Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko, u betua të martën për mandatin e tij të shtatë si president, por organizatat për të drejtat e njeriut e cilësuan sundimin e tij si "antikushtetues".
Lukashenko i fitoi mbi 86 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të 26 janarit, të cilat u dënuan gjerësisht nga vendet perëndimore si një farsë.
"Ato u zhvilluan në kushtet e një krize të thellë të të drejtave të njeriut, në një atmosferë frike totale të shkaktuar nga shtypja e shoqërisë civile, mediave të pavarura, opozitës dhe të gjithë kundërshtarëve", thuhet në një komunikatë të përbashkët të dhjetë organizatave bjelloruse për të drejtat e njeriut të martën.
![]()
Lukashenko u betua gjatë një ceremonie në kryeqytetin Minsk.
Po atë ditë, qindra mbështetës të opozitës demokratike bjelloruse organizuan protesta në vende të ndryshme të Evropës, përfshirë në Lituani, Poloni dhe Republikën Çeke, për të shënuar Ditën e Lirisë së Bjellorusisë.
Më 25 marsi shënohet përvjetori i shpalljes së pavarësisë së Bjellorusisë në vitin 1918 dhe tradicionalisht festohet nga opozita bjelloruse, shumë prej anëtarëve të së cilës janë detyruar të ikin jashtë vendit, ose janë burgosur nga regjimi i Lukashenkos.
Në zgjedhjet presidenciale të janarit, në të cilat nuk u lejua prania e mediave ndërkombëtare dhe vëzhguesve perëndimorë, Lukashenko garoi kundër katër kandidatëve të tjerë, të cilët të gjithë mbështetën qeverinë dhe politikat e tij.
Lukashenko, që ka mbi tre dekada në pushtet, hodhi poshtë çdo kritikë ndaj zgjedhjeve, ashtu si edhe Rusia, aleati më i ngushtë i Minskut.
Në vitin 2020, pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale që i dhanë Lukashenkos një mandat tjetër, shpërthyen protesta masive, të cilat u shtypën me dhunë nga regjimi.
Zgjedhjet u dënuan gjerësisht si të manipuluara nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë.
Protestuesit, të cilat kërkonin dorëheqjen e Lukashenkos, u përballën me arrestime masive, tortura të pretenduara dhe shtypje të dhunshme, që shkaktoi vdekjen e disa personave./ REL
K.M/Shqiptarja.comKomente


Po kush eshte i pershtatshem per perendimin ?Jo dikush qe nuk lejon qe te fusin hunden ne punet e mbrendshme ne shtetin e ti ai konsiderohet si antikushtetues por po te marim parasysh Rusia e bardhe eshte nji shtet me me pak Krimiminele,e sigurt por njerezit kudo ne bote ankohen por une personalisht dote jetoja ma se pari ne Rusine e bardhe se sa ne SHBA ku xhdo sekonde vritet dikush por jo tek Lukatshenko.
Përgjigju