Soreca: Nevoja e zgjerimit të BE më e madhe se kurrë, Ballkani është pjesë e unionit! Hasani: Të hënën në samitin e procesit të Berlinit rezultate konkrete

Tre ditë para se të zbresin liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor për Samitin e Procesit të Berlinit, në Tiranë u organizua këtë të premte konferenca mbi rolin e Kuvendit në avancimin dhe implementimin e marrëveshjeve rajonale të kësaj iniciative.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla veçoi në fjalën e saj rolin e ligjvënësve në proceset integruese të vendit.

Parlamentet nuk janë vetëm udhëheqës, por edhe protagonistë të procesit të integrimit. Ne në Kuvendin e Shqipërisë e kemi kuptuar se angazhimi dhe përkushtimi për të avancuar e thelluar reformat, për të mbështetur luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të luftuar dhe nxjerrë nga trupi i shëndoshë i shoqërisë dhe institucioneve kulturën e pandëshkueshmërisë, sipas parimit “Askush nuk është mbi ligjin, askush nuk është poshtë ligjit.”, janë premisa për tëmerituar udhëheqjen e procesit të transformimit evropian të vendeve tona", tha Nikolla. 

I pranishëm në aktivitet ambasadori i Bashkimit Evropian e konsideroi të veçantë samitin që do të zhvillohet në Tiranë.  Luigi Soreca thotë se Ballkani Perëndimor është në Bashkimin Europian. Soreca tha se për shkak të luftës në Ukrainë, situata gjeopolitke ka ndryshuar dhe nevoja e zgjerimit të BE nuk ka qenë kurrë më e madhe se tani.

“Në zinxhirin e takimeve që kemi organizuar për Procesin e Berlinit, ky takim ka një rëndësi të veçantë për ne. Është shumë e rëndësishme që ministrat dhe drejtuesit e shteteve të takohet, por edhe anëtarët e parlamenteve të rajonit të takohen dhe të tregojnë unitetin e tyre dhe të dalin me deklarata të përbashkëta me të njëjtin zë. Ballkani është pjesë e BE, se ndryshimet gjeopolitke me mënyrën se si Rusia e sheh Ukrainë i ka fokusuar të gjitha mendjet në Bruksel. E ka rritur mendjen, kurrë s’ka qenë më e madhe se tani për zgjerimin e BE. Është një çështje e lartë strategjike për sigurinë në BE. Shpresojmë që të përgatitemi për samitin e Ballkanit perëndimor që në mes të dhjetorit do zhvillohet në Bruksel. Siç e thashë, në këtë kontekst procesi i Berlinit luan një rol të rëndësishëm se është një platformë që rajoni të punojmë më shumë për reformat, projektet e integrimit, presim që samiti të hënën të arrijë rezultat sa më praktik në disa fusha, transporti, axhenda dixhitale, transporti, energjia dhe tregu i përbashkët. Shqipëria meriton merita si një nga vendet e para që ka marrë përsipër drejtimin”, tha Soreca.

Në cilësinë e Sekretarit së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu paralajmëroi firmosjen e marrëveshjeve të rëndësishme të hënën.

 “Aktorët parlamentarë duhet të bëhen bashkë për edhe 3 profesione marrëveshjes që është miratuar në Berlin vitin e kaluar.  Ballkani po jep një shembull të mirë. Jemi një rajon që kemi konflikte por përpiqemi të bëjmë maksimumin”, tha Bregu.

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani theksoi rëndësinë e parlamenteve që marrëveshjet të zbatohen 100% në terren.

“Që këto procese kaq të rëndësishme të kurorëzohen me sukses, e të mos mbeten thjesht shprehje vullneti politik në letër, ato sigurisht kanë nevojë për përfshirjen e parlamentit”, u shpreh Hasani.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:20
Nikolla: Integrimi evropian i Shqipërisë është një objektiv kombëtar

1697188940_nikolla.jpg

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e ka cilësuar një ngjarje prestigjioze për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit, samitin e Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Tiranë të hënën, për herë të parë jashtë kufijve të BE. Në fjalën e saj në konferencën parlamentare mbi “Rolin e Parlamentit në Procesin e Berlinit”, Nikolla tha se integrimi evropian i Shqipërisë është një objektiv kombëtar, mbipartiak.

