Lajmi i shqipëruar marrë nga media më r madhe holandeze, AD:
Në vitin 2022 solli në Tiranë finalen evropiane mes Feyenoord dhe AS Roma, javën e kaluar tri etapat e para të Giro d’Italia dhe këtë të premte krerët e pothuajse të gjitha vendeve evropiane. Kush është vallë ky Edi Rama?
Këtë javë fitoi edhe zgjedhjet për herë të katërt radhazi. Në garë morën pjesë njëmbëdhjetë parti dhe procesin e ndoqën rreth 600 vëzhgues ndërkombëtarë. Fakti që Edi Rama (60 vjeç) do të jetë sërish kryeministër i Shqipërisë nuk mund t’i atribuohen manipulimet zgjedhore të paktën jo sipas këtyre vëzhguesve.
Po atëherë, cilat janë arsyet?
Ndoshta e shkuara e tij: Rama prej vitesh është një figurë e njohur kombëtare. Ka luajtur basketboll profesionist dhe ka qenë pjesë e ekipit kombëtar të Shqipërisë. Vetë Rama (2.01 metra i gjatë) pohon se nuk e zgjodhi sportin për pasion, por sepse donte të shihte muze. Në kohën e diktatorit Enver Hoxha, udhëtimet jashtë vendit ishin të ndaluara – përveçse si pjesë e një ekipi sportiv patriotik.
Sepse, më shumë sesa sportist apo politikan, Edi Rama e ndien veten artist pamor. Një i vërtetë. Ka ndjekur Akademinë e Arteve, ku më pas u bë edhe pedagog. Në vitin 2016, veprat e tij u ekspozuan dhe u shitën në galerinë prestigjioze Marian Goodman në Nju Jork.
Edhe tapeti shumëngjyrësh në zyrën e tij në Tiranë është dizajnuar prej tij.
“Nëse arti nuk mund ta bëjë politikën më të mençur,” tha njëherë Rama, “atëherë ndoshta politika, me gjithë marrëzinë e saj, mund ta bëjë më të mirë artin.”
Po aq befasuese në ambjentet zyrës së tij është edhe busti i presidentit amerikan Abraham Lincoln, i vendosur perballe nje libri te hapur me postimet më të diskutueshme të Donald Trump në Twitter.
Si hyri një njeri i tillë në politikë? Në vitet ’90, kur Shqipëria sapo kishte dalë nga izolimi, Rama u zhvendos në Paris dhe jetonte duke shitur pikturat e tij. Por në vitin 1998 u kthye për ceremoninë mortore të të atit dhe aty iu ofrua posti i ministrit të Kulturës.
“Nuk kemi para për kulturën,” i kishte thënë kryeministri i kohës, “por një ministër që vetë është artist, është një fillim i mirë.” “Për muaj të tërë nuk e kuptoja pse e pranova,” ka thënë më vonë Rama. “Por politika është si një drogë. Të bën të varur.”
Dy vjet më pas kandidoi për bashkinë e Tiranës, të cilën e drejtoi për 11 vjet. Ndikimi i tij është i dukshëm: fasadat e ndërtesave të zymta të komunizmit u lyerën me ngjyra të ndezura e me motive të guximshme. U mbollën mijëra pemë. Pastaj erdhën edhe kullat e para dhe hotelet luksoze, pasi ai ia hapi qytetit dyert botës.
Pas një periudhe në opozitë, Rama u bë kryeministër në vitin 2013. Dhe ja ku jemi: arsyeja pse shqiptarët i dhanë atij një mandat të katërt mund të jetë pikërisht kjo: për shumë shqiptarë ai shihet si reformatori që, falë karizmës dhe të folurit të tij të shkathët, e ka vendosur Shqipërinë në hartën ndërkombëtare.
Turistët, bizneset dhe liderët ndërkombëtarë po vijnë me shumicë. Rama e futi Shqipërinë në NATO dhe pretendon se është i vetmi që mund ta fusë edhe në BE. Marrëdhëniet me Italinë janë të shkëlqyera dhe plani i përbashkët për të strehuar në Shqipëri azilkërkuesit që duan të shkojnë në Itali është cilësuar si shembull i mirë nga BE.
“Është humorist, i sjellshëm dhe personaliteti i tij është pa dyshim një nga arsyet pse Shqipëria ka imazh pozitiv tek liderët evropianë,” thotë një diplomat evropian.
Vetë Shqipëria nuk përballet me një problem emigracioni, por emigrimi. Shumë të rinj – sipas disa vlerësimeve deri në një në dy – po largohen për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë vendit.
Sepse, pavarësisht 300 ditëve me diell në vit dhe një kryeministri energjik, Shqipëria ende nuk është parajsë. Korrupsioni dhe trafiku i drogës mbeten probleme të thella.
Rama ka zbatuar reforma të thella në drejtësi dhe disa zyrtarë të lartë kanë përfunduar në burg, por kritikët e tij thonë se shumë nga kullat e Tiranës janë ndërtuar me para të drogës.
Të premten, kryeministri holandez Dick Schoof do të ketë mundësinë të shohë gjithçka me sytë e tij.
Ai dhe mbi 40 kolegë të tjerë do të jenë në Tiranë për samitin e Komunitetit Politik Evropian një nismë e presidentit francez Macron që, pas pushtimit rus të Ukrainës, synon të përfshijë edhe vendet jashtë BE-së në diskutimet për të ardhmen e kontinentit.
Rama do t’i presë ngrohtësisht. Edhe pse, as ai nuk mund t’i kontrollojë të gjitha për të premten parashikohet shi dhe temperaturë 16 gradë.
Komente

