TIRANE- Figurat kryesore të PD-së, pikërisht ata të cilët kanë mbajtur dhe peshën politike të kësaj partie si në opozitë ashtu dhe në pushtet, pritet që në zgjedhjet e radhës brenda PD-së të mbeten jashtë strukturave dhe forumeve drejtuese të saj. Skema e paraqitur nga kreu Lulzim Basha, sipas të cilës, asnjë prej atyre që kanë qenë anëtarë të kryesisë së PD-së deri më tani, përjashtuar qarkun e Tiranës s’do jetë pjesë e përgatitjes së bazës për zgjedhjet brenda PD-së.

Pasi janë deleguar në rrethe pikërish njerëz të besuar të Bashës dhe jo anëtarë të forumeve drejtuese për të menaxhuar PD-në e bazës, delegatët e të cilës pas zgjedhjes së strukturave drejtuese do zgjedhin Këshillin Kombëtar, dhe që ky forum do zgjedhë kryesinë, sekretariatin e nënkryetarët.

Pra, përmes kësaj skeme, duke pasur në Kuvendin Kombëtar të PD-së, si delegatë, krerët e rinj vendorë demokratë të përzgjedhur si më të besuarit e kreut të ri të PD-së Lulzim Basha, si dhe delegatët e menaxhuar si duhet për të mbështetur lidershipin e ri vendor por dhe atë qëndror, figurat potencuese dhe me kontribute në PD do të mbeten jo vetëm jashtë kupolës drejtuese të kësaj partie siç kanë qenë për vite me radhë, duke mos zënë asnjë post sekretari apo nënkryetari, do të mbeten jo vetëm jashtë kryesisë së PD-së, por do të mbeten dhe jashtë Këshillit Kombëtar Demokrat, duke e pastruar njëherë e mirë gjithë kupolën drejtuese dhe forumet drejtuese të partisë nga njerëzit që nuk janë në linjën e kreut të ri Lulzim Basha.

Dhe nuk bëhet fjalë për figura të profilit të ulët politik brenda PD-së, por dhe në rang kombëtar. Burimet brenda PD-së saktësojnë se pritet të mbetet jashtë Këshillit Kombëtar, nënkryetarja e PD-së, njëherësh ish-kryetare e Kuvendit për 8 vite të qeverisjes së PD-së, Jozefina Topalli, ish-kreut i grupit të PD-së Astrit Patozi, sekretari i Përgjithshëm Ritvan Bode, Arben Imami, Genc Ruli, Jemin Gjana, Mesila Doda, Adriana Gjoni, Fatos Hoxha, Selami Xhepa, Mark Marku etj. Mes të cilëve janë përjashtuar gati të gjithë deputetët aktualë përpos Majlinda Bregut, Jorida Tabakut, Keltis Krujës, Aldo Bumçit e Genc Pollos.

Ndërsa pjesa tjetër e deputetëve janë në rrezikun e përjashtimit, përfshirë këtu dhe Albana Vokshin dhe Oerd Bylykbashin që në mbledhjen e para një jave të grupit parlamentar të PD-së, e kanë akuzuar Bashën për skemën përjashtuese ndaj deputetëve e strukturave drejtuese të partisë, ndërsa Topalli ka akuzuar se PD është në gjendjen më të dobët që nga viti 1990. Në këtë mënyrë, Basha kërkon që brenda vitit të pastrojë PD-në nga kundërshtarët, për të hyrë në zgjedhje me mbështetësit e tij. Pavarësisht se një ditë më parë ai ka thënë se nuk kanë përgjegjësi ish-ministrat për humbjen e PD–së në zgjedhjet, pasi ishin të mbingarkuar në qeverisje dhe në parti. A.A

Shkrimi u publikua sot (23.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)