Luleshitësi i varrezave që ‘nxjerr
bukën e gojës’ mes trishtimit e punës

Luleshitësi i varrezave që ‘nxjerr<br />bukën e gojës’ mes trishtimit e punës
Ajo mund të ishte rruga më e bukur në kryeqytet. Një rrugë e mbushur anë e mbanë me lule shumë ngjyrëshe, por që fatkeqësisht mbartin një tjetër kuptim. Mund t’ju duket e çuditshme por është e vërtetë.

Teksa ngjit dyshezën, një mërzi të pushton trupin, pasi e di që fundi i saj të çon drejt varrezave. Jemi tek varrezat e Sharrëz, vendtakimi i të gjallëve me njerëz të cilët janë ndarë nga kjo botë. Të mërzitur nga jeta pasi kanë humbur një njeri shumë të afërt të tyre e përshkojnë shpesh këtë rrugë, e mesa duket, këtë ndjesi e kanë përhapur kudo, dhe që reflektohet më së miri tek luleshitësit. Po. Luleshitësit janë pasqyrimi më i mirë i asaj çfarë ndodh aty, pasi janë dëshmitarë fatkeqësisht të shumë vdekjeve. Të mërzitur, të lodhur, shumë të hidhëruar një pjesë prej tyre, janë këto luleshitësit e varrezave të Sharrës. Por është dikush që e prish këtë unformitet, që qëndron në anën e kundërt të tyre. Është Myftar Gjata plot 63 vjeç. Luleshitësi më simpatik që mund të keni parë ndonjëherë. I gjendur pothuajse i vetëm mes grave, ai është shumë ndryshe nga to.

Në fytyrë mbante të veshur një buzëqeshje që i shërben si çelës që fton këdo të blejë në tezgën e tij. Nuk mund ta quanim dyqan, pasi ajo përbëhej vetëm nga disa kova të mbushura me lule, disa artificiale dhe disa natyrale dhe me një çadër të madhe që e mbronte atë dhe lulet nga faktorët natyrorë, dielli, shiut, erërat. Nuk bëhet fjalë për “çadrën” që e kemi dëgjuar aq shpesh 50 ditët e fundit. Është çadra e Myftarit, e cila ashtu sikurse dhe ai ishte një dëshmi e kohës. Myftari vjen nga fshatrat e Kavajës dhe na tregon për rrugën e gjatë të kësaj pune, me vështirësitë dhe të mirat e saj. Shumë kohë më parë, ai është zhvendosur me shtëpi pranë varrezave të Sharrës. E ka nisur këtë punë shumë rastësisht. Duke qenë se banonte shumë pranë aty, edhe ai si shumë fqinjët e tij, hapi një biznes të vogël që i sjell sado pak fitime. Ç’është e vërteta ata janë shtuar si kërpudhat pas shiut, janë aq shumë sa nuk di ku të blesh por secili ka disa karakteristika të veçanta, ashtu si kurse dhe Myftari. Plot 16 vite që punon si luleshitës.

Por ajo që është më e bukura, “konkurrentja” më e fortë në këtë biznes është bashkëshortja e tij. E tregon këtë duke buzëqeshur dhe me aspak ndrojtje. Ajo punon pak metra më tutje dhe kur bëhet bilanci në fund të ditës, ajo e “mund” pothuajse gjithmonë Myftarin. Janë prindër të tre fëmijëve, që me shumë siguri do të jenë po aq të mrekullueshëm sa dhe vetë ai. Shumë kush me të drejtë do të mendonte se kjo punë do të ishte shumë e lodhshme, me një stres psikologjik, një vend pune që nuk është aspak motivues, por për të, është shumë ndryshe.