"Mirë se keni ardhur në këtë konferencë, kushtuar kontributit të parlamenteve në Procesin e Berlinit. Këtë Konferencë e zhvillojmë vetëm pak ditë para Samitit të Tiranës, i cili është Samiti i Parë i Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE. Si i tillë, Samiti i 16 tetorit është një ngjarje prestigjioze dhe domethënëse për Shqipërinë, por edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit vitin  që vjen mbush një dekadë. Dhe mund të themi, një dekadë të suksesshme. Qoftë edhe për faktin se në një rajon tradicionalisht të trazuar nga demonët shekullorë të nacionalizmit, të së kaluarës dhe historisë, qeveritë, parlamentet, udhëheqësit dhe institucionet diskutojnë e vendosin jo për të kaluarën, por për të ardhmen.

Gjatë kësaj dekade dhe këtij procesi, në Ballkanin Perëndimor kemi filluar që të ardhmen të mos e projektojmë nëpërmjet errësirës e paragjykimeve të së kaluarës, por këtë të fundit ta ndriçojnë me dritën e të ardhmes së përbashkët në familjen evropiane. Në emër të kësaj të ardhme evropiane, duhet të ngrihemi dhe po ngrihemi mbi mëritë e trashëguara.  Ky metabolizim i ri në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian duhet, dhe ne fakt ka filluar të krijojë, një proces te ri metabolizimi  edhe në marrëdhëniet mes vendeve tona. Le të avancojmë në këtë proces.

Ne, parlamentarët shqiptarë, e kemi të qartë se integrimi evropian i Shqipërisë është një objektiv kombëtar, mbipartiak. Është një qëllim dhe një proces për të cilën ka konsensus të plotë mes forcave politike në Kuvendin e Shqipërisë. Konsensusi parlamentar është një parakusht që parlamentet të garantojnë legjitimitetin demokratik, dimensionin gjithëpërfshirës të procesit të integrimit si edhe sinergjinë e bashkëpunimit mes parlamenteve, qeverive, institucioneve, shoqërisë civile, sektorit privat dhe qytetarëve. Unë vlerësoj rolin dhe kontributin e Komisionit parlamentar për Çështjet Evropiane dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, si dy struktura të Kuvendit ku zhvillohet debati politik dhe jetërsohet bashkëpunimi parlamentar dhe do të vijoj të mbështes debatin, bashkëpunimin dhe kontributin e tyre për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

Në funksion të këtij procesi, përmirësuar ligjin “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, me qëllim fuqizimin e rolit të Kuvendit në këtë proces. Këto përmirësime po rrisin edhe rolin e Komisionit parlamentar për Çështjet Evropiane dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian. Ky proces u pasua edhe nga ri-inxhinierimi i strukturës së shërbimeve parlamentare, duke krijuar Shërbimin e Integrimit Evropian si një shërbim i ri në Kuvend.   Konsensusi politik e parlamentar mbi integrimin mbështetet nga konsensusi i gjerë qytetar, publik e mediatik. Nuk ekzagjeroj kur pohoj se mbështetja popullore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është më e madhe se e çdo populli tjetër në rajon e më gjerë. Etja popullore e qytetarëve shqiptarë, por edhe të rajonit për tiu bashkuar familjes evropiane është më e madhe se pengesat që mund të ngrihen nga forca  që nuk e duan destinacionin perëndimor të vendeve tona. Prandaj, në emër të saj, ne në Shqipëri po përshpejtojmë reformat zhvillimore, demokratizuese dhe integruese.

