Aktori i njohur, Luftar Paja, i pranishëm në ceremoninë mortore të Artistit të Popullit, Albert Verria, e vlerësoi atë si një prej shtyllave të teatrit dhe të kinematografisë shqiptare. Ai e cilëson Albert Verrinë, një nga shtyllat e forta të teatrit shqiptar, të cilët hodhën bazat qoftë në teatër, qoftë në kinematografi.
"Figura të tilla si ajo e Bertit, janë rritur dhe "vezelitur" me mundime dhe të vënë përballë një pikëpyetjeje të madhe: vallë a do të vijnë ndonjëherë të tilla figura kaq të skalitura, siç është Berti apo ndonjë tjetër?", shprehet Paja. Sipas tij, Berti i ka dhënë figura që mbahen e do të mbahen mend, jo vetëm teatrit të Vlorës, por mbi të gjitha ka një kontribut të jashtëzakonshëm në kinematografinë shqiptare, me rolet e tij të spikatura në mbi 20 filma, njeri më i bukur se tjetri.
Paja shprehet se, Verria ishte gjithashtu, një aktor, një artist, që ka kontribuar edhe në krijimin e brezave të rinj të aktorëve, të atyre që e kanë çuar apo që do ta çojnë përpara teatrin e kinematografinë shqiptare. "Ai është një nga emblemat e teatrit të Vlorës, një figurë dinjitoze që do të mbetet në memorien e artdashësve, të qytetarëve, jo vetëm në Vlorë por në mbarë vendin", citon aktori i njohur Luftar Paja.
Ndërkohë, sot në qytetin e Vlorës u bënë homazhe në nderim të artistit të madh, Albert Verria, i cili u nda nga jeta mbrëmjen e të dielës në moshën 79 vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Arkivoli me trupin e tij u vendos në hollin e Teatrit "Petro Marko", ku ai interpretoi për dekada të tëra, si një nga aktorët më në zë. Qindra qytetarë, miq, të afërm, kolegë e bashkëpunëtorë, nderuan kujtimin e Albert Verrisë. Po ashtu, ishin të pranishëm edhe kryetari i Bashkisë, Dritan Leli, prefektja, Etjona Hoxha, deputetë, artistë etj.