Fakti që përditshmëria e tij është e mbushur me shkëmbime bisedash, disa të rastësishme e disa jo, janë pjesa më e bukur e punës e që e nxisin Myftarin të dalë sërish të nesërmen aty. Në po të njëjtin vend dhe orë. Nga mëngjesi e deri në 12 të drekës. Ai tregon se e ka luksin që të mos qëndrojë deri në orët e vona të pasdites, ndoshta se fizikisht nuk mundet pasi mosha ka bërë të veten. Plot 63 vite nuk janë pak, por Myftari e vërteton më së miri që nuk janë as shumë. Ai qëndron shumë i fortë, me një fizik shumë të mirë.

Është i gjatë, i mbushur, i rregullt në pamje dhe me një mirësi që e reflekton menjëherë tek e sheh. Sikur të kishte fuqinë që ta shpërndante atë kudo që shkelte sa mirë do ishte, edhe pse duket shumë e pamundur. Kjo punë i sjell mjaftueshëm fitime prandaj nuk ka zgjedhur të bëjë diçka tjetër në këtë jetë. Ka bërë vetëm 8 vite shkollë, por ky rast është një tregues mjaft i mirë që të bën të kuptosh që njeriun nuk e bën shkolla. Ai flet shumë qartë, shkurt, pa pasur nevojën për t’i zbukuruar ato që ai thotë me fjalë të mëdha, por zgjedh të qenurit i vërtetë në ato që thotë.
 
Sa kohë ka që punoni këtu?
Unë kam plot 16 vjet që punoj si luleshitës këtu. Janë shumë e di.

Më tregoni pak, si kanë qenë fillimet kur e keni nisur? Sa e vështirë ka qenë dhe nëse do të bënin ndonjë krahasim me atë që ka qenë 16 vite më parë a ka shumë ndryshim?
Mirë, si tani nuk ka shumë ndryshim. Po thuajse kështu ka qenë gjithmonë.

Po si e morët përsipër ta bëni këtë gjë, si ju ka lindur ideja të merreni me këtë biznes?
Pamë të tjerët dhe kështu bëmë dhe ne. Shumë kështu e kanë nisur. Ç’të bëjmë.

Duke parë vendin e punë që nuk është dhe shumë motivues kushtet gjithashtu, a ju duket e vështirë si punë?
Jo nuk është shumë e vështirë. Për dimër ndoshta pak më shumë për shkak të shiut dhe erës, ndërsa për verë është më mirë. Na bezdis dielli po s’kemi çfarë të bëjmë se duam 2-3 vjet që të dalim në pension se është rritur mosha për të dalë në pension. Do të durojmë.

Keni mbaruar ndonjë shkollë?
Kam mbaruar tetë vjeçaren.

Më tregoni pak, çfarë ju vjen ndërmend kur ju vjen dikush dhe blen lule këtu? E shikoni si klient të thjesht, ndoshta sepse jeni mësuar se keni plot 16 vite apo mendoni me vete “sa keq më vjen, i ka vdekur dikush i afërt”?
Sigurisht që po, sepse ai që vjen këtu vjen për hall nuk vjen për qejf. Kështu që të vjen shukmë keq për atë që vjen. Ndryshojnë bizneset e tjera nga ky këtu, se ky është për hall siç e thashë dhe detyrimisht atë që vjen do ta shikosh me një sy tjetër, jo vetëm si klient.

Nëse më lejoni t’ju pyes, sa fitoni?
Dobët është me thënë të drejtën. Por fitojmë sa për të mbajtur veten dhe familjen, na mjaftojnë.

A ka pasur ditë që nuk keni fituar asgjë?
Ka pasur si nuk ka pasur. Sa të duash. Po unë e thashë edhe nëse nuk fitoj kthehem në shtëpi, nuk qëndrojë më këtu.

Këtu me sa pashë ka shumë konkurrencë. Ju bezdis si fakt?
Po ka shumë, është mbushur rruga plot. Ti ke biznesmenët e mëdhenj që fitojnë sa të duash dhe kanë ndryshuar në raport me njëri- tjetrin dhe jo më ne. E rëndësishme është që fitojmë sa për të jetuar. Gjithë secili ka riskun e vet.

