Luftar Paja, Ramës: S'të këndoj
si Kozmai, po të kam një amanet

Luftar Paja, Ramës: S'të këndoj<br />si Kozmai, po të kam një amanet
ORIKUM - Kryetari i PS-së, Edi Rama, është takuar sot me banorët e Orikumit të Vlorës, me të cilët ka zhvilluar një bashkëbisedim në bregdet. Ai u tha atyre se i njeh mirë ata dhe problemet e tyre, pas përballjes me bandën që donte t'u grabiste pronat dhe ofrimin e asistencës juridike të pavarur nga PS-ja në atë kohë. Banorët e pyetën Ramën se çfarë zgjidhjeje do të afronte PS-ja, kryesisht për problemin më madhor, atë të pronësisë e më pas, edhe për furnizimin me ujë dhe energji elektrike, por edhe për një postbllok bezdisësh të ngulur nga ministria e Mbrojtjes.

Qytetarët e Orikumit i shoqëruan pyetjet e tyre edhe me bejtje e vargje popullore, që krijuan situata humori. Ndër to, një grua tha se ne e e kemi treguar se atyre që na bien në qafë, i presim edhe me gurë siç ua bëmë atyre që deshën të na zinin pronat. Kësaj gruaje kreu i PS-së, bashkë me përgijigjen e pyetjes,  i tha: "E kuptova mesazhin që do më zësh më gurë po nuk erdha këtu sërish të mbaj premtimet. Se Fatosin s’e kapte guri, se ishte i shkurtër; Saliun s’e kap se është i shtrembër, i ikën anash, ndërsa mua që jam i gjatë, më kap kollaj. Ndaj po sqaroj se ne do fillojmë punën me legalizimet dhe pastaj dihet që do dalin probleme të tjera për zgjidhje, se ne nuk jemi të dytët pas Gjermanisë."

Në fund të takimit, e mori fjalën edhe aktori i mirënjohur, Luftar Paja, i cili ndodhej në Orikum e që iu drejtua me fjalët: "Do të thoni ju: po mirë ne këtu, që jemi banorë të zonës, po ky ç’ka? Këtë privilegj kemi ne artistët, që jemi të çdo qelize të popullit dhe ngado që të vemi, vendlindja jonë është çdo skaj i Shqipërisë. Dhe si i tillë unë e gëzoj këtë të drejtë. Unë nuk jam nga ata artistë kaste, që i thur temena, qeverisë, me vargjet e Rrapush Xhaferrit: “Ushton fusha, gjëmon mali dhe në Vlorë, vjen Gjenerali" apo si në Lumas të Beratit, ku i këndoi kolegu im Kozma Dushi. Unë them që populli kërkon gjëra shumë modeste, kërkon jetesën që ndoshta në vende të tjera të europës nuk përfillet, ndërsa ne e kemi të domosdoshme dhe popullit i është ngrënë haku mbi 20 e ca vjet, që e tall Saliu si i do qejfi. Unë tani i drejtohem Edi Ramës dhe i drejtohem me amanetin që më ka lënë nëna: Nëse nuk punon për këtë popull o Edi Rama, guri gur mos ta paftë! Kaq kam!" Takimi u mbyll mes të qeshurave kur Rama tha: "Shyqyr që mbaroi me kaq; çfarë përgjigjeje t’i jap unë, që të vazhdojë prapë?!

RAMA: E NJOH ORIKUMIN, NGA PERBALLJA ME GRABITESIT E PRONAVE

" E njoh Orikumin nga përballja që banorët e kësaj zone patën me një bandë grabitqarësh, që erdhi këtu për t’iu rrëmbyer tokat e për ta shëmtuar këtë zonë të mrekullueshme ku prej 20 e kusur vitesh nuk ka asnjë lloj ideje e plani", - tha kreu i PS-së. - "Ne ju dhamë asistencë juridike të pavarur dhe prej saj doli që ju ishit pre e një sulmi grabitqar. Unë zotohem solemnisht këtu se siç kemi ardhur më parë dhe siç po vijmë këtu sot, do vij sërish si deputet i Vlorës dhe si Kryeministër për t’i marrë një nga një problemet dhe për t’i zgjidhur ato. Berisha do mbajë përgjegjësi para historisë për braktisjen që i ka bërë Vlorës. Dhe kulmi është se kur hyn në këtë territor, s’ka ujë; dhe s’ka as çertifikata toke. Jemi akoma në kohën e Fan Nolit: “Pranë detit të palarë”. Nuk dihet si do vazhdojë historia nëse në 23 qershor nuk marrim përsipër të shkruajmë një histori të re", - tha ai.

