GJERMANI- Luiza Gega është kampionia e re e Europës në atletikë. Shqiptarja ka bërë një paraqitje brilante në finalen e 3000 metrave me pengesa, duke ndalur kohën në 9 minuta, 11 sekonda e 31 të qintat. Si rezultat i kësaj paraqitje Gega la pas gjermanen Meyer, e cila kishte edhe mbështetjen e publikut duke qenë se kampionati europian zhvillohet në Mynih.

Një arritje e jashtëzakonshme e Gegës, e cila për më tepër vendosi edhe rekord europian të përmirësuar me pothuajse 6 sekonda. Në fund nuk kishin si të mungonin as lotët e kampiones (pamje).

Për shpalljen e Gegës kampione Europe reaguan shumë figura politike, me kryeministrin Rama i cili shkroi se ‘ky ishte kulmi’, duke iu referuar arritjeve të njëpasnjëshme të sportistes. Rama evidentoi edhe faktin që ‘akush më herët nuk kishte ngjitur majën e Europës në atletikë me flamurin shqiptar’.

Ish-presidenti Meta, atkualisht kryetar i Partisë së Lirisë, tha se ‘ky është një nder i madh për ngjyrat kuqezi’, ndërsa Basha u shpreh se ‘me këtë arritje Gega u mbushi zemrat shqiptarëve’.

Për Luiza Gegën ky ishte veçse sukses i fundit, pasi gati 1 muaj më parë u rendit e pesta në botë, një tjetër rezultat i pamenduar ndonjëherë në atletikën shqiptare. Për më tepër në fillim të korrikut Gega fitoi medaljen e artë në Lojrat Mesdhetare të zhvilluara në Algjeri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:08
Luiza Gega kampione Europë, Rama: Ky është kulmi! Bravo! Meta: Emocion i jashtëzakonshëm! Basha: Krenarë

1661029843_luizaaa.jpg

Kryeministri Edi Rama ka uruar Luiza Gegën, sportisten e cila ua shpall kampione në Kampionatin në Gjermani në garën 3000 m me pengesa.

“Kyyy ëëësht kuuuulmiiiii.

Bravoooooo Luizaaaa, bravooooo Kampiooooone

E paepura Luiza Gega kampione e Europës në 3000 metra me pengesa. Askush më parë s'ia ka dalë të ngjisë majën e Europës me flamurin kuqezi në pistën e atletikës”, shkruan Rama.

Urime ka pasur edhe nga ish presidenti, kryetari i Parisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish kryedemokrati Lulzim Basha.

“Urimet më të mira kampiones tonë, Luiza Gega e cila nderoi flamurin kuqezi me fitoren e Medaljes së Artë në Kampionatin Europian të Atletikës. Një emocion i jashtëzakonshëm dhe padyshim krenari për suksesin e merituar të atletes Luiza Gega”, shkruan Meta.

“Urime kampiones së Europës Luiza Gegës, atletes më të shpejtë në Europë, kampiones që theu rekordin e garës 3000 m dhe që mbush me krenari zemrat tona”, shkruan Basha.