A ka pasur raste që ke thënë nuk dua ta bëj më këtë punë, do përpiqem që të bëj diçka tjetër për shkak të streseve apo lodhjes që keni pasur?
Jo s’ka pasur kështu rastesh. Nuk kam thënë ndonjëherë, këtu kam qenë gjithmonë. Banoj këtu afër dhe më është përshtatur. Kam takuar shumë njerëz këtu dhe ia kaloj bukur.

Sa ka ndikuar tek ju kjo punë, që do të thonë keni ndryshuar sado pak në personalitet, jeni bërë më të ftohtë, më indiferent apo qoftë dhe më i ndjeshëm?
Tani varet, nuk mund të them që ka ndryshuar diçka tek unë. Nuk mendoj që kam ndryshuar shumë, them se jam njësoj si kam qenë më parë. Pavarësisht se fitojmë pak, pak por fitojmë, më mirë dalim dhe fitojmë pak se asgjë.

A mund të veçoni një moment të bukur nga puna juaj si luleshitës këtu?
Gjëja më e bukur është komunikimi me njerëzit. Ka shumë raste që moshatarët e mi vijnë dhe ulen të bisedojnë. Njihem më shumë me njerëzit, më pëlqen dhe kështu kalon dhe dita.

Sa orë punoni këtu?
Unë deri në orën 12:00 punoj të them të drejtën. Këta të tjerët rrinë shumë por unë jo deri në 12:00 qëndrojë edhe për shkak të moshës. Jam 63 dhe nuk kam atë fuqinë që kam pasur kur kam nisur sigurisht, Për mua nuk ka shumë rëndësi. Fitova ose jo unë në atë orar kthehem në shtëpi.
A e ke thënë ndonjëherë me vete që “ishalla vjen dikush tani”, duket sikur i kërkon të keqen një njeri, por ndoshta në këto momente po mendon për vete...
Jo nuk bëhet kështu kjo punë. Ti nuk ke përse ndërhyn në ato muhabete që i bën një më i madh. Kjo punë është si politika që të gjithë shikojnë veten e tyre, por unë jam i mendimit që veten tënde shikoje në mënyrë të drejtë jo t’u bësh keq të tjerëve. Nuk është e drejtë kjo. Nuk e kam menduar asnjëherë.

Cila është lulja që blihet më së shumti?
Lulja që blihet më së shumti është karafili, i kuqi i bardhi nuk ka shumë rëndësi ngjyra.

Po ku i merrni lulet, keni bahçe vetë apo furnizoheni diku?
Jo jo nuk i kam në shtëpi. Është një djalë që vjen çdo ditë me një fugon, ne normalisht i shesim me një çmim më të shtrenjtë se ai. Kështu është kjo punë, kalon dorë më dorë.

Sa kushton lulja më e shtrenjtë?
Lulja më e shtrenjtë janë ato natyralet normalisht 300-350 lekë, ndërsa ato artificialet janë nga 50 lekë.

Po familja juaj me se merret?
Dy vajzat i kam të martuara, djali punon me saldime ndërsa gruaja shet si unë pak më tutje brenda në varreza.

A ka konkurrencë mes jush, kush shet më shumë ti apo gruaja?
(Qesh)Jo çfarë konkurrence, s’ka konkurrencë mes nesh. Nuk ka pse të ketë konkurrencë mes nesh. Lekët në shtëpi i sjellim të dy.

Kush fiton më shumë ti apo gruaja?
Unë këtu jam pak dobët me thënë të drejtën, pak më shumë bën gruaja që punon aty lart. Ajo ka më shumë pinë dhe normalisht fiton dhe më shumë.

Redaksia online
(B.K/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni turin e Ramës me diasporën?



×

Lajmi i fundit

Zelensky thotë se s’i beson Putinit, teksa BE po mendon për bisedime për paqe me Rusinë

Zelensky thotë se s’i beson Putinit, teksa BE po mendon për bisedime për paqe me Rusinë