Ai ka thënë se do të punojë për Luginën e Preshevës të jetë më afër Prishtinës e Tiranës.
Musliu thekson se Këshilli Kombëtar Shqiptar është mekanizëm adekuat për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, por, sipas tij, deri më tani ky institucion nuk ka bërë shumë për të zgjidhur problemet, të cilat i shqetësojnë shqiptarët e tre komunave në Luginën e Preshevës.
Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e të Medvegjes kanë zgjedhur të dielën Këshillin Nacional, në krye të të cilit do të jetë Jonuz Musliu.
Siç raportohet nga mdia lokale në Preshevë, në bazë të marrëveshjes, ai ka dalë fitues në dy koalicione zgjedhore, që përfshinin pesë parti politike, nga gjashtë. Atij ia dhanë votën 61 për qind e votuesve.
Jonuz Musliu aktualisht është kryetar i Kuvendit Komunal në Bujanoc dhe kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik. Musliu sipas rezultateve momentale, nga 15 anëtarë do të ketë 9, kurse PVD-UDSH do të ketë 6 antarë në KNSH. Zgjedhjet për Këshillin Nacional Shqiptar në Luginën e Preshevës u mbajtën në gjithsej 49 njësi zgjedhore. Në listat e veçanjta në komunën e Preshevës dhe Bujanocit ishin të regjistruar 36.024 votues.
Në gusht të vitit 2009, Parlamenti i Serbisë e ka miratuar Ligjin për Këshillat Kombëtare të pakicave dhe rregullimin në detaje të pozicionit dhe përgjegjësive të tyre.
Këshilli Kombëtar përfaqëson pakicën kombëtare në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit.
Më 3 korrik të vitit 2010 është bërë konstituimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar në mënyrë që të realizojnë të drejtat në kulturë, arsim, informim dhe përdorim zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip.
Sipas të dhanave në faqen zyrtare për tre komunat e jugut të Serbisë, rajon i banuar me shumicë shqiptare, komuna e Preshevës shtrihet në një territor prej 264 km2, duke përfshirë edhe 35 vendbanime.
Në Preshevë ekziston një institucion parashkollor me disa paralele në fshatrat përreth, tetë shkolla fillore dhe dy shkolla të mesme. Mësimi në gjuhën shqipe zhvillohet në 6 shkolla fillore, në njërën shkollë në gjuhën serbe, ndërsa në shkollën fillore "9 Maji" në fshatin Leran ku janë nxënësit e të dyja komuniteteve, mësimi e zhvillohet në të dy gjuhët. Komuna e Preshevës ka dy shkolla të mesme - gjimnazin dhe shkollën e mesme teknike.
Komuna e Bujanocit përfshinë një territor prej 461 km2, është multietnike, ku jetojnë qytetarët e komunitetit shqiptar, serb dhe rom.
Në territorin e komunës gjenden dhjetë shkolla fillore, dy të mesme , një shkollë e muzikës, si dhe ka një institucion parashkollor me disa çerdhe.
Në tetor të vitit 2011 është hapur paraleleja e Fakulltetit Ekonomik e Universitetit të Novi Sadit. E veçant e kësaj paraleleje është se mësimi zhvillohet në gjuhën serbe dhe pjesërisht në gjuhën shqipe.
Komuna e Medvegjes shtrihet në territor prej 524 km2, ka një institucion parashkollor, gjashtë shkolla fillore, një të mesme, paralelen e Fakultetit Juridik dhe Ekonomik të Universitetit të Nishit. Numri i përgjithshëm i nxënësve në shkollat fillore është 569, në të mesmen 410 nxënës ndjekin mësimin, ndërsa në paralelet e dy fakulteteve studiojnë 75 studentë të komunitetit shqiptar dhe serb.
ATSH