NUK DO T'I NDRYSHOJME EMRIN PARTISE, POR DO TA MERTIOJME ATE EMER

Pyetjes së nj orikumasi nëse PS-ja do ta ndryshonte emrin në "Partia e Rilindjes Kombëtare", kreu i saj, iu përgjigj: "Ne nuk kemi pse e ndërrojmë emrin e PS-së, por ta meritojmë atë. Pse quhemi ne kështu? Sepse kjo do të thotë që jemi për disa vlera e ideale që na ndajnë qartësisht nga kundërshtari: ne jemi PS-ja, se nuk jemi për pasurimin marramendës të një grushti njerëzish  dhe jemi që gjithë populli të përfitojë nga pasuritë e atdheut. Ne quhemi PS-ja, se  nuk jemi për shkatërrimin e biznesit të vogël dhe mbajtjen në këmbë të monopoleve".

PRONAT DO T'I KTHEJME MBI BAZEN E ARKIVIT ORIGJINAL, QE DO TA MARRIM TEK NJE VEND MIK

Për çështjen e shumëdiskutuar të pronave, Rama sqaroi: "Ne do t'i rikthejmë pronat atyre që u takon. Do bazohemi tek arkivi original, tek kopja origjinale e pronësisë që do ta marrim tek një vend mik dhe do të rishqyrtojmë tërë lesh e linë që ka bërë Saliu, që i ka marrë të dyllosura dhe i falsifikoi; që familje me origjinë malore na dalin pronare në bregdet dhe familjet në bregdet, dalin me gisht në gojë. Ne do t’i kthejmë popullit shqiptar ato prona, sidomos në bregdet, që i kanë marrë pa qënë kurrkush pronar; do rimarrim ato prona që janë paguar njëherë. Këto, mbi bazën e ligjit dhe jo arbitraritetit. Ne do kompensojmë aty ku është e mundur dhe do themi që kjo do bëhet nesër, kjo do bëhet pasnesër etj. Ne do japim çertifikatën e tokës atyre që kanë 18 vjet që e punojnë dhe trajtohen si bujkrobër. Tokë bujqësore të papunuar më në Shqipëri ne nuk do lemë.", - tha Rama.

DO TA HEQIM POSTBLLOKUN E IMAMIT, QE NGA USHTAR I BAZES, U BE USHTAR I SALIUT

Një postbllok i ngritur në Orikum nga ministria e Mbrojtjes duket se ishte bërë bezdi për qytetarët. Për të, kreu i opozitës tha: "Postbllokun do ta mbajë Arben Imami, se nëndetëset i çoi për skrap dhe i duhet postblloku që të thotë se kemi bazë. Por atë do ta heqim. Arben Imami u bë i njohur si ushtar i bazës dhe tani, u bë ushtar i Saliut".
 
SHTETI NUK NDAN DHE GARANTON PER TE GJITHE. MERRNI SHEMBULL KOSOVEN, 5 VJET SHTET

Kreu i Ps-së vazhdoi me politikën e tij gjithpërfshirëse, pa ndasitë socialistë e demokratë. "Këtu ka vazhduar gjatë ajo ndarja e vjetër “ata” – “ne” dhe “ne” e “ata”, - tha ai, - "kur të gjithë këtu kanë të njëjtin problem. Të gjithë vuajnë njësoj: dhe pronat e tyre edhe tuajat, i grabit tjetërkush. Por ju i keni zemrat rehat, se nuk i keni dhënë votën, kurse ata i kanë dhënë votën kundrejt premtimeve që mbajtën. Sa për ujin që ju mungon, ne jemi të dytët pas Norvegjisë. Dhe kur shkon në Arabi ku s’ka pikë uji dhe sheh bimë jeshile mbi rërë e ne këtu ecim mbi ujë, nuk kemi se s’kemi shtet. Prandaj grabitqarët e pronave bëjnë ligjin mbi tokat e tjetrit, se ne s’kemi shtet.
5 vjet shtet ka Kosova dhe provo t’i japësh një bakshish, policit. Ta merr apo të çon në komisariat? Shiko spitalet atje e shiko këtu. Shiko bujqësinë atje, shiko këtë këtu. Për rregullimin e vijës bregdetare do angazhojmë urbanistët më të mirë të botës. Vija bregdetare është vijë strategjikë.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Grupi i deputetëve italianë përfundon vizitën në Shqipëri: Krah jush drejt BE-së! Përfshihuni në debatet brenda unionit

Grupi i deputetëve italianë përfundon vizitën në Shqipëri: Krah jush drejt BE-së! Përfshihuni në debatet brenda unionit