Papa Françesku së fundmi ka njoftuar se së shpejti do të nxjerrë një dokument të ri për mbrojtjen e natyrës, pasi sipas tij po ndodh një ‘luftë e tmerrshme’ botërore kundër mjedisit. Ai tha se dokumenti do të lëshohej më 4 tetor.
Është një vazhdim i enciklikës së tij me ndikim të vitit 2015, forma më e lartë e shkrimit papal, e cila flet për nevojën për të mbrojtur mjedisin, për të përballuar rreziqet dhe sfidat e ndryshimeve klimatike dhe për të reduktuar përdorimin e lëndëve djegëse fosile, raporton Reuters.
Papa e përshkruan natyrën si një "dhuratë të shenjtë nga krijuesi". I dërguari i SHBA për klimën dhe ish-sekretari i shtetit John Kerry i tha Reuters në një intervistë në qershor pas takimit me Papën se enciklika e vitit 2015 kishte një "ndikim të thellë" në konferencën e klimës atë vit, e cila vendosi synime për të kufizuar ngrohjen globale.
Ai tha se dokumenti i ri do të ishte një nxitje apostolike, një formë tjetër e shkrimit papal. Pasi u publikua Laudato Si, disa katolikë konservatorë të lidhur me lëvizjet politike konservatore dhe interesat e korporatave, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, kritikuan ashpër Papën për mbështetjen e mendimit të shumicës së shkencëtarëve që thonë se ngrohja globale është të paktën pjesërisht për shkak të aktivitetit njerëzor.