Parlamentet nuk janë vetëm udhëheqës, por edhe protagonistë të procesit të integrimit. Ne në Kuvendin e Shqipërisë e kemi kuptuar se angazhimi dhe përkushtimi për të avancuar e thelluar reformat, për të mbështetur luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të luftuar dhe nxjerrë nga trupi i shëndoshë i shoqërisë dhe institucioneve kulturën e pandëshkueshmërisë, sipas parimit “Askush nuk është mbi ligjin, askush nuk është poshtë ligjit.”, janë premisa për tëmerituar udhëheqjen e procesit të transformimit evropian të vendeve tona. Aktualisht, siç po e konstatojmë të gjithë, qendra e gravitetit të proceseve dhe veprimtarive integruese të zhvendoset nga Brukseli në rajon. Ky është një nder, por edhe përgjegjësi për vendet tona. Është një ushtrim jo i lehtë, por Shqipëria dhe shumica e vendeve të rajonit po e përballojmë atë me sukses. Samiti Bashkim Evropian-Ballkan Perëndimor i Tiranës më 6 dhjetor 2022 dëshmoi qartësinë, vendosmërinë dhe partneritetin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Kryesimi nga Shqipëria i Procesit të Berlinit përgjatë vitit 2023 po  rikonfirmon kontributin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe evropianizimi në rajon, por edhe mbështetjen e shumicës sëvendeve të rajonit për aspiratën tonë të përbashkët drejt familjes evropiane. Sinqeriteti, përkushtimi dhe arritjet tona kam përshtypjen se janë më të dukshme se vullneti i Bashkimit Evropian për ta konsideruar Ballkanin Perëndimor një pjesë të tij të natyrshme. Nga ana tjetër,  qëndrimi i disa vendeve anëtare të BE-së duhet të jetë po aq i qartë dhe po aq i vendosur sa edhe i institucioneve evropiane që ndjekin e monitorojnë proceset demokratizuese dhe integruese në vendet tona. Bashkëpunimi dhe integrimi rajonal është parakusht i kurorëzimit me sukses të rrugëtimit tonë evropian.  Sidomos tashmë kur shpejtësia e procesit integrues po rritet në mënyrë eksponenciale dhe sa më shumë që i afrohemi familjes evropiane, aq më shpejt ecim dhe duhet të ecim drejt saj.

Ne, shqiptarët, po përpiqemi sinqerisht dhe seriozisht për të bërë detyrat tona në shërbim të së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor. E kemi bërë të qartë se kemi vetëm një Plan A për të ardhmen tonë dhe ky është Bashkimi Evropian. Një Evropë e integruar kërkon një rajon të integruar dhe një rajon i integruar kërkon shoqëri të integruara. Shqipëria ka zbrapsur dhe do të vijojë të zbrapsë me sukses çdo përpjekje apo influencë joperëndimore dhe jodemokratike, ngado që të vijë ajo, nga brenda apo jashtë rajonit, për të dëmtuar, ngadalësuar, apo devijuar rrugëtimin tonë drejt familjes evopiane. Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të udhëheqë me vendosmëri procesin e integrimit. Këtë besojmë dhe shpresojmë edhe nga parlamentet e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.  Drejt destinacionit tonë evropian ne mund të ecim me shpejtësi të ndryshme, por me të njëjtin vizion, qartësi e vendosmëri", tha Nikolla. 

Ora 11:18
Të hënën samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë, Tabaku: Ky proces është një investim për të ardhmen për ne dhe për qytetarët e vendeve tona

 

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka mbajtur fjalën e saj në konferencën parlamentare mbi “Rolin e Parlamentit në Procesin e Berlinit”. Tabaku tha se roli i Parlamentit në procesin e anëtatrësimit në BE është thelbësor.

Fjala e plotë:

Sot, bota edhe veçanërisht rajoni ndodhen në një dinamikë të re, në një prizëm të ri, që rrezikon jo pak paqen e ndërtuar me aq mund që pas luftës së fundit në rajonin tonë. Një paqe të ardhur falë një procesi që i ka dhuruar jo pak Europës pasi ndodhen në një betejë mes të djeshmes dhe të nesërmes, ndodhen mes një procesi të gjatë e të lodhshëm por që pak nga pak po fillon të japë reziltate të para për qytetarët!

Qoftë nga njohja e diplomave, në marrëveshjen e tarifave Roaming, të lëvizjes së lirë me ID për te cilat na foli znj Bregu si punë të mira të RÇ, por qoftë dhe me agjendën e lajmëruar më parë në samitit të javës së ardhshme. Fatmirësisht, kësaj radhe samiti do të ketë fokus edhe thembrën e Akilit të rajonit tonë; ekonominë! Me filozofinë e drejtë të integrimit përpara anëtarësimit, me fokus Tregun e Përbashkët Rajonal dhe me ekonominë si promotor e shtysë e ndërveprimot rajonale.

