Trajneri i Paris Saint Germain, Luis Enrique, foli në konferencën për shtyp në prag të gjysmëfinales së parë të Champions League kundër Bayern Munich, duke vlerësuar maksimalisht rivalin bavarez.

Tekniku spanjoll theksoi se Bayern është një nga skuadrat më të mira në Evropë, sidomos për stilin sulmues të lojës. Ai veçoi edhe punën e trajnerit Vincent Kompany, duke e cilësuar si një nga emrat më cilësorë në pankinë.

“Bayern është një ekip që më pëlqen ta shikoj. Janë shumë ofensivë dhe gjithmonë kërkojnë golin. Kompany ka treguar nivel të lartë edhe më parë dhe po e bën këtë edhe tani”, u shpreh Luis Enrique.

Megjithatë, trajneri i PSG-së nuk pranoi ta konsiderojë këtë duel si përballjen mes dy skuadrave më të mira të turneut, duke përmendur edhe Arsenalin si një ekip që ka bërë një sezon të shkëlqyer. Sa i përket krahasimit direkt, ai tregoi besim te skuadra e tij.

"Bayern ka qenë shumë konstant, por nëse shohim performancën si ekip, mendoj se PSG është një hap më përpara", tha spanjolli i PSG-së.

Gjysmëfinalja mes dy gjigantëve pritet të jetë një nga përballjet më të forta të sezonit në Champions League.


Lajmi kryesor:

Champions League/ Sot nisin 'ethet' e gjysmëfinaleve, në fushë PSG - Bayern Munich! Si mund të luajnë dy skuadrat