18

      Mire qytetet e industria rindertohen me te bukura e te forta, po c'e do qe ara qe humbin jeten nuk do shohin gje, ndal vdekjet o president Zhelensk, mos u gezo me ndihmat ushtarake dhe "lavderimet" qe po merr, por gjej rruge per te mbyllur luften. As civilet e as ushtaraket nuk e kane jeten teper, gjej zgjidhje diplomatike, jo forcen.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Protesta për Martinin, prek motra e Egli Progës: Florina vetëm qan dhe nuk kërkon asgjë, ku do gjeni ju prindër më të paqtë! Mos lejoni më vrasjen e të dashurve tuaj

Protesta për Martinin, prek motra e Egli Progës: Florina vetëm qan dhe nuk kërkon asgjë, ku do gjeni ju prindër më të paqtë! Mos lejoni më vrasjen e të dashurve tuaj