Rruga e Europës në Ballkanin Perëndimor me të drejtë duhet të kalojë, e në fakt sipas meje, duhet të kishte kaluar më herët tek përbashkimi ekonomik. Një mundësi dhe ofertë që do të sigurojë jo vetëm një TPR por edhe një ndërlidhje në shërbim të qytetarëve dhe padyshim në shërbim të Europës që mund të zgjerojë investimet e huaja direkte në rajonin tonë.

Ne jemi sot këtu për të diskutuar çfarë mund të bëjmë më shumë e më mirë por sigurisht dhe më ndryshe me Parlamentet tona dhe unë falenderoj znj Nikollën që mbështeti këtë iniciativë ku parlamenti shqiptar të ishte nikoqir do thonin disa nga miqtë tanë për të gjitha vendet e rajonit.

Shikoni, Parlamenti jonë si çdo parlament i rajonit, e ka më përzemërt debatin partizan me njëri tjetrin. Prandaj nuk do ju tregoja asgjë të re nga çndodh tek ne pasi e di që ndodh dhe tek ju. Por, fatmirësisht për çështje jetike si integrimi Europian ne kemi tendencën të ulim tonet tona të larta dhe jemi bashkuar për të rritur rolin e kuvendit dhe për këtë arsye amenduam me 140 vota Ligjin e Rolit të Kuvendit në procesin e integrimit për të rritur pjesëmarrjen e Parlamentit në këtë proces, që shpresoj të jetë shembull dhe për vrnde të tjera ta rajonit!

Roli i parlamenteve në procesin e anëtarësimit në BE është thelbësorë në dy këndvështrime, përkatësisht nëpërmjet ushtrimit të vazhdueshëm të funksioneve të tij mbikëqyrëse mbi performancën e qeverisë, si dhe përmes mundësisë për të siguruar një përfshirje të gjerë të opozitës dhe palëve të tjera të interesit në këtë proces kombëtar kyç, duke pasur parasysh funksionin e tij përfaqësues, e pikërisht në rolin legjislativ që ka kuvendi rolin thelbesor me përafrimin e standardeve të BE, me miratimin e ligjeve ne jo vetëm miratojmë acqui po vendosim standarte të reja!

Dhe që ky proces të dalë nga duart burokratike të qeverive dhe letrave të saj mal, kam kërkuar me kohë që ta kthejmë atë në një proces kombëtar. Pasi jam e bindur që ky proces është një hop real dhe cilësor i çdo shoqërie në rajonin e BP. Jo vetëm për përfitimet ekonomike, por mbi të gjitha për përfitimet dhe fuqinë transformuese që ky proces ka për rajonin dhe shoqëritë tona.

Ky proces është një investim për të ardhmen për ne dhe për qytetarët e vendeve tona. Prandaj komisioni Çështjeve Europiane në Shqipëri ka filluar pak muaj më parë seancat e dëgjesat për të informuar deputetët e kontrolluar/monitoriar qeverinë me të parën ku ishte znj Bregu dhe zv. KM për projektet infrastrukturore e digjitale në kuadër të Procesit të Berlinit.

Më pas duke vijuar me seanca të veçanta për kualifikimet profesionale, njohjen e diplomave dhe akreditimeve, e deri tek cfarë ka ndodhur me aksesin me lëvizjen me karta ID e mbas sumit javës tjetër do vijojmë me tregun rajonal me ekonominë e financanën si mënyrën më të mirë për të shtyrë standartet europianë në bzineset shqiptare e pikërisht ky ëahtë roli që mund të ushtrojnë parlamentet tona.

Në fund të ditës sot secili nga depuetët duhet të pyesë veten a mundet diolomacia parlamentare, parlamenti si paltformë debati, parlamenti si arenë diskutimesh të thyejë tabù të bashkëpunimit përtej kufinjve! A është Eruopa më e madhe më e sigurtë më e fortë mbas konflikteve në rajon! A ka vend terrorizmi kur diplomacia mund të thyejë mure më të forta!

