Aktorja Luiza Xhuvani, duke e dhënë të plotë karakterin e një Bernarde të pushtuar nga konceptet e nderit dhe të traditës, ka sjellë në repertorin e teatrit shqiptar një figurë të realizuar mjeshtërisht, ku pavarësisht mënyrës si duhet të shfaqet karakteri i saj në skenë, ajo në pasqyrën e rolit zbulon para publikut një gjendje të atillë shpirtërore, ku shihet qartë edhe dhimbja edhe tronditja e brendshme që ka personazhi.
Portreti skenik i Bernarda Albës është një rol shumë i vështirë për t’u realizuar. Që nga ngjitja e parë në skenën shqiptare gati 50 vjet më parë këtë portet kanë mundur ta realizojnë denjësisht aktoret e mëdha Marie Logoreci, Violeta Manushi dhe Drita Pelinku.Dhë ja, së fundi, aktorja Luiza Xhuvani sjell një portret të realizuar pastër të Bernarda Albës, duke nxjerr në pah një botë të pasur shpirtërore të personazhit, edhe pse në skenë i duhet të shfaqet si gruaja dominuese dhe despotike. Duke luajtur nënën e 5 vajzave të pamartuara, Luiza Xhuvani ka zbuluar një Bernarda Alba interesante.
Në fakt drama, të cilën Lorka e krijoi në vitin 1936, i vendos ngjarjet ne Andaluzi, por Bernarda Alba ka pa fund në gjithë botën. Ato janë gra të vetmuara që duhet të përballojnë gjithë skemën zakonore dhe morale që ka ngritur shoqëria, gjë që i bën këto nëna të besojnë se kanë krijuar përmes traditës komfortin e duhur në jetë për fëmijët e tyre. Intriga skenike nis pas vdekjes së burrit të dytë të Bernarda Albës, ku në emër të moralit dhe zakoneve në familje krijohet një mjedis, mbytës, vetëvrasës, që provokon pastaj tragjeditë familjare.
Kiço Londo është shprehur se e ka projektuar shumë kohë më parë ëndrrën për realizimin e kësaj drame të famshme dhe për protagoniste ka zgjedhur aktoren e talentuar Luiza Xhuvani, ndërsa aktoren e karrirës Roza Anagnostin e ka veshur me petkun e Nënës së lojtur të Bernarda Albës. Aktoret e reja Erjona Kakeli, Adriana Tolka, Mirela Naska, Ermira Hysaj, Taulanta Jupi dhe Esela Pysqyli, gjithsesi me përvoja të pasura në aktrim kanë gjallëruar skenën me ndodhitë e tyre personale si vajzat e Bernarda Albës. Londo e ka ngjitur në skenë këtë premierë me një skenografi të thjeshtë, ndërkohë që gjatë turneve aktorët me zellin e tyre përcjellin duke emocionuar publikun dramën “Shtëpia e Bernarda Albës” të shkrimtarit spanjoll Federico Garsia Lorka. Kostumografia është realizuar nga Berina Kokona.
Mesazhi i Lorkës për lirinë e individit
E dramatizuar në skenë, vepra shkrimtarit të madh botëror F.G. Lorkës, prek tema të mëdha, si ajo e lirisë, e dhunës, e shtypjes seksuale, e rolit të gruas, etj. “Shtëpia e Bernarda Albës” është shkruar në vitin 1936. Subjekti i kësaj vepre rrëfen historinë e Bernarda Albës, e cila pasi ka mbetur e ve për herë të dytë, vendos të mbajë një zi të rreptë, duke përfshirë edhe vajzat e saj. Me këtë vendim ajo bëhet një tirane për familjen. Në petkun e kësaj tiranie zgjohen pasionet e fshehta dhe një ditë ato shpërthejnë, kur për vajzën e madhe paraqite një kandidat për martesë, që quhet Pepe Romano. Hapja e kësaj teme në shtëpi ndez zjarret e xhelozisë dhe të pasionit erotik të ndrydhur. “Bukuria korruptohet, shkruan Lorka, në një ambient ku njerëzit nuk lejohen të shijojnë dhe përjetojnë pasionet e tyre”.
Shkrimi u publikua sot (25.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)
