Lugatët e Drejtësisë

Lugatët e Drejtësisë
Gjyqi ndaj Dritan Dajtit zgjati me vite të tëra dhe mjaftoi që një gjyqtar të prekej personalisht, që ky gjyq të dilte nga ngërçi. Kjo është një nga çështjet, ku gjyqtarët gjenin gjithmonë probleme me ligjin apo detaje të tjera, por në përditshmërinë e sistemit shqiptar të Drejtësisë janë shumë raste, çështje apo detaje tmerrësisht flagrante, që s’ka ligj apo justifikim që t’i justifikojë gjyqtarët. Emisioni ‘Fiks Fare’ kapi në flagrancë skemën tmerrësisht ordinere se si në gjykatën e Pukës, administratë e gjykatës ishte bërë zyrtarisht kasierë të korrupsionit flagrant të Drejtësisë. Pukjanët, për të cilët u paraqit edhe pretenca me dhjetra vite burgim, nuk janë më të tmerrshmit. Ata janë thjeshtë më të paaftët, ashtu si gjyqtari-poet i Pogradecit.

Sistemi shqiptar i Drejtësisë, që nga Gjykatat e çdo shkalle deri në KLD, është i korruptuar, plotësisht i kapur. Ky nuk është thjesht një mendim personal, apo përshtypje e një grupi personash, por një fakt që është theksuar në çdo raport ndërkombëtar për Drejtësinë. Gjyqtarët dhe prokurorët që nuk janë të korruptuar, ose të tillë s’ka fare, ose janë aq të paktë, sa nuk kanë as dëshirën dhe as forcën të ndryshojnë ndonjë pjesë të sistemit, sepse ligjin e bëjnë Lugatët.

Të kamur, arrogantë, të paprekshëm, ata kanë krijuar rrethin e tyre të ndereve që i mban në këmbë. Asnjë institucion deri më tani nuk e ka çarë dot këtë sistem nderesh të të korruptuarve më të rrezikshëm në Shqipëri. Nëse sot ka rrugëve trafikantë të mëdhenj droge, biznesmenë me para të pista apo bankierë që pastrojnë para, një pjesë të madhe të përgjegjësisë duhet ta kërkojmë te lugatët. Me pamjen e tyre të rafinuar, ata kanë një sjellje tipike vampireske, që shtrydh deri në pikën më të fundit çdo mundësi përfitimi financiar.

Gjuha e butë, respektimi i balancës së pushteteve, ligji apo Kushtetuta, në fakt, për ta janë thjesht mburoja, pas së cilës fshihen për të shkelur më këmbë e duar ligjin dhe Kushtetutën. Për këtë arsye, cdo mazhorancë e qeveri ka të drejtën morale që të gjejë mënyrën dhe skemën se si duhet ta zhbëjë këtë sistem të korruptuarisht. Mazhoranca kaq e gjërë në zgjedhjet e 23 qershorit nuk është votuar nga shqiptarët që të lihet në vend kjo status quo. Askush nuk votoi thjesht për të ndërruar ajër, por për të mos patur më gjyqtarë e prokurorë kaq të korruptuar, administratë të paaftë dhe hajdute. Që do të thotë se kryeministri u mandatua nga 1 milion votues që mos dalë në konferenca për shtyp dhe thjesht t’i shajë Gatet apo lugatët e Drejtësisë, por të na i heqë nga kurrizi.

Provat janë, dhe një prej tyre ishte Lazarati. Pothuajse të gjithë nuk e kuptonin dhe nuk e miratonin ngurrimin e qeverisë në çështjen e Lazaratit dhe, pas aksionit, pjesa dërmuese e njerëzve e vlerësoi dhe kuotat e atyre që vendosën të tregonin këtë hap force të shtetit u rritën shumë. Akoma më shumë do të rriten nëse do të zhbëhet pjesa e kalbësirës më të rrezikshme në gjithë shoqërinë shqiptare, që janë të korruptuarit e Drejtësisë. Nëse ata qëndrojnë si Gatja me 12.7 mm në magazinat e hashashit, asgjë s’ka për të ndryshuar. Nëse Gatja apo gjithë të arrestuarit, kriminelët, të korruptuarit, që mund të kapë policia e shtetit, do të çohen për t’u gjykuar nga kjo kastë Lugatësh, është e sigurt vetëm një gjë: pasuria e tyre do të shtohet shumë. Ndonjë varfanjak do të dënohet në mënyrë shembullore dhe kush ka para do t’ja hedhë lumit me fare pak vite burg.

Rama dhe mazhoranca e dinë shumë mirë se një nga arsyet se përse shumë shqiptarë votuan për të rrëzuar Berishën ishte mënyra sesi Drejtësia dhe shteti u soll me disa çështje të mëdha, si Gërdeci. As vetë tragjedia nuk shkaktoi atë ndjesi negative se sa mënyra se si shumë persona të implikuar i shpëtuan dënimit me procedurë, apo të dënuar për vetëm dëmtim prone. Vdiqën 26 persona dhe për ta nuk pati asnjë të dënuar fajtor.
E gjithë lufta ndaj krimit, drogës dhe trafiqeve, nëse nuk shoqërohet me një reformë, jo vetëm ligjore, por edhe të vetë emrave në sistemin e Drejtësisë, do të rezultojnë një dështim, thjesht në një problem provizor, që mund t’u shkaktojnë të arrestuarve një kosto financiare…


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Ironia e Spahiut: A do vazhdojë protesta nesër, apo deputetët do ikin me pushime?

Ironia e Spahiut: A do vazhdojë protesta nesër, apo deputetët do ikin me pushime?