Mbase, i takon parlamenteve që të jenë zëri i arsyes edhe aty ku zëri i egos dhe konfliktit kërkon të prevalojë. Në një përpjekje për të ndërtuar një të ardhme për fëmijët tanë jo në një fuçi baruti, siç edhe Ballkani ka marrë namin e keq, por në një dhomë të shtëpisë së madhe Europiane.

 Për të ndërtuar Europën në Ballkanin Perëndimor do të na duhet të sakrifikojmë pak nga egoja jonë që nuk kërkon bashkëpunimin. Të heqim dorë nga kërkesat që mohojnë realitetin dhe të shohim drejt së ardhmes pa u varur nga fantazmat e të shkuarës.

 Prandaj nuk është e pamundur që Kosova dhe Serbia sot të rinis një dialog me qëllim zgjidhjen e problmeve dhe jo krijimin e alibisë për t’u larguar nga tavolina. Ky është një detyrim që ia kemi brezave aspardhës për një rajon në BE, siç duhet të jetë, edhe jo peng i të djeshmes siç fatkeqësisht është ende sot!

Ora 11:03
Të hënën samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë, Bregu: Nënshkruhen marrëveshje të reja me vendet e Ballkanit, bashkë jemi më të mëdhenj

1697187175_kuvendiiii.jpg

Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu thotë se të hënën në samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë do të nënshkruhen marrëveshje të reja mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

"Të dielën Von der Leyen do jetë në rajon. Do takohemi të hënën, disa marrëveshje do nënshkruhen të hënën. Një marrëveshje e re që është përgatitur dhe është gati për tu nënshkruar, do ti shtohen edhe tre profesione. Nga 1 tetori jemi duke drejtuar reduktimin e tarifave e roaming, qytetarët do paguajnë më pak, por për ne ka një kuptim simbolik, do të thotë që njëri nga këto ushtrime ku fuqia e bashkëpunimit, gjërat ecin para. Ballkani po jep një shembull, po jetojmë në kohëra të pasigurta. Jemi rajon që kemi miqësi, konflikte, por përpiqemi të bëjmë maksimumi për këtë proces. Ne duhet të bëhemi bashkë dhe të jemi më të mëdhenj", u shpreh Bregu.

Ora 10:47
Të hënën samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë, ministri Hasani: Për herë të parë zhvillohet jashtë BE, do ketë rezultate konkrete

1697185619_iglihasani.jpg

Ministri i Jashtëm Igli Hasani, ka folur për samitin e procesit të Berlinit që do të zhvillohet më 16 tetor në Tiranë. Duke folur në konferencën parlamentare mbi “Rolin e Parlamentit në Procesin e Berlinit”, Hasani thotë se nga ky samit do të dalin me rezultate konkrete dhe marrëveshje të reja për vendet e Ballkanit Perëndimor.

"Në aspektin politik të jemi të bashkuar dhe të shohim para, se është e vetmja mënyrë se si ky rajon mund të ecë dhe të integrohet. Duhet të lërë mbrapa narrative politike. Dy vite më parë u krijua një zonë e lirë romaning, që nga 1 tetori patëm uljen e tarifave. Për të sjellë edhe një shembull domethënës, korridoret e gjelbra që ishin jetike gjatë pandemisë për të mbajtur gjallë tregtinë, marrëveshjet që u mundësojnë njerëzve të udhëtojnë më lehtë. Javës tjetër do i bashkohen edhe rezultate e samitit të datës 16 tetor. Hera e parë që mbahen në rajon, do dalë me rezultate konkrete. Padyshim kanë nevojë për përfshirjen e parlamenteve. Kuvendi i Shqipërisë ka një ekspertizë shumë të mirë. Do japin rezultate konkrete dhe do përmirësojnë arritjet e procesit të Berlinit", tha Hasani. 

SI.E./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • daku: 13/10/2023 13:17

    po shqiperia nuk eshte shkeputur nga komunizmi akoma, qe perndjek intelektualet opozitare, shkel te drejten themelore te drejtes se njeriut, lirine e fjales

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?